Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Tre peshëngritës garojnë për Kosovën në Botërorin në Kinë

Peshengritje

Në Ningbo të Kinës më 27 tetor ka nisur Kampionatin Botëror i peshëngritjes. Pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme është edhe Kosova. Gjithsej në Kinë garojnë 528 peshëngritës nga 99 vende të ndryshme. Tre prej tyre janë përfaqësueses të Kosovës.

Peshëngritësit që përfaqësojnë Kosovën nuk kanë nisur ende me gara. Të hënën garon Brayan Ibanez. 20-vjeçari garon në kategorinë deri 85 kilogramë, ndërsa është në grupin C, që është i treti më i forti prej katër gjithsej. Në të katër grupet janë nga 11 peshëngritës, ndërsa ata me rezultatin më të mirë garojnë në A.

Të martën garon motra e Brayanit, Emily Ibanez. Vetëm 15-vjeçare, Emily Ibanez garon në grupin B, në kategorinë deri 69 kilogramë. Ajo është më e reja që garon në Botëror. Për më tepër i mban tri rekorde botërore për të reja, që i vendosi më 16 tetor në Evropianin e juniorëve dhe U23 në Durrës.
Brayan dhe Emily Ibanez janë të lindur në Spanjë. Babanë e kanë nga Kuba, ndërsa nënën nga Spanja. Deri para tri vjetësh kanë garuar për Kanadanë, ku kanë jetuar shumë vjet. Kanë kërkuar të garojnë për Spanjën, por kjo nuk iu mundësua. Prej këtij viti garojnë për Kosovën. Ata i fituan gjashtë medalje në Evropianin në Durrës. Emily i kishte tri të arta, ndërsa Brayan një të artë e dy të argjendta. 
Të mërkurën garon Kianosh Rostami. Ai paraqitet në grupin C, në kategorinë deri 95 kilogramë.

Rostami është nga Irani, kurse prej vitit të kaluar garon për Kosovën. 35-vjeçari kishte karrierë impresive tek Irani. Fitoi të artë e të argjendtë olimpike dhe dy të arta e një të argjendtë botërore. Ka edhe plot suksese të tjera. Për Kosovën i ka fituar dy medalje të argjendta në Lojërat Mesdhetare në Taranto.

Deri më tani në Botëror kanë dominuar Koreja e Veriut dhe Kina. Koreja e Veriut i ka pesë të arta, dy të argjendta e tri të bronzta. Kina ka tri të arta, dy të argjendta e një të bronztë. Vendet e tjera nuk kanë ende medalje ari.