Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

11-vjeçarja shqiptare që synon majën e baletit botëror

Në mesin e mijëra fëmijëve që ëndërrojnë të ngjiten në skenat më të mëdha të baletit, një emër shqiptar po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje.

Është vetëm 11 vjeçe por lëvizjet e saj janë mahnitëse.

Leandra Agushi, e lindur në Zvicër dhe me prejardhje nga fshati Smirë i Vitisë, po ndërton rrugëtimin e saj si balerinë me hapa të sigurt.

Për të, baleti është pjesë e përditshmërisë së saj.

Orë të gjata stërvitjesh dhe shumë sakrifica e kanë sjellë deri në arenën më të madhe ndërkombëtare të vallëzimit.

“Unë e kam emrin Leandra Agushi, unë i kam 11 vjet. Unë jam nga Smira e Vitisë dhe në Zvicër në Aura”, thekson ajo.

Edhe Dy volejbollistet shqiptare që po korrin suksese në Zvicër SOT Dy volejbollistet shqiptare që po korrin suksese në Zvicër

Pas një paraqitjeje të suksesshme në garën prestigjioze Dance World Cup, e zhvilluar në Dublin të Irlandës, Leandra arriti të sigurojë kualifikimin në World Finals 2027, finalen e madhe që do të mbahet nga 29 qershori deri më 9 korrik në Lisbonë të Portugalisë.

Në këtë ngjarje marrin pjesë mijëra valltarë nga dhjetëra shtete të botës.

Në skenë, Leandra përfaqëson Zvicrën, por me krenari mban gjallë edhe prejardhjen e saj shqiptare.

Ajo është vajza e Leotrim Agushit dhe mbesa e rekordmenit të njohur botëror Agim Agushi.

Lidhjen me Kosovën nuk e ka humbur asnjëherë. Çdo verë kthehet në Smirë të Vitisë, vendlindjen e babait, ku kalon pushimet pranë familjarëve dhe ruan lidhjen me rrënjët e saj.

Edhe “Për ty babë” - rrëfimi i Berishajt, sportistja më e mirë në Malin e Zi Luftarake “Për ty babë” - rrëfimi i Berishajt, sportistja më e mirë në Malin e Zi

Pas çdo medaljeje dhe duartrokitjeje qëndron edhe mbështetja e familjes. Babai i saj, Leotrim Agushi, ka qenë pranë saj në çdo provë, në çdo garë dhe në çdo sfidë. Ai tregon se pasioni i Leandrës për baletin u shfaq që në moshë shumë të vogël dhe se talenti i saj është zhvilluar falë punës së palodhur dhe përkrahjes së vazhdueshme.

Megjithëse është ende fëmijë, Leandra tashmë ka nisur përgatitjet intensive për finalen në Lisbonë. Synimi i saj është të konkurrojë denjësisht mes balerinëve më të mirë të botës dhe të vazhdojë të ngjitet edhe më lart në karrierën artistike.