Në vlugun e debatit global që po zhvillohet për Inteligjencën Artificiale, Fjalori i Cambridgeit ka shpallur fjalën “human” (njerëzor) si fjalën e vitit 2026.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, “Cambridge Dictionary” ka bërë të ditur se fjala “human” përkufizohet në fjalor si: “të kesh cilësitë, të metat dhe ndjenjat që kanë njerëzit, për dallim nga zotat, kafshët apo makinat”.
Duke shpjeguar përzgjedhjen, është theksuar se ky vit është “karakterizuar nga debatet globale mbi atë se çfarë do të thotë të jesh njeri, në një kohë kur Inteligjenca Artificiale po i mjegullon kufijtë midis njerëzve dhe makinave”.
Në këtë kontekst, Fjalori u referohet edhe deklaratave publike të intelektualëve, si pionieri i Inteligjencës Artificiale dhe fituesi i çmimit “Nobel”, Geoffrey Hinton, i cili është shprehur: “Ne po krijojmë qenie të huaja. Jam i gatshëm të jem egoist dhe të zgjedh njerëzit”.
Cambridge Dictionary ka vënë në pah përparimin e teknologjisë së deepfake-ut të Inteligjencës Artificiale, e cila mund të imitojë njerëzit, si dhe reagimin ndaj kësaj teknologjie nga personazhe të famshme, si Matthew McConaughey dhe Taylor Swift, të cilët kanë regjistruar si marka tregtare imazhet e tyre, si dhe fragmente të zërave të tyre.
Edhe
Dhjetë ditët që ndryshuan rrjedhën e Inteligjencës Artificiale
Colin McIntosh, leksikograf në “Cambridge Dictionary”, ka shtuar se “Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën se si flasim për të qenit njeri”.
“Tradicionalisht, përkufizimi i fjalës ‘njerëzor’ na ka dalluar nga zotat, kafshët dhe, së fundmi, nga makinat”, ka thënë ai në një deklaratë.
“Rritja e kohëve të fundit e përdorimit të fjalëve të përbëra, si ‘human-made’ (e krijuar nga njeriu), nxjerr në pah mënyrën se si kjo fjalë ka filluar të përdoret për të dalluar veprat apo cilësitë njerëzore nga ato të krijuara nga Inteligjenca Artificiale”, ka thënë McIntosh. “Është pikërisht ky interes i ripërtërirë për idenë e të qenit njeri që pasqyron frymën e kohës”.
Përveç shpalljes së Fjalës së Vitit, “Cambridge Dictionary” bëri të ditur edhe disa fjalë dhe shprehje të reja që i ka përfshirë në fjalorin e tij gjatë këtij viti.
E para është “air jail”, e përkufizuar si “një metodë e përdorur në përpjekje për të trajnuar një kafshë, veçanërisht një qen, e cila përfshin mbajtjen pezull, pa e lënë të prekë tokën, për një periudhë të caktuar kohe, kur shfaq sjellje agresive ose sjellje të tjera të padëshiruara”.
Një tjetër shprehje është “aura farming”, të cilën fjalori e përkufizon si “veprimtaria e të bërit të gjërave me qëllim paraqitjen e një personaliteti që njerëzit e admirojnë dhe e konsiderojnë tërheqës e interesant”.
Në fjalor tashmë është përfshirë edhe shprehja “looksmaxxing”, e përkufizuar si “veprimtaria e përpjekjes për ta bërë veten sa më tërheqës fizikisht që të jetë e mundur, e nxitur nga disa persona, kryesisht të rinj, në rrjetet sociale”.
Edhe
10 ditët që ndryshuan rrjedhën e inteligjencës artificiale
Vitin e kaluar, “Parasocial” kishte qenë fjala e vitit në Fjalorin e Cambridgeit, e definuar si marrëdhënie që dikush e ndien midis vetes dhe një personi të famshëm që nuk e njeh. Një shembull që përfshin këtë dukuri është interesi parasocial që kanë shfaqur tifozët kur këngëtarja Taylor Swift dhe futbollisti amerikan, Travis Kelce, kanë bërë publike fejesën e tyre. Termi daton prej vitit 1956, kur sociologë amerikanë kanë vëzhguar teleshikuesit, teksa krijojnë marrëdhënie “parasociale” me personalitete të ekranit. Kryeredaktori Colin McIntosh kishte thënë se së fundi është përdorur për ta përshkruar “një lloj marrëdhënieje, mes një personi dhe një jopersoni, për shembull një personazhi të famshëm”.
“Në fillim është krijuar si një fjalë akademike dhe ishte e kufizuar në domenin akademik për një kohë goxha të gjatë. Vetëm gjatë kohëve të fundit ka bërë një ndërrim në gjuhën popullore dhe është një nga ato fjalët që janë ndikuar prej rrjeteve sociale”, ka thënë ai.