Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Zyrtari i QPS-së: Pa psikolog, u intervistua në polici djali i Arlinda Zekajt

Komisioni

Zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Pejë kanë dhënë dëshmitë e tyre në Komisionin Hetimor Parlamentar të themeluar pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Njëri prej tyre tha se në stacionin e policisë në Vitomiricë të Pejës, djali i Arlinda Zekajt është intervistuar pa praninë e psikologut. E ushtruesja e detyrës së QPS-së, tha se nuk ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj menaxheres e cila nuk mori pjesë në seancën e 5 tetorit, për rastin e Zekajt

Pa praninë e psikologut ishte intervistuar djali i tani të ndjerës Arlinda Zekajt, në stacionin e policisë në Vitomiricë të Pejës, ka bërë të ditur të mërkurën zyrtari i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpat Morina, gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar të themeluar pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Morina gjatë dëshmisë së tij tha se atë ditë ishte kujdestar.

“Psikologe jo nuk ka pasur. Ne nuk vendosim se a do të ketë psikolog. Ne nuk i thërrasim akterët e tjerë se kush duhet të marrë pjesë në gjykata, a polici apo kudo. Nuk kemi ne kompetencë për të thirrur psikologun”, ka thënë ai para deputetëve që janë pjesë e Komisionit hetimor.

I pyetur se kush duhet ta thërrasë psikologun në intervistim, Morina deklaroi se është detyrë e policisë.

“Policia i thirr krejt, mbrojtësin e viktimave, e të tjerë e të tjerë. Neve vetë policia na thirrin. Ne shkojmë në polici dhe jo vetëm në polici por edhe në institucionet e tjera”, ka theksuar ai.

Dëshmi para Komisionit hetimor ka dhënë edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në QPS-në e Pejës, Shpresa Lukaj.

Ajo ka thënë se asnjëherë nuk është takuar me të ndjerën Arlinda Zekaj.

“Nuk jam taku asnjëherë direkt me të ndjerën. Iu është drejtuar drejtoreshës së drejtoratit, për shkak se e ka njoftë, e ka pasë bashkëvendëse. Përmes avokates e kemi pas një ankesë nga Arlinda për zyrtarin që ka marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës dhe ajo ka menduar se iu ka bërë trajtimi i njëanshëm. E kemi pa të paarsyeshme atë ankesë, sepse ka qenë e pabazë”, ka thënë Lukaj.

E pyetur nëse ka marrë masa ndaj menaxheres e cila nuk mori pjesë në seancën gjyqësore të 5 tetorit për rastin e Arlinda Zekajt, ajo tha jo. 

“A keni qenë e njoftuar që menaxherja nuk ka qenë e pranishme në seancë 05.10.2026? A keni ndërmarrë masa?”, është pyetur ajo nga deputeti Adnan Rrustemi.

“Po kam qenë e njoftuar, por për shkak se ajo e ka ngatërru orën. Për shkak se e di volumin e punëve, nuk kam ndërmarrë masa”, është arsyetuar Lukaj.

Ajo tha se në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, aktualisht janë 70 raste aktive të dhunës në familje.

Përveç Lukajt, dëshmi para Komisionit ka dhënë edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri si dhe dy zyrtarë të tjerë të Qendrës për Punë Sociale në Pejë.

Muhaxheri, duke folur për mungesën e stafit, ka thënë se komuna ka pasur dhjetë pozita të paplotësuara për disa vite për QPS-në dhe qendrën e strehimit të fëmijëve, për shkak të pengesave në rekrutim dhe mungesës së aprovimit të buxhetit.

Sipas tij, këto pozita kanë mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së udhëzimeve nga ministria përkatëse dhe pamundësisë së sigurimit të mjeteve për paga.

“Që katër vjet i kemi 10 vende të punës të bllokuara... Për mungesë të udhëzimit se si ka munguar rekrutimi, çka ka kërkuar ajo ministri për këtë staf, kemi mbetur pa e shpallur konkursin”, ka deklaruar Muhaxheri.

Ai ka bërë të ditur se komuna ka ndërtuar edhe një qendër për strehimin e fëmijëve, të cilën kishte planifikuar ta hapte gjatë këtij viti, por ka hasur në vështirësi për sigurimin e stafit.

Mbledhja e Komisionit hetimor, ku ka raportuar edhe kryetari i Pejës, ka nisur me akuza për politizim, ku pati përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga LVV-ja, Armend Baloku.

Debati u ashpërsua pasi Rrahmani ngriti dyshime për konflikt të mundshëm interesi të ekspertit Skender Kandiq, të cilin e cilësoi figurë politike, duke akuzuar anëtarët e Komisionit për politizim të punës së tij.

Rrahmani kërkoi nga eksperti Skender Kandiq të deklarohej nëse kishte konflikt interesi, duke ngritur dyshime për shkak të punës së tij të mëparshme në Qendrën për Punë Sociale.

“Sa i përket ekspertëve, eksperti Skender Kandiq me na tregu nëse nuk ka konflikt interesi. Unë sa e di ka qenë pjesë e QPS-së atje”, pyeti Rrahmani.

Kandiq mohoi të ketë konflikt interesi.

“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional. Nuk kam asnjë konflikt interesi”, ka thënë Kandiq.

Anëtari i Komisionit nga LVV-ja, Armend Baloku, e kritikoi Rrahmanin, duke thënë se ai ka pasur mundësi ta shqyrtonte CV-në e ekspertit para votimit të tij. 

Rrahmani iu kundërpërgjigj duke thënë se Kandiq është figurë politike.

“Është figurë politike. E keni politizu këtë komision. Ka qenë kandidat për deputet, e njihni shumë mirë, mundeni me aktru”, ka thënë Rrahmani.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e Balokut, i cili akuzoi Rrahmanin për mashtrim dhe përpjekje për të bërë spektakël gjatë mbledhjes.

“Aktrimi nënkupton veprim, unë po veproj. Ndoshta ju dhe rrethi juaj jeni duke mashtruar. Dhe a është a nuk është, keni pasur mundësi me herët. Ju bëni show dhe po i merrni elementet nga fusha ime”, iu kundërpërgjigj Baloku.

Përplasja mes tyre vazhdoi edhe me kritika personale.

Gjatë ditës kur u zhvilluan intervistimet, aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist kanë protestuar para Kuvendit duke kërkuar ndëshkimin dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që, sipas tyre, nuk i kanë përmbushur përgjegjësitë institucionale në këtë rast.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës. Ajo vazhdimisht kishte alarmuar për rrezikun për jetë që i kanosej.