“Është sikur të studiosh në Itali, veçse Italia po vjen në Kosovë”, është përshkrimi që ia bën pianistja Melisa Ibrahimi, Akademisë Ndërkombëtare Ballkanike të Pianos, “S. Thalberg”. Ka hapur dyer në Mitrovicë, rezultatet e para tashmë janë konkrete. Pianistë të rinj nën mentorimin e maestros italian, Giuseppe Devastato tashmë kanë prekur skena evropiane, por ky është vetëm fillimi
Akademia Ndërkombëtare Ballkanike e Pianos “S. Thalberg” është themeluar si shteg i pianistëve vendorë e ballkanikë për t’u rritur artistikisht e profesionalisht. Ky institucion që funksionon si një lloj fakulteti, nuk ofron vetëm arsimim, por edukim të plotë pianistik. Është si një skenë ku talenti takon të ardhmen. Disa nga ata që janë duke ndjekur mësimet aty, me maestron italian, Giuseppe Devastato, veçse kanë prekur skenën ndërkombëtare. Të tjerë janë në pritje.
Nga Napoli në Mitrovicë, vjen kultura e muzikës klasike e kultivuar me shekuj. Siç shprehet pianistja e re në moshë, por jo nga përvoja e sukseset, Melisa Ibrahimi, “është sikur të studiosh në Itali, veçse Italia po vjen në Kosovë”. Sipas saj, “International Piano Balkan Academy” është i akredituar në Itali dhe është i vetmi i këtij lloji në Ballkan.
“Ne jemi duke e bërë një program shumë të mirë që është si fakultet. Është i akredituar në Itali dhe diplomat që i marrin do të jenë të lëshuara prej Italisë. Kemi bashkëpunim edhe me universitetet e Spanjës. Ne veç e kemi sjellë si degë në Kosovë dhe e kemi hapur për tërë Ballkanin”, ka thënë Ibrahimi.
Ajo është drejtoreshë ekzekutive në këtë akademi. Nxënësit e të gjitha moshave vijojnë mësimet aty me pedagog pianistin e kompozitorin e vlerësuar nga kritika ndërkombëtare, napolitanin Giuseppe Devastato. Ai është edhe president i Akademisë si dhe drejtor artistik i saj. Njihet si një nga pianistët më emocionues të gjeneratës së tij. Arti i tij është krijuar nga pianistë të njohur si Laura De Fusco, Francesco Nicolosi dhe Aldo Ciccolini. Ka punuar me institucione muzikore shumë të rëndësishme në Evropë, Amerikë e Azi, që nga Filharmonia Kombëtare e Timishoarës në Rumani, te Auditoriumi i Kievit, ai i Tokios, e deri në “Carnegie Hall” të New Yorkut.
Sipas pianistes Ibrahimi, Akademia Ndërkombëtare Ballkanike e Pianos është themeluar me mision shumë të qartë.
“Që të krijohet një qendër serioze dhe prestigjioze e edukimit pianistik, e cila i lidh studentët me botën ndërkombëtare të muzikës, edhe me akademitë evropiane”, ka thënë ajo midis tjerash.
E misioni i kësaj Akademie është të mbështesë, të frymëzojë dhe të promovojë gjeneratën e ardhshme të pianistëve klasikë në Ballkan dhe në Evropë. Vizioni: të hapë dyer për pianistët e rinj dhe t’i udhëzojë ata drejt karrierave të suksesshme muzikore. Dhe kjo veçse po ndodh.
“Gjatë këtij viti, ne veçse kemi filluar dhe deri në qershor e kemi vitin akademik, në qershor do t’i zgjedhim fituesit që do t’i dërgojmë të luajnë nëpër koncerte me bashkëpunime me festivale evropiane dhe skena prestigjioze në Austri, gati në të gjitha qytetet e Italisë, në Spanjë, Francë, në shumë shtete evropiane. Do t’i përzgjedhim pianistët, aktualisht ne veçse kemi përzgjedhur disa prej tyre”, ka thënë Ibrahimi.
Formimi i plotë artistik, jo vetëm edukim, është synimi i punës së tyre.
“Ne synojmë të ofrojmë jo vetëm mësim, por edhe formim të plotë artistik dhe udhëheqje të karrierës së tyre, duke ditur se në Kosovë nuk mund të depërtojnë nëpër skena evropiane dhe të lidhen me festivale ndërkombëtare, ne i kemi këto mundësi. Përgatitjet i bën profesori italian, i cili është president dhe drejtor artistik i Akademisë. Është legjendë e historisë pianistike, pasi që emri i tij bën pjesë në listën e shkollës napolitane. Nxënësit veçse janë duke marrë mësime të vlefshme nga ai”, ka thënë Ibrahimi.
