Avokatja Bedrie Berisha-Rexhepi ka kritikuar përplasjet politike në Komisionin Hetimor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se qytetarët presin nga ky komision përgjigje se çfarë ka ndodhur dhe çfarë kanë bërë ose nuk kanë bërë institucionet.
Ajo ka thënë se ishte për të ardhur keq mënyra se si ka nisur punën Komisioni, duke iu referuar përplasjes mes deputetit të Vetëvendosjes, Armend Bajoku, dhe deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani.
“Ishte për të ardhur keq se si filloi punën ky Komision. Qytetarët nga ky Komision po presin përgjigje për atë se çka ka ndodhur, për atë që kanë ndërmarrë apo nuk kanë ndërmarrë institucionet dhe më e pakta që ata presin janë betejat politike brenda atij komisioni”, ka thënë Berisha-Rexhepi në “60 Minuta” të KTV-së.
Ajo shtoi se përplasjet politike nuk duhet të zënë vendin e zbardhjes së rastit dhe kërkoi që ato të mos vazhdojnë.
“Asnjë betejë politike s’duhet të dalë para asaj që ka ndodhur dhe përpara asaj që qytetarët dhe viktimat do të presin”, deklaroi ajo.
Berisha-Rexhepi ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës në familje në gjykata, duke e cilësuar si absurde që një person të ftohet për të raportuar për një rast të trajtuar vite më parë.
“E ke trajtuar një rast të dhunës në familje më 2021 dhe ty ftesa për seancë të vjen më 2026 – është absurditet i llojit të vet. Sepse palët ndoshta kanë arritur t’i zgjidhin gjërat, por ftesa pas pesë apo gjashtë vjet mund t’i nxisë sërish tensionet”, u shpreh ajo.