Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë kanë shprehur gatishmëri për dialog, bashkëpunim dhe partneritet me pushtetin e ri në Serbi, por se mbeten prapa kërkesave të tyre sa i përket pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kamberi e Memeti thanë se presin që largimi i Aleksandër Vuçiqit nga pushteti të reflektojë në aspekt pozitiv edhe për pozitën e shqiptarëve në këtë shtet
Optimistë për ndryshimin në Serbi, por të rezervuar për qasjen e qeverisë së re në raport me Kosovën, janë shprehur dy deputetët shqiptarë në Kuvendin e ri serb.
Shaip Kamberit, pas zgjedhjeve të 25 tetorit, në organin ligjvënës i është bashkuar edhe Visar Memeti.
Kamberi e Memeti thonë se situata sa i përket ndryshimit të qeverisjes, është ende e paqartë.
Megjithëkëtë, ata presin që largimi i Aleksandër Vuçiqit nga pushteti të reflektojë në aspekt pozitiv edhe për pozitën e shqiptarëve në Serbi.
“Duhet parë shumëçka. Nuk duhet nxituar me qëndrime. Ne jemi në pritje, jemi optimistë, por jemi optimistë të moderuar. Nuk mund të shpresojmë që do të ketë kumeditë çfarë ndryshimi, por duhet t’i japim hapësirë a do të jetë në gjendje Serbia të lëvizë nga pozicionet aktuale, nga pozicionet hegjemoniste dhe nga rruga e cila po e çon në drejtime të ndryshme, herë nga Rusia, herë nga Kina dhe herë pas here edhe nga perëndimi. Serbia nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së. Ky është interes substancial i saj”, ka thënë Kamberi.
Në këtë frymë ka folur edhe deputeti Memeti.
Edhe
Kamberi: Të hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por...
“Në shikim të parë ky ndryshim është padyshim pozitiv, mirëpo ende nuk kemi një pasqyrë të qartë sa do të jetë ky ndryshim, duke pas parasysh se ende është një enigmë çështja e strukturës së re dhe qeverisjes së re që do e ketë Serbia. Ne duhet të jemi pak të rezervuar, por optimistë sa i përket kësaj çështjeje, duke pas parasysh regjimin e mëparshëm që ka qenë 14 vjet këtu në Serbi dhe rezultati sa i përket çështjes së pakicave, sa i përket çështjes së shqiptarëve është baras me zero”, ka thënë ai.
Dy deputetët shqiptarë, gjatë mandatit të tyre si ligjvënës, thanë se do të fokusohen në adresimin e çështjeve që prekin qytetarët e Luginës, të dakorduara si koalicion i partive shqiptare.
“Ndër to është integrimi i shqiptarëve në institucione, është çështja e njohjes së diplomave, pasivizimi, zhvillimi ekonomik, temat më me rëndësi për të cilat ne do të angazhohemi në përbërjen e re të parlamentit, në një qeveri të re e cila shpresojmë të jetë ndryshe nga ajo që kemi pasur deri më tani”, ka thënë Kamberi.
E në seancë, Kamberi ka thënë se deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë janë të gatshëm për dialog, bashkëpunim dhe partneritet me autoritetet e reja në Serbi, por se mbeten prapa kërkesave të tyre sa i përket pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Tetë parti shqiptare garuan së bashku në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, duke fituar dy mandate.
Edhe
Memeti: Jemi optimist duke marrë parasysh ndryshimet drastike të pushtetit në Serbi
Zgjedhjet i fitoi Lista Studentore, duke siguruar 140 nga 250 mandate në Kuvend dhe duke rrëzuar nga pushteti pas 14 vjetësh Partinë Përparimtare Serbe të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.
Lista Studentore, e cila ka fituar mjaftueshëm vota që ta formojë e vetme ekzekutivin, nuk ka treguar konkretisht nëse do të bashkëpunojë me partitë e pakicave.