Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gusia: Komunat nuk po e zbatojnë rregulloren për koordinimin e rasteve të dhunës ndaj grave

Edi Gusia

Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ), Edi Gusia gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ka folur për kompetencat e institucionit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, masat ligjore për mbrojtjen e grave dhe përgjegjësitë e institucioneve, pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Ajo ka theksuar se mekanizmat koordinues në nivel lokal nuk po funksionojnë siç duhet dhe se takimet e tyre janë pothuajse inekzistente, raporton Ekonomia Online.

Duke folur para anëtarëve të komisionit, kryeshefja ekzekutive e ABGJ-së ka sqaruar se institucioni që ajo drejton nuk ka mandat ligjor për t’i trajtuar drejtpërdrejt rastet individuale të dhunës në familje apo të diskriminimit, duke theksuar se përgjegjësitë institucionale janë të ndara me ligj.

“Unë do të ndajë këtu me ju, për atë sot ju keni nevojë të merrni opinionin e agjencisë në lidhje me këtë çështje, edhe pse ne duhet ta sqarojmë, Agjencia për Barazi Gjinore, në bazë të Ligjit për Barazi Gjinore, nuk ka mandat t’i trajtojë rastet, qoftë të dhunës në familje apo rastet e diskriminimit. Domethënë, korniza ligjore e Republikës së Kosovës i ka mandatet shumë të qarta sa i përket barazisë gjinore. Është komisioni në Kuvend, është agjencia si agjenci ekzekutive, politikë-hartuese dhe monitoruese, dhe është institucioni i Avokatit të Popullit, i cili merret me trajtimin e rasteve të diskriminimit bazuar në gjini në përgjithësi. Do të thotë, kompetencat janë shumë të ndara, janë të ndara mirë”, ka thënë ajo.

Kryeshefja ekzekutive e ABGJ-së ka përmendur punën e institucionit në hartimin e kornizës ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje, duke theksuar se agjencia ka hartuar ligjin e parë për këtë çështje në vitin 2010, si dhe procedurat standarde të veprimit për trajtimin e rasteve.

“Sa i përket angazhimit të Agjencisë për Barazi Gjinore në përgjithësi në hartimin e kornizës ligjore, vlen të theksohet se agjencia ka hartuar ligjin e parë për mbrojtjen nga dhuna në familje në vitin 2010, kur, të themi, ndoshta asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kishte ligj për mbrojtjen nga dhuna në familje. Jemi hartues të procedurave standarde të veprimit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ku përshkruhen detyrat dhe përgjegjësitë e gjithë zinxhirit institucional. Ato procedura ende vazhdojnë të jenë në fuqi. Këtë vit i kemi rishikuar këto procedura dhe mbetet që ato të miratohen nga koordinatorja nacionale, Ministria e Drejtësisë”, ka deklaruar Gusia.

Ajo ka rikujtuar gjithashtu se në vitin 2013, ABGJ-ja i kishte propozuar Qeverisë themelimin e mekanizmit të koordinatorit nacional, me qëllim të forcimit të koordinimit institucional për trajtimin e çështjeve që lidhen me barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave.

“Vlen të theksohet se në vitin 2013 ishte pikërisht Agjencia për Barazi Gjinore që i propozoi Qeverisë themelimin e një mekanizmi si koordinatorja ose koordinatori nacional dhe që ne insistuam që ajo detyrë t’i jepej një personi me mandat politik, pasi që Agjencia për Barazi Gjinore, me Ligjin për Barazi Gjinore, udhëhiqet nga shërbimi civil. Do të thotë, titullari i agjencisë është shërbyes civil, i cili i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit. Është një lloj, të themi, institucioni i pavarur, i rekomanduar prej Platformës së Pekinit të vitit 1995, ku insistohet që të kemi një mekanizëm të tillë të pavarur, por që llogaritet një në katër krahas politikës”, ka thënë kryeshefja ekzekutive e ABGJ-së.

Duke folur për bashkëpunimin ndërinstitucional, ajo ka thënë se ABGJ-ja ka punuar ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë në rishikimin e legjislacionit për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.

