Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nata e pestë e protestave në Prishtinë kundër femicidit, përsëriten thirrjet për burgosje e shkarkime

Protesta

Në natën e pestë të protestave në Prishtinë kundër femicidit, qytetarët kanë ripërsëritur kërkesat për burgosjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve që u morën me rastin e Arlinda Zekajt, gruas që u vra të dielën e kaluar nga ish-kunati i saj në Vitomiricë të Pejës. 

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe kanë marshuar më pas drejt ndërtesës së Qeverisë, duke mbajtur një pano gjigante me shkrimin “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë!”

Po ashtu ndër panot në duart e protestuesve ishte edhe një “Ultimatumi i popullit”. Protestuesit pasi përsëritën thirrjet para qeverisë vazhduan në drejtim të Këshillit Gjyqësor. 

Para dyerve të ndërtesës së qeverisë është vendosur një tymosëse me ngjyrë të kuqe, ndërsa aty janë bërë thirrjet për burgosjen e zyrtarëve e po ashtu për dorëheqjet e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.