Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata refuzon kërkesën e Isufajt për masë të sigurisë ndaj vendimit për shkarkim si kryeprokuror

Blerim Isufaj (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Është refuzuar nga Gjykata Administrative kërkesa e Blerim Isufajt për të vendosur masë të sigurisë ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial për shkarkimin e tij nga pozita e kryeprokurorit të Speciales. Administrativja ka konstatuar se Isufaj nuk ka ofruar prova konkrete se pse duhet caktuar kjo masë

Gjykata Administrative ka marrë vendim për ta refuzuar kërkesën e Blerim Isufajt për caktimin e masës së sigurisë dhe pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e tij nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të siguruar nga KOHA, kjo gjykatë ka thënë se Isufaj nuk ka paraqitur prova bindëse se përse caktimi i masës së sigurisë është i domosdoshëm për të shmangur dëmin e pakthyeshëm ndaj interesave të tij e po ashtu ka konstatuar se nuk e cenon interesin publik, siç parashihet me Ligjin për Konflikt Administrativ.

“Rrjedhimisht, sipas vlerësimit të kësaj gjykate, paditësi me asnjë provë konkrete nuk ka arritur të argumentojë se në rastin konkret plotësohen në mënyrë kumulative dy kushtet e parapara në nenin 100. Par.1 tq LKA-së për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet nga Gjykata. 

Isufaj ka kërkuar që të urdhërohej KPK-ja që t’ia mundësojë të ushtrojë funksionin e mëparshëm të tij në mënyrë të papenguar dhe të mos shpallë konkurs ose të emërojë dikë tjetër në atë pozitë.

Sipas vendimit të siguruar nga KOHA, masa e sigurisë e kërkuar nga Isufaj ishte deri në vendosjen e formës së prerë për padinë.

Më 2 tetor 2026, Këshilli Prokurorial ka marrë vendim për shkarkimin e Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Shkarkimi i tij është bërë me pretendimin për keqmenaxhim të prokurorisë dhe për mospërmbushje të detyrave. Në vend të tij, si ushtrues detyre, është emëruar prokurori Dren Paca.