Ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, është i bindur se Agim Ademi nuk do të mbetet gjatë në krye të Federatës më të madhe në vend.
Salihu të dielën në emisionin sportiv të Kohavisionit, “Sporti Total”, ka paralajmëruar se punët nuk i kanë mirë as anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai ka kritikuar edhe ushtruesin e detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodajn. Sipas Salihut, Hodaj po e fut në kurth Komitetin Ekzekutiv.
Të enjten Komiteti Ekzekutiv i FFK-së vendosi që ta largojë Eroll Salihun nga puna në Federatë. Të njëjtën ditë ai u dënua edhe nga Komisioni Disiplinor i FFK-së, përkatësisht u pezullua për gjashtë muaj.
Salihu thotë se prapa vendimit për përjashtimin nga puna qëndron kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Salihu mbante së fundi pozitën e drejtorit sportiv të FFK-së dhe të këshilltarit të lartë ligjor. Ai thotë se ende i mban këto pozita.
“Dënohem nga një person që është i mbushur me plot skandale e që pak ditë më vonë ka gjykim. Është përballur në 12 vjet me gjykata, ku ka rrahje, skandale të tjera e inicime. Që 2-3 herë jam duke shkuar në Prokurori. Pikërisht para dy ditësh isha në organet hetuese për një çështje. Është turp për FFK-në që po mbahet peng nga një person. Nuk ia fali kurrë, që nga nënkryetari i parë Bakir Burri e deri te i fundit që e kanë bërë këtë hap të turpshëm. Për Komitetin Ekzekutiv do të dalin gjëra në ditët në vijim, sepse nuk i kanë bash punët mirë. Flamur Bunjaku është një person që ka punuar shumë, ka dhënë shumë materialisht dhe nuk është kursyer për asgjë”, ka thënë Salihu të dielën.
Ai insiston se vendimin për përjashtimin nga puna nuk e ka marrë ende, ndërsa zbulon se pagat i janë ndërprerë nga FFK-ja pos tij edhe Artan Govorit dhe Malazog Hoxhës.
Salihu ka qenë njëra prej figurave më të njohura të Federatës. Për kohë të gjatë ishte sekretar i përgjithshëm i FFK-së, ndërsa pas konfliktit të vazhdueshëm me Agim Ademin kaloi në pozitën e re.
Atij i vjen keq që në 6-vjetorin e pranimit në UEFA dhe FIFA merr letër nga Komiteti Ekzekutiv për largim nga puna. Insiston se prapa vendimeve qëndron kryetari aktual Ademi.
“Më 1 gusht e kam ndërruar pozitën, sepse e kam parë që është e pamundur të punohet me këtë person për të cilin ligji, rregullorja, statuti nuk kanë vlerë. Është mësuar dhe nuk e vret kokën. Pasi jam larguar është krijuar një trekëndësh vicioz, se nuk po dua ta quaj mafioz, i cili ka ardhur edhe me avancimin e këtij avokatit që është duke e futur në kurth Komitetin Ekzekutiv”, është shprehur Salihu.
I habitur për mosreagimin e Odës së Avokatëve
Salihu pretendon se Hodaj nuk është ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, por sekretar i përgjithshëm i Federatës.
Salihu thotë se incidenti i mëhershëm në Turqi ka lindur për shkak të Hodajt. Thotë se e kanë emëruar për t’i përfaqësuar në konteste.
“Agimi ka dashur që ta bëj shef të shërbimit ligjor dhe pikërisht këtu, nëse ju kujtohet, ka ndodhur incidenti në Turqi vetëm se i thashë që nuk mund ta caktosh ti, pasi për të caktuar jam unë. Nuk mundet avokati të kryejë punën, është konflikt interesi. Për habi Oda e Avokatëve është duke heshtur, nuk e kuptoj këtë. Tash ky person bëhet shef i shërbimit ligjor dhe pasi të dalë unë bëhet edhe sekretar gjeneral, sepse vetëm afati kohor e përcakton atë ushtrues detyre. Ai është sekretar gjeneral. Pos atyre, kryen edhe punë private të Agim Ademit. Pra, katër vende pune i ka. Tash ky person në momentin që është bërë sekretar është dashur që menjëherë firma e tij të japë dorëheqje nga puna, pra të shkëpusë kontratën me FFK-në. Jo konflikt, por keqpërdorim i rëndë zyrtar i Taulant Hodajt që firma e vet sa është sekretar gjeneral, punon ende për FFK-në”, thotë Salihu, duke shtuar se Hodaj ka autorizuar pa të drejtë kryetarin Ademi të nënshkruajë të gjitha dokumentacionet e FFK-së.
