Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka publikuar fotografi nga Fakulteti Ekonomik, ku thotë se sonte është ndërprerë energjia elektrike teksa po mbante test me studentë të nivelit master.
Bajrami ka treguar se rreth orës 17:10, derisa po mbante testin, është ndërprerë rryma në fakultet. Ajo ka thënë se paraprakisht ua kishte marrë telefonat studentëve, ndërsa pas disa minutash pritjeje ata gjetën një mënyrë për të vazhduar testin.
Sipas saj, telefonat iu shpërndanë studentëve në mënyrë të rastësishme, në mënyrë që secili të përdorte telefonin e një studenti tjetër vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar atë.
“Kështu vazhduam testin!”, ka shkruar Bajrami.
Duke ironizuar situatën, ajo ka thënë se fotografia nuk është e periudhës së pasluftës, por është bërë të mërkurën, më 18 nëntor 2026.
“Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ‘Kosovën e progresit të paparë’!”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht të paraqesë në Kuvend një plan konkret për krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë.
“Vetëm prodhimi vendor na shpëton nga kriza”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa, qytetarët dhe Qeveria shumë shpejt do ta kenë të vështirë t’i përballojnë faturat e energjisë, ndërsa reduktimet mund të bëhen pjesë e përditshmërisë.