“Ashtu siç e cekët, ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë në rishikimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Bazë Gjinore. Dhe ndër këto vite kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë në hartimin e gjithë kornizës ligjore dhe akteve nënligjore sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Vlen të theksohet se Ministria e Drejtësisë, në katër vitet e fundit, ka amendamentuar, ka plotësuar, ka ndryshuar dhe ka hartuar 22 akte normative, ligje, akte nënligjore dhe rregullore sa i përket trajtimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”, ka deklaruar ajo.

Kryeshefja ekzekutive ka folur edhe për trajnimet e Policisë së Kosovës për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke thënë se agjencia ka trajnuar rreth 11 mijë e 300 policë që nga hyrja në fuqi e procedurave standarde të veprimit në vitin 2013.

Megjithatë, ajo ka theksuar se kapacitetet e kufizuara njerëzore të agjencisë e vështirësojnë zgjerimin e këtyre trajnimeve.

“Tani, nëse kthehemi specifikisht te mandati i agjencisë, thashë, ndër vite ne trajnojmë Policinë e Republikës së Kosovës për aq sa kemi kapacitete. Divizioni për Legjislacion në agjenci, që ju udhëheq këto trajnime, ka një staf minimal prej vetëm tre personash, i cili ndër vite nuk është rritur. Dhe nëse i shohim, nga hyrja në fuqi e procedurave standarde të veprimit në vitin 2013, Agjencia për Barazi Gjinore ka trajnuar diku rreth 11 mijë e 300 policë të Republikës së Kosovës. Ky nuk është numër i mjaftueshëm, por prapë po e them, me numrin e stafit të cilin ne e kemi në dispozicion, këto janë kapacitetet e agjencisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka vënë në pah edhe përgjegjësitë e komunave për funksionimin e mekanizmave koordinues, të cilët duhet të mbledhin institucionet përgjegjëse për të diskutuar rastet e dhunës ndaj grave.

“Në anën tjetër, kemi trajnuar edhe mekanizmat koordinues në nivel lokal, sepse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësi të themelojnë mekanizmin koordinues në bazë të rregullores të cilën e ka hartuar Ministria e Drejtësisë, dhe kryesuesi i mekanizmit koordinues është kryetari i komunës. Po ndalem veç pak për ta sjellë vëmendjen tuaj se pse është i rëndësishëm ky mekanizëm koordinues, sepse ka obligim që së paku tri herë në vit, çdo kryetar i komunës të ftojë drejtorin e QPS-së, drejtorinë për shëndetësi, drejtorin e stacionit të policisë, gjykatën themelore dhe prokurorinë, mbrojtësit e viktimave, ndihmën juridike falas në komunën në të cilën ai apo ajo e udhëheq, dhe të informohet saktësisht për të gjitha rastet e dhunës ndaj grave që i ka në komunën e vet. Këto raste ka një moszbatim të kësaj rregulloreje. Nëse ju si komision parlamentar u adresoheni 38 kryetarëve të komunave se sa herë e kanë ftuar mekanizmin koordinues, do ta shihni që takimet janë gati se inekzistente”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur për financimin e strehimoreve për viktimat e dhunës, duke thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë 1.5 milion euro për dhjetë strehimoret në Kosovë. Sipas saj, edhe komunat kanë obligim të kontribuojnë në financimin e tyre.

“Në anën tjetër, strehimoret kanë një financim të qëndrueshëm. Do të thotë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka disbursuar 1.5 milion euro për dhjetë strehimoret e Republikës së Kosovës, njëra nga të cilat është strehimore për trafikim me qenie njerëzore, të cilën e udhëheq Qeveria, ndërsa nëntë të tjerat janë organizata të shoqërisë civile. Po, në anën tjetër, komunat kanë përgjegjësi që të financojnë. Normalisht, është e pamundur që 38 komunat të kenë secila nga një strehimore, sepse nuk ka mjete buxhetore, mirëpo komunat kanë për obligim t’i financojnë strehimoret në të cilat, domethënë, strehohen viktimat e rajonit. A e bëjnë të gjitha komunat këtë? Jo. Dikush financon, dikush nuk financon, por kjo është përtej kompetencave tona. Kjo është një pyetje që ndoshta është dashur të zgjidhet nëpërmjet Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të shihet cilat janë ato komuna të cilat nuk i financojnë strehimoret”, tha tutje ajo. /EO

