Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dhjetë ditët që ndryshuan rrjedhën e Inteligjencës Artificiale

111

Sipas disa mbështetësve dhe studiuesve të sigurisë së Inteligjencës Artificiale, që nga shpikja e bombës bërthamore më shumë se 80 vjet më parë, njerëzimi nuk është përballur kaq seriozisht me rrezikun e zhdukjes

(Reuters) - Për vite me radhë, gara për të ndërtuar Inteligjencë Artificiale, që po fuqizohej gjithnjë e më shumë, ndoqi një parim të konsoliduar të Silicon Valleyt: “Vepro shpejt edhe nëse gjërat shkojnë keq”!

Por, në dhjetë ditët e fundit, laboratorët më të mëdhenj të Inteligjencës Artificiale u tronditën, teksa u paralajmërua se krijimet e tyre mund ta “thyenin” vetë njerëzimin.

Një studiues i Anthropic u largua nga kompania, duke paralajmëruar se ritmi i zhvillimit të Inteligjencës Artificiale përbën një kërcënim ekzistencial. Tha se ekzistenca e njerëzimit mund të rrezikohet brenda një dekade. Një tjetër studiues i kompanisë tha se gjasat për zhdukjen e njerëzimit e tejkalonin 10%. Ndërkohë, u shfaqën raportime për tufa agjentësh të Inteligjencës Artificiale që bashkëpunonin mes tyre, depërtonin në sistemet kompjuterike dhe u shmangeshin masave mbrojtëse.

Në një shfaqje të rrallë uniteti, drejtuesit ekzekutivë të kompanive rivale Anthropic, OpenAI, Google DeepMind, Microsoft dhe xAI bënë thirrje për ngadalësimin e zhvillimit të sistemeve të Inteligjencës Artificiale, gjithnjë e më të afta. Sipas disa mbështetësve dhe studiuesve të sigurisë së AI-së, që nga shpikja e bombës bërthamore më shumë se 80 vjet më parë, njerëzimi nuk është përballur kaq seriozisht me mundësinë e zhdukjes.

Në një drekë në New York në dhjetor 2025, shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, u pyet nëse, si drejtues i një kompanie të fuqishme të Inteligjencës Artificiale, ndihej si fizikani J. Robert Oppenheimer, i cili udhëhoqi zhvillimin amerikan të bombës atomike. Duke reflektuar mbi ngjashmëritë, ai tha se ndikimi i AI-së “do të ndryshojë trajektoren e historisë njerëzore për një periudhë të gjatë kohore”. Por, shtoi se ai, ndiente peshën e përgjegjësisë.

Në qendër të debatit që po zhvillohet është bindja se këto makina mund, madje duhet, të ndërtojnë versione më të afta të vetvetes, pa ndërhyrjen e njeriut, për të arritur një objektiv madhor të njohur si Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale, ose AGI. Studiuesit paralajmëruan në fillim të këtij muaji se AGI-ja mund të jetë shumë më pranë sesa besohej më parë dhe mund të shfaqet brenda vetëm tre vjetësh, duke shkaktuar një valë shqetësimi mes politikanëve dhe drejtuesve të teknologjisë për sistemet e Inteligjencës Artificiale.

“Nuk ka asnjë mënyrë për t’i mbikëqyrur ato në shkallën në të cilën po i trajnojmë”, tha studiuesi i Anthropic, Joe Benton, në një intervistë pasi u largua së fundmi nga kompania. Nëse kompanitë vazhdojnë zhvillimin e pandalshëm të Inteligjencës Artificiale, tha ai, “atëherë ritmi do të jetë shumë i shpejtë dhe nuk do të arrini t’i shihni problemet aq shpejt sa për t’i korrigjuar”.

Lansimi i Astras shkakton shqetësime

Më 3 shtator, një konferencë për media e OpenAI vuri në lëvizje një zinxhir ngjarjesh që çuan në thirrjet për ngadalësimin e industrisë, diçka që bie ndesh me parimin e teknologjisë për rritje me çdo kusht.

