Rreth 40 gra kanë raportuar në Policinë e Kosovës raste të dhunës fizike, psikike, kërcënime dhe ngacmime nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët apo partnerët e tyre, gjatë javës që po lëmë pas.
Bazuar në raportet 24-orëshe të Policisë, rastet janë raportuar në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Kamenicë, Vushtrri, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Deçan, Klinë, Shtime dhe komuna të tjera.
Megjithatë më së shumti raste u raportuan në Prishtinë, ndërsa e dyta renditet Peja.
Nga totali 11 raste figurojnë në Prishtinë, e gjashtë në Pejë.
Ndërkohë data 30 e këtij muaji përmbante më së shumti raste të tilla. Raporti i Policisë flet për plot 9 sosh.
Edhe
Shtatë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë
Një numër i rasteve të këtyre sulmeve sipas raportit kanë ndodhur edhe pas përfundimit të marrëdhënieve bashkëshortore apo të bashkëjetesës.
Në disa raste siç bëhet e ditur, gratë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore si pasojë e sulmeve fizike, ndërsa në një rast në Prishtinë, një grua së bashku me foshnjën e saj është larguar nga shtëpia dhe është dërguar në strehimore.
Rastet e raportuara përfshijnë edhe shkeljen e urdhrave mbrojtës të caktuar nga gjykata. Në Graçanicë, një ish-partner është arrestuar nën dyshimin se ka shkelur urdhrin mbrojtës që ia ndalonte afërsinë e përcaktuar ndaj viktimës.
Në një rast tjetër në Deçan, pas raportimit për dhunë të vazhdueshme psikike ndaj bashkëshortes, policia ka sekuestruar një armë automatike me një karikator të zbrazët në shtëpinë e të dyshuarit.
Ndërkaq edhe në Pejë, pas raportimit për dhunë të vazhdueshme fizike e psikike ndaj një gruaje dhe kanosje nga vjehrri i saj, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe 252 fishekë. Në këtë rast, dy persona janë arrestuar.
Policia ka ndërmarrë veprime ndaj një numri të të dyshuarve, të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Disa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa për raste të caktuara hetimet janë duke vazhduar.
Tash e disa ditë në Prishtinë po protestohet pas vrasjes së Arlinda Zekajt në fshatin Vitomiricë të Pejës. E ndjera për një kohë kishte raportuar në të gjitha institucionet e drejtësisë për dhunën që po e ushtronte ish-bashkëshorti i saj.
Edhe
Tetë raste të dhunës në familje të paraqitura për 24 orë
Që nga paslufta janë 97 të vrara, ndërsa vetëm këtë vit duke përfshirë edhe Arlinda Zekajn janë tetë gra të vrara brenda familjes.
Konsiderohet se shumica e grave në Kosovë që përfunduan tragjikisht, paraprakisht kishin raportuar në Policinë e Kosovës për dhunë fizike a psikike.