“Taulant Hodaj e ka autorizuar kryetarin. Ku mundet sekretari ta autorizojë kryetarin? Pra, e ka autorizuar që të nënshkruhet i vetëm kryetari. Kjo i bie sikur Vjosa Osmani të nënshkruhet për kryeministrin. I bie e njëjta. Taulanti ka thënë se nuk dua t'i nënshkruaj dallaveret, ashtu kam dëgjuar. Pra, je sekretar, nuk po nënshkruhesh, por po e fut në kurth Komitetin Ekzekutiv”, ka vazhduar Salihu.
Salihu thotë se e ka ditur që dalja publike e tij do të ketë pasoja. Por ai thotë se nuk kanë bazë vendimet e Komisionit të Garave dhe të Komisionit Disiplinor.
“Janë thirrur në nene që nuk kanë lidhje, sepse ky avokati ua kishte shkruar, e vërejta nga mënyra e shkrimit. Por ky avokati duhet të kuptojë që ka mungesë të dijes për juridikaturë sportive. Nuk mundet një punëtor i administratës, sidomos një zyrtar i lartë, të dënohet me rregullore disiplinore. Tash më kanë dënuar 6 muaj. Cila është logjika. Unë futboll nuk luaj më. Pos kësaj e ka parë kryetari që diçka nuk është në rregull dhe ka thirrur anëtarët e KE-së dhe u ka thënë se ja, ky jam unë. Nuk dihet kush dhe sa kanë votuar, sepse unë sërish nuk kam vendim”.
Salihu: Hapja e rrugës për korrupsion masi
Salihu është i bindur se periudhës së Agim Ademit në krye të FFK-së i ka ardhur fundi.
“Unë mendoj që këtij Agim Ademit i ka ardhur fundi. Nuk po kuptoj se kush po qëndron prapa tij. Na e dimë që ky nuk zgjedh mjet, ndoshta që nga presidentja mendon gjithë natën për t'i gjetur njerëz. Agim Ademi nënshkruan vetë transaksionet financiare. Kur i zgjedh kush do të punojë, i zgjedh vetë, vetëm i sjell tri oferta. Kjo është tmerr. Kjo pra është hapje e rrugës për korrupsion masiv, nuk po them që po e bëjnë, sepse nuk kam qasje si përpara. Po të kisha si më herët do të tregoja, por e di që duhet hetuar në mënyrë intensive kjo çështje”, është shprehur ai.
Salihu thotë se një pjesë të fajit që Ademi është ende në krye të shtëpisë së futbollit të Kosovës e ka edhe ai vetë.
“Ndihem fajtor që nuk kam bërë më shumë për ta larguar këtë person në momentin e parë kur i ka dalë aktakuza, sepse i kam thënë Komitetit Ekzekutiv të FFK-së se do të na marrë në qafë gjithë shtetin. Edhe sot po shkruhen lajme ndërkombëtare. Kam dëgjuar që edhe ambasadat e huaja janë të interesuara. E ndiej veten fajtor që nuk kam qenë më këmbëngulës edhe pse Komiteti Ekzekutiv është ai që e mbron ligjshmërinë. Por nuk e kuptoj si mund të shkojë kaq larg”, ka deklaruar Salihu, dikur bashkëpunëtori më i afërt i Ademit, por edhe i Fadil Vokrrit.
Salihu i është kthyer sërish çështjes së tij duke theksuar se do të ankohet në gjykatë për largim nga puna.
