Dje përfundoi një konferencë shkencore që lidhej me fushën time të studimit. Takova njerëz të mrekullueshëm, studiues të rinj e të vjetër, edhe pashë një vend të mrekullueshëm spanjoll. Por, pothuajse çdo mëngjes, pushime kafeje, drekë ose darkë, e përbashkëta e diskutimit ishte inteligjenca artificiale dhe arsimi. Shumica e pjesëmarrësve ishin mësimdhënës universitarë dhe për shumicën zhvillimi i hovshëm i inteligjencës artificiale ishte i frikshëm. Çka do të mësojnë studentët tanë? - Ishte pyetja kryesore.
Si kontekst, unë mbaj lëndën e Inteligjencës Artificiale në Universitetin e Prishtinës prej disa vitesh. Mburremi që librin me të cilin ligjërojmë e mësojmë, mësohet në mbi 1000 universitete botërore. Flasim për fillet e inteligjencës artificiale, metodat e mëvonshme e deri te rrjetet nervore artificiale si shtytës sot më të mëdhenj të inteligjencës artificiale. Në fund e përfundojmë semestrin me një ligjëratë, më shumë diskutim, mbi etikën. Një ndër çështjet që diskutojmë është e thëna e një shkencëtari amerikan, i cili thotë se nganjëherë duhet të pyesim edhe: Çka nëse bëhet? Jo vetëm, si do të bëhet, por çka nëse bëhet? Cilat janë pasojat për njerëzimin?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë këtë frymë zhvillohej edhe diskutimi në konferencë. Disa kishin më shumë pikëpamje utopike, disa distopike. Unë kam dëshirë të mendoj që jam optimist, dhe çdoherë merrja anë nga qasjet utopike: njerëzit bëjnë çfarë të duan, makinat punojnë për ne, ndahet pasuria te të gjithë. Në anën tjetër, qasjet distopike, dukeshin më reale: pasuria ndahet vetëm te disa, kush ka fuqi procesuese – super kompjuterë që kanë edhe fuqi mbi inteligjencën artificiale, ose njerëzit do të largohen nga procesi komplet sepse makina ka për qëllim optimizmin e njeriu duke mos ndihmuar më, e pengon atë.
Sidoqoftë, pothuajse çdokush kishte opinion mbi njërën ose mundësinë tjetër, por shumë pak prej nesh kishin opinion mbi atë se çfarë do të ndodhë me arsimin. Për shembull unë shpesh mendoj nëse ia vlen që të shpjegohet diçka që një agjent inteligjent do të mund të shpjegonte më mirë e në disa mënyra! Mund ta pyesësh që të shpjegojë në një nivel më të ulët, e pastaj duke ndërtuar mbi të, me shembuj, deri sa të kuptohet drejt. Por, edhe nëse kuptohet drejt, prapëseprapë mund ta bëjë atë ai vetë, shumë më shpejt!
Një ide interesante ishte që të mësojmë të rinjtë që të përgatiten për të ardhmen, jo për profesionin specifik. Një tjetër ishte që të krijohen agjentë individualë për secilin prej tyre, dhe roli i mësimdhënësit të jetë i mbikëqyrësit, ndihmësit ose moderatorit në diskutime. Por, ajo me të cilën të gjithë pajtoheshim ishte që në formatin ekzistues, nuk ka kuptim arsimimi. Studentët përdorin vegla për detyra, ne mundohemi t’i kufizojmë ato, por çështja e vërtetë nuk është nëse duhet t’i ndalojmë ose jo, por si t’i shfrytëzojmë për të mirën e përbashkët.
Arsimi çdoherë ka pasur për qëllim që të nxisë të menduarit kritik. Por, siç duket formati i sotëm nuk e përmbush më këtë qëllim. Ka qenë e kapshme në kohën kur nuk kishte shumë informata, dhe profesori kishte një libër të shkruar prej tij ose kolegëve të tij, ishte vetëm ai pjesëmarrës në konferenca, dhe ato i transmetonte te studentët. Të them të drejtën edhe këtu nuk besoj që të ketë pasur nxitje të të menduarit kritik, përderisa janë përshkruar informata në tabelë dhe studentët kanë shkruar. E për fat edhe më të keq, edhe sot ka profesorë të tillë që e bëjnë të njëjtën, edhe pse informatat janë shumëfish më të mëdha e më të shpejta!
Në anën tjetër, një ide e mendim që më pëlqen është përdorimi i inteligjencës artificiale për të gjetur “nishën” (fushë specifike interesi) tonë. Pse të mësojmë komplet një subjekt, kur mund të fokusohemi në një pjesë specifike, të hulumtojmë më thellë, e ndoshta edhe të bëjmë një zbulim, krijim të një ideje të re, të vlefshme për njerëzimin. E kemi rastin e studentes amerikane, të shkolluar në shtëpi, por që në moshën 17-vjeçare ka vazhduar për doktoratë, sepse ka gjetur një “nishë” të saj. Në një frymë të ngjashme, një studiues amerikan prezent në konferencë, kishte krijuar një algoritëm edhe më të shpejtë, duke u thelluar më shumë në atë fushë specifike, e duke përdorur inteligjenten artificiale për ta ndihmuar, edhe pse punonte diçka tjetër!
Për disa prej nesh, një gjë duket e sigurt. Arsimi duhet të ndryshojë rrënjësisht! Të shkruarit në tabelë, mësimi përmendësh i mësimeve për të kaluar testin, nuk na bëjnë kritikë! E ne si vend i vogël pa fuqi procesuese, na lënë edhe më mbrapa se tjerët. Një mundësi do të ishte të mësuarit si në kohën e Sokratit: pyetje, përgjigje dhe diskutime, nxitje debati, por tani me ndihmën e inteligjencës artificiale. Kjo ndoshta do të nxiste më shumë të menduarit kritik dhe do të shtynte studentët të analizojnë e krijojnë e jo vetëm të mbajnë në mend. Por, që kjo të ndodhë së pari duhet të ndryshojmë ne që ligjërojmë!
(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe ligjëron Inteligjencën Artificiale)