Vrasja e Arlinda Zekajt, Gusia: Atë ditë s’është bërë si duhet vlerësimi i rrezikut

1 min. më parë / 28 tet 2026 13:13
komisioni

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione ka diskutuar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, ku janë ngritur shqetësime për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, vlerësimin e rrezikut dhe funksionimin e Qendrave për Punë Sociale, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha, rekomandoi themelimin e një komisioni hetimor për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Në mbledhje, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ), Edi Gusia, tha se agjencia nuk ka mandat për t’i trajtuar drejtpërdrejt rastet e dhunës, por ka rol në hartimin e legjislacionit, instrumenteve përkatëse dhe në vetëdijesimin e shoqërisë.

“E thashë në fillim, vetëm për sqarim, Agjencia nuk ka mandat t’i trajtojë rastet e dhunës, por kjo nuk është që nuk na jep mandat me punu në hartimin e legjislacionit, të instrumenteve, të vetëdijesimit. Për këto i pata në prezantimin tim çka kemi punuar në vetëdijesim dhe çka kemi punuar në ngritje të kapaciteteve”, tha Gusia.

Ajo foli edhe për rëndësinë e edukimit të hershëm në parandalimin e stereotipeve gjinore, duke përmendur manualin e hartuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në vitin 2019 për Ministrinë e Arsimit, i cili synon parandalimin e stereotipeve gjinore në tekstet shkollore.

“Ne, që prej vitit 2019, kemi një manual për Ministrinë e Arsimit, për parandalimin e stereotipeve gjinore në tekstet shkollore, i cili është hartuar për recensentët e teksteve shkollore që pikërisht i fillojnë këto tema të diskutimit në tekste shkollore. Manuali diku gjen përdorim më të duhur, diku pak më pak. Shpeshherë edhe recensentët veprojnë edhe me kokën e tyre. Nuk po arsyetoj, por është e vërtetë që Ministria e Arsimit duhet me qenë më strikte në kuptimin e monitorimit se si këta recensentë e përdorin këtë manual, pikërisht për t’i brumos fëmijët me vlerat e barazisë gjinore”, deklaroi ajo.

Duke folur për rastin e Arlinda Zekajt, Gusia theksoi se Agjencia nuk ka qasje në dokumentet zyrtare dhe se informacionet i ka siguruar nga raportimet në media. Megjithatë, ajo i cilësoi shqetësuese rrethanat e raportuara, veçanërisht mënyrën e vlerësimit të rrezikut dhe vendimet që lidhen me sigurinë e viktimës.

“Tash, informacionet për rastin ne nuk i kemi, sepse nuk kemi qasje në dokumentet zyrtare. I gjithë informacioni i agjencisë është në bazë të asaj çka kemi parë në media. Për neve si agjenci është shumë shqetësuese ajo çka kemi informacion. Për atë çka kemi informacion prej mediave, është shqetësues fakti që fëmija i mitur fillimisht i është dhënë babait të dhunës dhe pastaj, ndërkohë, QPS-ja ka ndërruar vendim dhe ia ka dhënë nënës fëmijën”, tha Gusia.

Ajo ngriti dyshime se vlerësimi i rrezikut nuk ishte bërë në mënyrë të mjaftueshme, bazuar në informacionet e publikuara, duke përmendur praninë në shtëpi të kunatit të viktimës, për të cilin tha se kishte 11 vepra penale.

