Të enjten, Kuvendi pritet të rishqyrtojë Ligjin e kthyer nga presidentja, me të cilin synohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale. Ndërkohë, presidentja Justina Shiroka-Pula ka takuar grupin punues për hartimin e Strategjisë shtetërore për procedurat e apelit në Hagë, ku është diskutuar koordinimi institucional dhe mbështetja për ish-krerët e UÇK-së
Kuvendi ka njoftuar se të enjten nga ora 10 do të vazhdojë seancën e mbetur në gjysmë të premten, në të cilën pritet të rishqyrtohet edhe Ligji me të cilin synohet t’i kufizohet mandati Gjykatës Speciale.
Ligji është miratuar në dy lexime në Kuvend, por me kërkesë të sponsorizuesit, Partisë Demokratike (PDK), presidentja Justina Shiroka Pula nuk e ka nënshkruar dhe e ka kthyer në Kuvend. E, pikërisht PDK-ja është bërë sërish “pishman” dhe ka kërkuar që të rrëzohet vetoja e presidentes, dhe ligji të miratohet siç është deh pasi të hyjë në fuqi të bëhet amendamentimi i tij.
Në rend dite të seancës së javës së shkuar, ligji hyri në rend dite me kërkesë të PDK-së. Por, nuk arriti të shqyrtohet, shkaku i mungesës së kuorumit, të premten mbrëma.
E, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka thënë se pret që në vazhdimin e seancës të votohet Ligji.
“Prandaj, besoj që në bazë të dakordimit që kemi pasur, ne do të vazhdojmë që të votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe pastaj, sigurisht, pas këtij votimi do të procedojmë me nismën e re ligjore për ndryshimin, duke pasur një bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht me Bashkimin Evropian dhe me të tjerët ndërkombëtarë që do të na ndihmojnë në forcimin e ligjit, forcimin e drejtësisë dhe që do t’i shërbejë mbrojtjes së vërtetë historike dhe mbrojtjes së çlirimtarëve”, ka thënë ai.
Të mërkurën, presidentja Shiroka-Pula ka takuar grupin punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e Strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në njoftimin e Presidencës thuhet se gjatë takimit kryesuesi i grupit punues, Glauk Konjufca dhe anëtarët e kanë informuar presidenten për ecurinë e deritashme të punës.
Gjithashtu thuhet se është diskutuar edhe për mbarëvajtjen e punës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional, të mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për procesin e apelit.
“Presidentja Shiroka-Pula, shprehu mbështetjen për grupin punues, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
E, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila në cilësinë e nënkryetares së Kuvendit është pjesë e grupit punues për mbrojtjen e çlirimtarëve në fazën e apelit në Hagë, pas takimit me presidenten ka thënë se e ka falënderuar atë për “mbështetjen e parezervë dhe gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjen e përbashkët për mbrojtjen e çlirimtarëve”.
“Tani është koha që unitetin politik e institucional ta dëshmojmë me veprime dhe mbështetje konkrete për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel. Do të qëndrojmë pranë tyre në betejën për drejtësi dhe do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën për luftën e drejtë të UÇK-së”, ka shkruar Çitaku në Facebook. “Deri në kthimin e tyre të lirë në atdhe!”.
Grupi punues është themeluar pasi që katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë shpallur fajtorë për krime lufte nga shkalla e patë e Gjykatës në Speciale.
Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet.
Të enjten në Kuvend, në vazhdimin e seancës së javës së kaluar, krahas rishqyrtimit të Ligjit që synon t’ia kufizojë mandatin Speciales, në rend dite është edhe votimi i Propozim Rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike; si dhe votimi i Propozim Rezolutës nga Mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Ndërkaq, në seancën e rregullit janë planifikuar 12 pika të rendit të ditës.
Krahas atyre të rëndomta, si miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë edhe vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës për furnizimin e energjisë; Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027; Projektligji për Efiçiencë të energjisë; Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore; Procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi; Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës; Zgjedhje e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës; Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; si dhe Propozimi i GP të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.