Antea Gashi dhe Riola Susuri me gara dhe koncerte në piano po korrin suksese edhe përtej kufijve.
Të dyja ndjekin mësimet në shkollën e muzikës "Lorenc Antoni", në Prizren, të cilat sipas mësimdhënësve dallojnë për nga talenti që e kanë në interpretimin e pianos. .
Antea Gashi është në klasë të 10-të, ndërsa Riola Susuri në klasën e 11-të, të dyja synojnë që pianoja të jetë kryesore në karrierën e tyre.
“Jam në vit të parë të shkollës së mesme dhe me piano kam filluar që nga mosha 6-vjeçare. Mësimet në këtë shkollë i kam vijuar për plot 9 vjet. Kam marrë pjesë në gara dhe koncerte të shumta ndërkombëtare dhe kombëtare. Kam marrë pjesë në gara si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Zvicër, Spanjë etj. Gara më e rëndësishme për mua ka qenë “Pjeter Goci”, në Shkodër, ku jam shpërblyer me çmimin absolut me 100 pikë. Në gara ndërkombëtare, kryesisht kam marrë pjesë në Spanjë, Zvicër, Gjermani, ku kam interpretuar përmes platformave online. Kryesisht jam fituese e vendeve të para dhe të dyta. Rrjedh nga një familje muzikantesh dhe në ahengje bashkohemi me familjen dhe argëtohemi me muzikë së bashku”, ka thënë Antea Gashi.
Riola jeton në fshatin Zhur të Prizrenit, është gjithashtu pjesëmarrëse e garave dhe koncerteve vendore e ndërkombëtare. Ajo thotë se është shpërblyer me çmime të para e të dyta.
“Rrugëtimi im me piano ka filluar që nga mosha 4-vjeçare. Tash jam 16-vjeçare dhe nga atëherë muzika ka qenë pjesë e pandashme e jetës sime. Gjatë këtyre viteve që jam marrë me piano, kam marrë pjesë në gara e festivale të shumta vendore e ndërkombëtare. Në secilën prej tyre jam shpërblyer me çmime dhe pikë maksimale. Në Kosovë kam marrë pjesë në gara të shumta, Shqipëri, Maqedoni, Spanjë, Zvicër, Itali, Kinë, Ukrainë etj. Krejt këto gara jam shpërblyer me pikë maksimale. Koha e pandemisë ka qenë e vështirë për të gjithë, por për mua ka qenë vit i suksesshëm sa i përket karrierës sime. Përmes platformës online kam qenë pjesë e garave në Ukrainë, ku jam shpërblyer me çmimin e parë, edhe pse Ukraina si shtet nuk e ka njohur Kosovën. Për piano më ka inspiruar një kushëri i imi, ndërsa unë e kam inspiruar motrën time, e cila ndjek mësimet për violinë. Edhe në familje bëjmë muzikë bashkë me motrën”, ka thënë Riola Susuri.
“Studimet mendoj t’i vazhdoj jashtë vendit, por edhe nëse vazhdoj në Kosovë për mua mirë është”, ka thënë Antea.
Pianistet Antea Gashi dhe Riola Susuri me piano interpretojnë vepra të kompozitorëve botërorë, por edhe shqiptarë.
Antea interpreton me mjeshtri këngën “Lirikë Pranverore”, nga kompozitori i njohur shqiptar, Simon Gjoni.
“Kompozitorët që më pëlqejnë më së shumti dhe që e interpretoj me piano muzikën e tyre janë: Franz List, Ludwig Von Beethoven, Wolfgang Amadeus Mozart, Franz Schubert, por luaj me piano edhe këngë shqipe si kompozitori Somon Gjoni, me veprën Lirika Pranverore”, ka shtuar ajo.
“Me piano luaj kompozime të kompozitorëve të huaj botërorë, por edhe shqiptarë”, është shprehur Riola.
Ato thonë se puna e palodhshme ka hapur dyert e çdo suksesi, që deri më tani e kanë pasur.
“Të tjerëve dhe bashkëmoshatarëve të mi u them që t’i ndjekin ëndrrat e tyre. Të punojnë e të arrijnë aty ku duan”, ka shtuar ajo.
Nxënësit nga shkolla e muzikës "Lorenc Antoni", në Prizren, brenda vitit grumbullojnë gjithsej deri në 70 çmime në gara, koncerte e festivale kombëtare e ndërkombëtare.