Kjo Akademi ka zënë vend në Mitrovicë, në vendlindjen e saj. Ibrahimi ka bërë të ditur se dy pianiste tashmë veçse kanë përjetuar ndjesinë e të performuarit në skenën ndërkombëtare.
“Akademia është një vizion dhe platformë ndërkombëtare dhe një mundësi e jashtëzakonshme për talentët e rinj, pasi ata, nuk ka shans ndryshe të depërtojnë përmes Kosovës. Duke e ditur këtë mangësi, e kemi ftuar në Kosovë dhe në shtetet e Ballkanit dhe i mirëpresim të gjithë ata që kanë pasion dhe që ëndërrojnë të studiojnë në një nivel të lartë, tamam pianistik. Ne e udhëheqim karrierën e tyre ku veçse kemi pasur në gusht dy pianiste që kanë interpretuar në Romë”, është shprehur ajo në një bisedë për KOHËN.
Në fund të secilit vit, studentët marrin diplomë me certifikim italian. Tashmë pritet të nisë semestri i dytë, i cili mbaron në qershor.
Për Ibrahimin, akademia e cila emërtohet sipas njërit prej kompozitorëve e pianistëve më të shquar e më virtuozë të shekullit XIX, Sigismong Thalberg, i ka munguar pjesës së përgatitjeve akademike për muzikantë.
“I ka munguar jashtëzakonisht shumë të krijohen këto bashkëpunime dhe këto mundësi për studentët. Për shembull, unë vetë i kam kryer studimet në Universitetin e Prishtinës dhe asnjë nuk është marrë dhe nuk na ka dhënë mundësi. Duke i ditur mangësitë, i kemi plotësuar ato, me gjithçka që nevojitet. Do të ketë edhe shkëmbim të pianistëve dhe e bën Akademinë pikë të rëndësishme në Evropë, mos të them vetëm në Ballkan”, është shprehur ajo.
E ka konsideruar si investim kulturor për Kosovën dhe për rajonin duke thënë se është imazh i vendit fillimisht, por më së shumti i pianistëve që veçse do të fillojnë të depërtojnë në Evropë, nga qershori. Kësisoj ajo ka thënë se Akademia duhet të bëhet institucion shtetëror.
“Ne do të tentojmë ta bëjmë institucion shtetëror sepse është bashkëpunim ndërkombëtar dhe është në të mirë të vendit të bashkëpunojë direkt me akreditimet e Italisë dhe Spanjës. Ka gatishmëri nga këto shtete që të bashkëpunojnë me Kosovën, kështu që shpresojmë që në muajt në vazhdim do të tentojmë të zyrtarizojmë diçka”, ka thënë pianistja e udhëheqësja ekzekutive e Akademisë, Melisa Ibrahimi.
Ky institucion nuk ka përkrahje shtetërore dhe kësisoj studentët paguajnë një shumë modeste për të ndjekur këtë shkollë. Gjithashtu, Akademia Muzikore e Napolit ka mundësuar bursa për studentët, varësisht nga talenti i tyre. E Ibrahimi ka bërë me dije se së shpejti pritet të zyrtarizohet edhe bashkëpunimi me Spanjën.
Në ueb-faqen e akademisë “S. Thalberg”, midis rubrikash të tjera, janë edhe ato të emërtuara “Festivali” dhe “Gara”. Për to, Ibrahimi ka thënë se janë duke punuar fort për t’i organizuar nga mesi i vitit duke paralajmëruar se një ngjarje e tillë nuk është parë në Ballkan.
“Do të jetë një festival dhe një garë që nuk është mbajtur asnjëherë, me një juri prej nëntë anëtarësh, prej më të njohurve në botë. Çfarë është e rëndësishme është që kjo garë do të bëhet pjesë e Organizatës Botërore të Garave të Pianos. Do të jetë e sponsorizuar prej tyre. Presim fluks të pianistëve, deri në njëqind pianistë ndërkombëtarë, e që do të jetë edhe promovim i vendit e kulturës, pasi që do të ketë nga Kina, nga Gjermania, prej çdo shteti. Është e mirë edhe për jurinë profesioniste, e cila vjen si rrjedhojë e kontakteve të profesorit”, ka treguar Ibrahimi.
Parashihet që paralelisht të mbahen festivali dhe gara, si ngjarje të ndara. Sipas Ibrahimit, do të mbahen në Mitrovicë, në Shtëpinë e Kulturës, por se parashihet edhe zgjerimi në Prishtinë e në Prizren. Gara e pianistëve mund të ketë epiqendër Prishtinën. Të dyja ngjarjet paralajmërohen të jenë madhështore.