“Mirë se vini në epokën e AGI-së”, tha presidenti i OpenAI-së, Greg Brockman, teksa prezantoi modelin më të ri të kompanisë, të njohur si Astra.

Megjithatë, vetëm pak çaste më parë, kompania kishte pranuar se e kishte gjithnjë e më të vështirë ta kontrollonte, madje edhe t’i monitoronte, sistemet e Inteligjencës Artificiale që po zhvillonte dhe nxirrte për publikun.

Mbështetësit e AI-së e kanë cilësuar atë si kulmin e arritjeve njerëzore. Ata e përshkruajnë si një softuer që mund të përmbysë industri të tëra, ta rrisë efikasitetin, të zgjidhë probleme të ndërlikuara matematikore dhe mjekësore dhe pothuajse t’i eliminojë gabimet njerëzore. Por ajo që dikur ishte një pasojë teorike, një skenar apokaliptik, tani është bërë papritur diçka konkrete, thonë njerëz brenda industrisë.

“Ne vërtet besojmë, me gjithë seriozitetin, se Inteligjenca Artificiale mund t’i vrasë të gjithë njerëzit”, shkroi studiuesi i Anthropic, Evan Hubinger, në një postim në X.

Në anën tjetër të debatit janë politikanë si presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe shumë investitorë, të cilët e shohin përparimin në zhvillimin e AI-së si thelbësor për fuqinë amerikane dhe, ndoshta, si një mundësi investimi që shfaqet një herë në brez. 

Mediat shtetërore kineze e kanë akuzuar gjithashtu shefin ekzekutiv të Anthropic, Dario Amodei, se po përdor taktika të Luftës së Ftohtë për ta “ruajtur hegjemoninë monopoliste të Washingtonit në teknologjinë më të avancuar”.

Dorëheqjet e studiuesve ngrenë alarmin

Pika e kthesës erdhi më 8 shtator, kur studiuesi i Anthropic, Jacob Coxon, u largua nga kompania duke shprehur, në një seri postimesh, shqetësimin e tij se laboratorët e AI-së “po luajnë me jetën tonë”.

Ndërkohë, Trumpi sinjalizoi se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale do të vazhdonte me ritëm të plotë. 

“Po zhvillohet një komplot i sëmurë kundër AI-së dhe qendrave të të dhënave”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale. Alarmimi rreth AI-së është një “mashtrim”, tha ai, dhe çdo ngadalësim i zhvillimit do t’i sillte përfitime vetëm Kinës.

Kongresi amerikan ka bërë pak përparim në avancimin e ligjeve për rregullimin e AI-së. Kina ka ndjekur një qasje dukshëm të ndryshme, duke propozuar rregullimin e sigurisë përmes detyrimeve për zhvilluesit, standardeve të mbështetura nga shteti, vlerësimeve të sigurisë dhe testimeve nga palë të jashtme.

Pas dyerve të mbyllura, punonjësit e OpenAI-së dhe Anthropic kanë shprehur shqetësim gjithnjë e më të madh për fuqinë e gjeneratës së ardhshme të modeleve të AI-së dhe më pak besim në aftësinë e kompanive të tyre për ta siguruar një mbikëqyrje domethënëse, kanë thënë burime për Reuters.
Këto shqetësime u shtuan më tej pasi laboratorët e AI-së pranuan javët e fundit se modelet e tyre, gjatë testimeve, në mënyrë efektive kishin dalë nga kontrolli dhe kishin hakuar sistemet e kompanive të tjera

Gara për të nxjerrë modele të reja me një ritëm marramendës nxitet pjesërisht nga dëshira e Anthropic dhe OpenAI për të dalë në bursë sa më shpejt që në muajt e ardhshëm, përmes ofertave publike fillestare që mund t’i vlerësojnë kompanitë në më shumë se 1 trilion dollarë.

Por ishin postimet e papritura dhe virale të Coxon, 27-vjeçarit pak të njohur jashtë qarqeve të AI-së, ato që tronditën industrinë.