“Për neve, vlerësimi i rrezikut, që është borxh i situatës, nuk ka qenë aq sa mjaftueshëm, së paku prej formularit që ekziston në procedurat standarde të veprimit. Ne mendojmë që atë ditë nuk është bërë si duhet vlerësimi i rrezikut në momentin kur gruaja është kthyer në shtëpi, në të cilën ka qenë kunati i saj me 11 vepra penale, për më tepër që ai nuk ka jetuar në atë bashkësi familjare. Do të thotë, ai është sjellë pikërisht në shtëpi për t’i bërë presion gruas që të mos qëndrojë në shtëpinë e saj”, deklaroi Gusia.

Sipas saj, në një rast të tillë duhej të shqyrtohej edhe përfshirja e anëtarëve të tjerë të familjes në urdhrin mbrojtës.

“Pa qasje në dokumente zyrtare, çka kemi parë në media, ky është dështimi i parë, sepse kur bëhet vlerësimi i rrezikut, kur të shikohet urdhri mbrojtës apo kur policia i kërkon prokurorisë që ta adresojë çështjen e urdhrit të mbrojtjes te gjykatat, bëhet vlerësimi i rrezikut, nëse gruaja, viktima, rrezikohet edhe nga anëtarët e tjerë të familjes. Do të thotë, në këtë rast është dashur me pasë një urdhër mbrojtës edhe ndaj kunatit, që mos me guxuar as kunati me qëndruar në atë shtëpi, po besa edhe vjehrra”, tha ajo.

Gusia theksoi se këto vlerësime i ka bërë duke u bazuar në informacionet e publikuara në media dhe pa pasur qasje në dokumentacionin zyrtar të rastit. 

Anëtarja e Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, kritikoi funksionimin e Qendrave për Punë Sociale, duke ngritur shqetësime për sigurinë në këto institucione dhe mungesën e përmirësimeve në trajtimin e rasteve të dhunës ndër vite.

“Pjesa tjetër e QPS-së, vij prej një qyteti që ka vdekur në QPS, është vrarë. Siguria në QPS është minimale. Domethënë, në QPS hyn kushdo që i teket, shkurt kështu. Edhe pastaj profilizimi i dhunuesve është në mangësi të madhe në QPS”, tha Ymeri.Ajo theksoi se përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’i atribuohet vetëm një qeverie, duke argumentuar se, sipas saj, nuk ka pasur përmirësime të mjaftueshme në numrin e vrasjeve gjatë viteve.

“Tash, që të mos mendosh që e kam bërë çështje politike partiake, sepse numrat janë të njëjtë në të gjitha qeveritë e mundshme. Rrafsh 26 vjet, asnjë qeveri, asnjë! Nuk ka pasur përmirësim në numër të vrasjeve. Çka unë duhet me thënë, me ik rasti për mos me analizu na?”, deklaroi ajo.

Ymeri ngriti gjithashtu çështjen e kornizës ligjore dhe zbatimit të saj, duke vënë në pikëpyetje faktin se gratë që përjetojnë dhunë shpesh detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, edhe kur janë bashkëpronare të tyre.

“Si është e mundur që ne kemi një kornizë legjislative edhe zbatuese, ku ajo që dhunohet, duhet me dalë? Duhet me dalë me gjithë fëmijë. Po flas për shtëpinë që e ka edhe vetë bashkëpronare, e para, duhet me dalë, edhe e dyta, mbas disa muajve nuk ka kush këtë. Këtë pyetje ia kanë bërë gjithë qeverisë, dje e ka bërë edhe gazetarja, ia ka bërë kryeministrit”, tha Ymeri.

Ajo shtoi se institucionet duhet të analizojnë arsyet pse, pavarësisht kornizës ligjore, gratë mbeten të pambështetura në situata të tilla.

“Domethënë, si është e mundur që për 27 vjet, ne e kemi lënë gruan në dorë të komunës, në dorë të QPS-së, asaj, kësaj, edhe ka mbetur ku ka mbetur. Tash kjo është realiteti”, u shpreh Ymeri.

Duke iu përgjigjur çështjes së largimit të viktimave nga banesat e tyre, Gusia tha se legjislacioni parasheh që personi që ushtron dhunë të largohet nga shtëpia, e jo viktima.

