Luftarake

“Për ty babë” - rrëfimi i Berishajt, sportistja më e mirë në Malin e Zi

Andrea Berishaj

Të shpallesh sportistja më e mirë e një qyteti apo e një federate është mburrje e madhe. Por të shpallesh më e mira e një shteti, madje me sport goxha të zhvilluar, është e veçantë.

Dhe 18-vjeçarja Andrea Berishaj është zyrtarisht sportistja më e mirë e Malit të Zi për vitin 2025. Është hera e parë që një shqiptare shpallet sportistja më e mirë e vitit në Malin e Zi. Ajo u shpall më e mira nga Komiteti Olimpik i Malit të Zi.

Berishaj merret me taekwondo dhe kishte tri rezultate kulmore gjatë vitit 2025.

“Nëse dikush do të më thoshte në fillim të vitit se do të shpallem sportistja më e mirë në Mal të Zi, do të qeshja sikur të thoshte ndonjë humor të mirë. Mirëpo gjatë vitit vazhdimisht nëpër garat ndërkombëtare G1, të vlefshme për renditje botërore, kam pasur rezultate të mira. Fitova medalje të artë në turneun G1 në Zvicër dhe fillova të fitoja vetëbesim”, ka thënë Andrea Berishaj në një bisedë për KOHËN.

Në tetor ajo mori pjesë në Botërorin e të rriturave dhe u rendit e nënta. Ai rezultat e motivoi edhe më shumë.

“Mezi prita që të marr pjesë në Kampionatin Evropian për seniorë në Zvicër, duke shpresuar se kësaj here mund të arrij deri te medalja. Dhe kështu edhe ndodhi, arrita në gjysmëfinale dhe fitova medalje të bronztë. Ishte realizim i ëndrrës dhe kalim i presionit që e kisha. Më e qetë i prita garat e radhës, por sërish me vullnet dhe dëshirë që të jap maksimumin. Erdhën edhe dy suksese madhështore. Fillimisht në Keni u rendita e treta në Botërorin U21 e më pas në Prishtinë fitova tjetër medalje të bronztë në Evropianin U21. Këto suksese erdhën pas shumë sakrificave dhe punës së madhe shumëvjeçare, duke derdhur gjak e djersë. Dhe pas këtyre sukseseve kam pritur që të shpallem më e mira”, ka pranuar Berishaj.

Familja Berishaj është nga Malësia, ndërsa jeton në Tuz. Në qytetin shqiptar në Mal të Zi edhe kanë nisur karrierën motrat Berishaj. Fillimisht ishin te klubi Besa, ndërsa tani janë në një klub nga Podgorica.

Andrea nuk është e madhja nga motrat. Para saj me taekwondo nisi Angjela Berishaj, që po ashtu kishte suksese kulmore. Në vitin 2022 ishte sportistja e re më e mirë në Malin e Zi, falë vendit të dytë në botë për juniore. Por Angjela ka pësuar një lëndim të rëndë të gjurit dhe është duke e sanuar atë.

Andrea Berishaj është e kënaqur me sukseset e deritashme. Por thotë se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit.

“Nuk dëshiroj që të ndalem këtu. Qëllimi im është që të vazhdoj me punë edhe në të ardhmen. E di që duhen shumë punë, sakrificë, djersë. Shpresoj që nga fillimi i vitit 2026 do të më bashkohet edhe motra, Angjela, e cila ishte idoli im. Ajo e hapi rrugën e sukseseve duke u shpallur nënkampione botërore për juniore. Fatkeqësisht ajo vitin e kaluar pati një lëndim të rëndë dhe tani është në rrugën drejt kthimit. Ajo tregon vullnet të jashtëzakonshëm që të kthehet aty ku e ka vendin, në elitën botërore të taekwondos. Vullneti i saj më jep fuqi edhe mua. Më shtyn përpara. E pres momentin kur së bashku do të sulmojmë nivelet më të larta të sportit. Edhe motra e vogël, Adriana, po e nis rrugën e saj në konkurrencën e junioreve”, ka treguar Andrea Berishaj.

Motrat Berishaj e kanë përkrahjen maksimale të familjes, përkatësisht të prindërve. Edhe shpenzimet, që nuk janë të vogla, deri më tani kryesisht janë mbuluar nga familja.

Andrea tregon se në Evropianin U21 në Prishtinë ka kaluar shumë mirë. Ajo ka bashkëpunim me disa prej taekwondistëve të Kosovës, ndërsa thotë se Evropiani u organizua shumë mirë.

Garuesja e re ndien se taekwondoja nuk e ka respektin që si sport olimpik e meriton në opinionin sportiv. Por shpreson se kjo do të ndryshojë ndërkohë.

Pos në tatami, Andrea dallohet edhe në shkollë. Ka treguar që është nxënëse e shkëlqyer në vitin e katërt në gjimnaz, ndërsa pos taekwondos, planifikon të vazhdojë edhe shkollimin.

Lojërat olimpike “Los Angeles 2028” janë synim për shumicën e sportistëve në botë.

“Po, do t’i shihni motrat Berisha në lojërat olimpike “LA 2028”. Është rruga jonë të cilën duam ta shkelim. I lutem Zotit të kemi shëndetin, të na ruajë nga lëndimet, kurse puna, sakrifica, djersa, gjaku nuk do të mungojnë”, ka premtuar Berishaj.

Ajo thotë se është ndjenjë e mirë të jesh pjesë e një familjeje me plot taekwondistë. Garat, sfidat, pajisjet, stërvitjet, kundërshtaret janë temë e përditshme në familjen Berishaj.

“Mendoj se Tuzi dhe e gjithë Malësia krenohen me sukseset tona. Ndoshta në fillim në raste edhe nuk na morën shumë seriozisht, mirëpo kur filluan sukseset në nivel evropian e botëror atëherë të gjithë e kuptuan se sukseset tona kanë kuptim më të madh. Malësia ndoshta është e vogël, por gjithnjë në histori ka qenë e madhe. Djemtë dhe vajzat e Malësisë me krenari e rrisin emrin e regjionit nëpër botë. Besoj që edhe çdo fitore e jona i bënë bashkëvendasit tanë krenarë me ne”.

Babai i motrave Berishaj e shfaq me krenari një brez të taekwondos, ku shkruan “për ty babë!”. Andrea e ka edhe një tatuazh në dorë me këtë shkrim.

“Shkrimi ‘për ty babë!’ në brezin tim i kushtohet gjyshit tim, të cilin ne motrat dhe vëllai i vogël, e kemi thirrë ‘babë’. Ai ndërroi jetë para dy vjetësh. Ai është kujdesur shumë që të na ruajë neve si fëmijë dhe na ka ofruar dashuri të madhe në çdo hap të fëmijërisë sonë. Çdo përqafim i tij, çdo buzëqeshje, çdo fjalë me plot ngrohtësi, na rriti dhe na drejtoi në jetë. U kujdes që të mos na mungonte asgjë. Çdo fitore e jona është për ta nderuar emrin e tij. ‘Për ty babë!’, e shkrova vjet para fillimit të luftës finale në Grand Prix, që ishte më e madhja deri atëherë. Fitova dhe fitoren ia kushtova gjyshit të ndjerë. Më vonë këtë fjali e bëra tatuazh në dorë, që të mos e harroj kurrë se kush jam dhe mbesa e kujt jam. Ne mbesat e Nikollë Dokë Berishajt do të jemi në Lojërat Olimpike. Dhe ne do të luftojmë në skenën më të madhe për të”, ka thënë sportistja më e mirë e Malit të Zi.