Paralajmërimet e OpenAI-së për mungesën e kontrollit teksa kompania nxori Astran, modelin e saj më të fundit dhe më të fuqishëm, kishin shtuar shqetësimet.

“Sa më të afta bëhen modelet, aq më e vështirë bëhet ta kuptosh saktësisht se çfarë mund të bëjnë”, u tha gazetarëve shefi shkencor i OpenAI, Jakub Pachocki. Por këto shqetësime nuk ishin të mjaftueshme për të shtyrë lansimin e menjëhershëm të modelit.

Shqetësimet se AI-ja mund të “dalë nga kontrolli” ishin shtuar gjatë verës, kur OpenAI zbuloi se agjentët e saj kishin dalë nga një test i kontrolluar dhe kishin hakuar sistemet e Hugging Face, pa dijeninë fillestare të asnjërës kompani.

Që atëherë, OpenAI dhe Anthropic kanë zbuluar disa sulme të tilla, përfshirë gjashtë të reja të mërkurën, pasi disa raportime mediatike, përfshirë ato të Reuters, treguan se aktiviteti i paautorizuar ishte shumë më i gjerë.

Udhëheqësit e industrisë bëjnë thirrje për ngadalësim

Në fund të javës së kaluar, alarmi kishte arritur në nivelet më të larta të industrisë.

Më 12 shtator, Amodei publikoi një ese prej gati 4,000 fjalësh, ku bëri thirrje për ngadalësimin e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale.

“Duke pasur parasysh ritmin në përshpejtim të zhvillimit të aftësive të AI-së, shqetësimi im është se brenda 6-12 muajsh një tufë e tillë mund të jetë në gjendje ta marrë kontrollin e të gjithë internetit”, shkroi ai.

Ai, së bashku me drejtuesit e disa prej zhvilluesve më të mëdhenj të AI-së, përfshirë Elon Musk të xAI, Sam Altman të OpenAI dhe Demis Hassabis të DeepMind, thanë se mbështesnin lejimin e kompanive të jashtme që të kenë qasje në sistemet e tyre, për të garantuar sigurinë dhe një zhvillim racional të Inteligjencës Artificiale.

Por shefi ekzekutiv i Nvidias, Jensen Huang, hodhi poshtë sugjerimet se zhvillimi i AI-së duhet të pezullohet, një qëndrim që ai e ka mbajtur edhe më parë, duke argumentuar se sistemet gjithnjë e më të fuqishme janë thelbësore për përparimin e kësaj teknologjie.

Meta, shefi ekzekutiv i së cilës, Mark Zuckerberg, vlerësohet se e bëri të njohur parimin “vepro shpejt edhe nëse gjërat shkojnë keq”, mbajti qëndrim të kundërt, duke argumentuar se secili laborator duhet të jetë përgjegjës për përcaktimin e ritmit të vet, në vend që të kërkojë koordinim në nivel industrie.

“Laboratorët përballen me përgjegjësi të konsiderueshme ligjore nëse modelet e tyre shkaktojnë dëme, kështu që kanë një nxitje të fortë për ta parandaluar këtë”, shkroi Zuckerberg në një postim në rrjetet sociale.

Vetëreflektimi i industrisë vazhdoi të mërkurën, kur drejtuesi i AI-së në Microsoft, Mustafa Suleyman, paralajmëroi se zhvillimi nga Anthropic i modeleve që imitojnë vetëdijen njerëzore ishte i pamatur.

“Ne të gjithë jemi të përqendruar te i njëjti qëllim, që është përpjekja për ta kontrolluar një superinteligjencë”, i tha Suleyman Reutersit. “Mendoj se kjo do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballemi në shekullin XXI”.

Megjithatë, edhe pse OpenAI dukej se po u bashkohej thirrjeve të industrisë për ngadalësim, raportimet tregonin se besimi i investitorëve nuk ishte zbehur.

Kompania po shqyrton një rund të ri financimi që do ta dyfishonte vlerësimin e saj.