“Nuk e parasheh që gruaja me lëvizë nga shtëpia. Ligji e parasheh që dhunuesi duhet me dalë nga shtëpia. Po, po vjen keq tash se prapë po dalim përtej kompetencës teme, nuk jam person përgjegjës me monitoru policinë, po ligji thotë dhunuesi del nga shtëpia, jo e dhunuara”, deklaroi Gusia.

Ajo kritikoi praktikat që, sipas saj, bëjnë që viktimat të dërgohen në strehimore, ndërsa personat që ushtrojnë dhunë të mbeten në shtëpi.

“Mirëpo, zyrtarët tonë dinë me bë kështu shpesh kot, edhe shumë malret i bëjnë, me e nxjerr viktimën, me çu me lanë në strehimore, dhunuesin me lanë në shtëpi. Unë jo rastësisht e përmenda shembullin e katit të nusërisë. Do të thotë, kur gjykata ka vendosur me të drejtë që ajo nuk lëviz nga shtëpia, ligji, domethënë, është dhunuesi del, dhunuesi del nga shtëpia”, tha ajo.

Gusia duke iu përgjigjur Ymerit, përmendi edhe mundësinë e mbështetjes financiare përmes bonusit të banimit, duke thënë se komunat kanë përgjegjësi të ndihmojnë gratë që nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë në strehimore.

“Në anën tjetër, ligji për banimin social e mundëson bonus banimin, edhe nuk i kam të dhënat, mirëpo komunat në Kosovë kanë të drejtë, nëpërmjet bonus banimit, me ia paguar qiranë një gruaje viktimë të dhunës në familje, e cila, nëse i ka kaluar gjashtë muajt e parë në strehimore, nuk ka pasur mbas gjashtë muajve ku me shkuar, i është vazhduar edhe gjashtë muaj, sepse një vit ka të drejtë me ndenjur në strehimore. Komuna ka përgjegjësi bonus banimin”, theksoi Gusia.

Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore kërkoi që vëmendje e veçantë t’i kushtohet gjendjes në Qendrat për Punë Sociale, të cilat, sipas saj, përballen me mungesë të stafit, kapacitete të kufizuara profesionale dhe ngarkesë të madhe në punë.

“Unë vetëm një rekomandim, vetëm një rekomandim te Qendrat për Punë Sociale. Është çështje emergjente. Qendrat për Punë Sociale duhen me i trajtuar 24 kategori të ndryshme. Janë me staf të limituar, me staf jo profesional, në kuptimin që nuk e kanë drejtimin e duhur, sepse shumë vonë është hapur në Universitetin e Prishtinës departamenti përkatës”, tha Gusia.

Ajo sugjeroi që anëtarët e Komisionit t’i vizitojnë këto qendra për të parë nga afër kushtet e punës dhe sfidat me të cilat përballen punonjësit socialë.

“Unë do të kisha sugjeruar t’i vizitoni Qendrat për Punë Sociale. Unë kam pasur rast në Qendrën për Punë Sociale të Komunës së Prishtinës, ku kemi punëtore sociale, të cilat kanë urdhër mbrojtjeje, do të thotë me u mbrojtë prej dhunuesve, të cilët vijnë me i vizituar fëmijët në Qendrat për Punë Sociale”, u shpreh ajo.

Sipas Gusias, punonjësit socialë përballen edhe me rrezik në vendin e punës dhe me rraskapitje profesionale, çka ndikon në aftësinë e tyre për t’i përballuar rastet e ndjeshme.

“Dëshironi që nëse i takoni, keni me pa që në të vërtetë një pjesë e madhe e këtyre kanë edhe djegie profesionale, ku nuk janë në gjendje me përballuar as vizitën me të cilën ballafaqohen vetë, se për dy muaj kjo është e përsëritur vizita. Çështja e Qendrave për Punë Sociale është emergjencë kombëtare. Kjo është një rekomandim nëse në të vërtetë doni një rekomandim nga Agjencia”, theksoi Gusia.