“Kam kontratë të përhershme dhe sigurisht se do të ankohem në gjykatë. Por nuk besoj që do t'i shkoj larg. I vjen gjykimi tash dhe këtë udhëzimin administrativ nuk e di se kush po e ndal. Kam dëgjuar që po bëhet presion nga të gjitha anët që të ndalojnë këtë rregullore për licencimin dhe rilicencimin dhe që ia pamundëson me automatizëm qëndrimin në krye të FFK-së. 12 vjet njeriu i akuzuar të mbetet ende në pozitë. Kurrfarë morali dhe përgjegjësie nuk ka”, ka deklaruar Salihu.
Salihu: Sa kam dëgjuar, Ademi ka ofruar dorëheqje në takim me ministrin
Salihu nuk është i habitur vetëm me Odën e Avokatëve. Ai thotë se për habi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e ka publikuar ende Udhëzimin Administrativ për licencimin dhe rilicencimin e federatave sportive. Në Udhëzimin Administrativ ka shumë kritere që duhet plotësuar federatat për të marrë licencën për të ushtruar veprimtarinë në vend.
Në njërin nen thuhet se asnjë person me aktakuzë nuk mund të jetë në drejtim të Federatës.
Por Salihu thotë se Ademi e ka luajtur “të fortin” edhe përballë shtetit.
“Nuk e di se a prej Presidencës apo Kryeministrisë ka ardhur dikush i shërbimit ligjor se gjoja kjo është e paraparë diku. Po nëse është e paraparë, pse e keni lënë deri tash. Nuk është e paraparë, sepse unë kam qenë vetë një ndër hartuesit e ligjit mbi lirimin e asocimit në OJQ, një ndër hartuesit e Ligjit për sport, në Këshill iniciues për Ligjin për sponsorim. Nuk shkruan askund dhe duhet të përcaktohet dhe t'i largoj ashtu siç i ka hije një institucioni sportiv. Këta po e frikësojnë opinionin se gjoja UEFA dhe FIFA do të na dënojnë se po përzihesh te Federata. Por, përkundrazi, te FIFA dhe UEFA e humbim imazhin që e kemi krijuar me mund, presidenti Vokrri dhe ne të tjerët. E prish nëse nuk e zbaton ligjin, nëse i lë njerëzit me të kaluar të pashembullt penale”, ka thënë Salihu.
Ai pretendon se kryetari i FFK-së, Ademi, ka pasur takim me ministrin Hajrulla Çeku.
“E di që ka pasur edhe takim me ministrin, sepse ky gjen mundësitë për t'u takuar, bile me sa kam dëgjuar kishte ofruar dorëheqjen. Ai nuk jep dorëheqje kurrë. Ky edhe atë ditë kur është rrahur me doktorë, ky skandale ka çdo ditë që katër vjet, erdhi në zyre kur e kishte ditëlindjen. Pesë pare nuk i dha. Tha unë vetëm i vdekur dal nga kjo federatë. Mendoj se MKRS-ja e ka dhënë mendimin e vet që ky kuvend është i jashtëligjshëm, por është frikësuar që të mos hyjë më dhe hyrja në fuqi e këtij udhëzimi i jep fuqi, legjitimimet të asaj që ka thënë ministri”, ka thënë Salihu, i cili ka besim se do të kthehet të punojë sërish në FFK. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të jetë në të ardhmen edhe kandidat për kryetar.
“Besoj se do të kthehem, por në çfarë posti nuk e di. Gabimi im ka qenë që pas vdekjes së Fadilit nuk jam kandiduar për kryetar. E kam pasur përkrahjen. Edhe Agim Ademi kur ka pasur probleme kam pasur mbi 50 delegatë. Ekziston mundësia të kandidoj për kryetar. Do të ishte puna e parë që një person mund të mbetet vetëm dy mandate president”, ka thënë Salihu.
Agim Ademi ka kohë që nuk flet për KOHËN dhe për akuzat publike që bëhen ndaj tij. KOHA, përmes zyrës për shtyp të FFK-së, ka kërkuar qëndrim të Agim Ademit edhe këtë javë. Por nuk ka marrë përgjigje.