Kulturë

Çmimi në Itali ngrit emrin e Melisa Ibrahimit në toplistën e pianistëve

Pjesëmarrja në festivale e sukseset në gara janë bërë të zakonshme për pianisten Melisa Ibrahimi, por çmimi në “Mimas Music Festival” është i veçantë për të

Pjesëmarrja në festivale e sukseset në gara janë bërë të zakonshme për pianisten Melisa Ibrahimi, por çmimi në “Mimas Music Festival” është i veçantë për të

Çmimin që e jep “Mimas Festival” në Itali rëndom e marrin pianistë me rrugëtim të gjatë, por rasti i Melisa Ibrahimit e thyen këtë rend. Sukseset e pianistes 23-vjeçare e kanë determinuar shpalljen e saj laureate dhe për të ky çmim është përmbledhje e të gjitha arritjeve të deritanishme. “Është një ndër çmimet që arrihet më vonë në karrierë, por unë jam shumë e lumtur që e kam arritur në moshë shumë të re. Ky çmim do të më japë mundësi të tjera koncertale në Evropë dhe emri im është në listë të këtyre garave dhe festivaleve evropiane”, ka thënë ajo

Zotësia e saj në piano është përkthyer në çmime të shumta që ka marrë nëpër ngjarje prestigjioze ndërkombëtare. Në gara Melisa Ibrahimi shpeshherë ka qenë edhe fituese e shumëfishtë. Për krejt sukseset e deritanishme është vlerësuar me çmimin që kryesisht e marrin pianistët me karrierë të gjatë në skenën muzikore. Për 23-vjeçaren nga Mitrovica, çmimi special i “Mimas Festival” nga Italia është kurora e gjithë sukseseve të saj deri më tani. 

Në festivalin me reputacion në skenën muzikore evropiane, në ishullin Procida, pranë brigjeve të Napolit në jug të shtetit me kulturë antike në muzikën klasike, pianistja Ibrahimi ka marrë nderime të larta duke iu ndarë ky çmim. 

Pjesëmarrja në festivale e sukseset në gara janë bërë të zakonshme për pianisten e re, por “Recognized Kosovar Pianist Melisa Ibrahimi” është i veçantë për të. 

“Ky çmim është më ndryshe në karrierën time, sepse i ka përmbledhur të gjitha sukseset e mia dhe gjithë garat që i kam fituar. Jam vlerësuar pastaj nga ky festival, që është shumë i rëndësishëm në Evropë. Para dy vjetësh ka qenë si epiqendër e Evropës, ndër festivalet më të rëndësishme. Çdo vit e ndan një çmim për një pianist ose muzikant që është i arrirë në Evropë, që ka potencial dhe suksese. Këtë vit jam shumë e lumtur që më kanë përzgjedhur si pianistja ndërkombëtare e vlerësuar në Evropë”, ka thënë pianistja Melisa Ibrahimi.

Çmimi i hap rrugë në karrierën e saj. 

“Është një ndër çmimet që arrihet më vonë në karrierë, por unë jam shumë e lumtur që e kam arritur në moshë shumë të re. Ky çmim do të më japë mundësi të tjera koncertale në Evropë dhe emri im është në listë të këtyre garave dhe festivaleve evropiane”, është shprehur ajo. 

Festivali italian i muzikës “Mimas” nisi rrugëtimin në vitin 2018 duke bërë protagonistë të kësaj ngjarjeje muzikantë nga e gjithë bota. Atje muzika bashkohet me peizazhet e bukura të ishullit duke krijuar momente të veçanta. 

“Ne organizojmë ngjarjen për të krijuar mundësi për muzikantët e rinj, jemi të lidhur me një rrjet ndërkombëtar dhe është festivali i parë që zhvillohet në disa vende evropiane. Ne besojmë se muzika mund ta përmirësojë shoqërinë, për këtë arsye mbështesim kërkimin shkencor kundër kancerit të fëmijërisë dhe mbrojtjen e mjedisit”, shkruhet për Festivalin. 

Edicioni i sivjetmë u mbajt nga 19 deri më 22 gusht. Në ditën e fundit të Festivalit, ceremonia e ndarjes së çmimit në kuadër të kësaj ngjarjeje u organizua enkas për të, ndërsa ajo u shoqërua edhe me performancën e Ibrahimit. Luajti vepra nga kompozitori e pianisti rus Alexander Scriabin. Pianistja ka treguar se ka marrë kritika pozitive nga profesionistë të muzikës. 

“Ceremonia është organizuar enkas për mua dhe jam shumë e lumtur që gjithçka ka shkuar shumë mirë. Koncerti ka qenë i suksesshëm, ku kam marrë shumë kritika të mira për interpretimin tim dhe tash më ka mbetur vetëm të vazhdoj në këtë rrugë të suksesshme dhe të drejtë. Kam marrë çmime shumë, por ky është kurora mbi të gjitha çmimet që kam marrë, pasi të gjitha ato kanë hyrë në komision dhe janë vlerësuar dhe mandej kam arritur të shpallem fituese e këtij çmimi evropian”, ka thënë Ibrahimi. 

“Ky çmim është më ndryshe në karrierën time, sepse i ka përmbledhur të gjitha sukseset e mia dhe të gjitha garat që i kam fituar. Jam vlerësuar pastaj nga ky festival, që është shumë i rëndësishëm në Evropë. Para dy vjetësh ka qenë si epiqendër e Evropës, ndër festivalet më të rëndësishme. Çdo vit e ndan një çmim për një pianist ose muzikant që është i arrirë në Evropë, që ka potencial dhe suksese. Këtë vit jam shumë e lumtur që më kanë përzgjedhur si pianistja ndërkombëtare e vlerësuar në Evropë”, ka thënë pianistja Melisa Ibrahimi

Ka thënë se veprat që ka luajtur kanë qenë tejet sfiduese. 

“Jam ftuar për të interpretuar në një koncert ku ka shkuar me sukses të jashtëzakonshëm me interpretimin e një repertori sfidues me vepra nga Scriabin. Ky çmim ka rëndësi shumë të madhe pasi që prej Ballkanit dhe nga Kosova e zgjedhin një pianist që ka suksese në Evropë”, ka thënë ajo më tej për ngjarjen në të cilën ka marrë pjesë për të parën herë. 

Sukseset e saj në ngjarjet italiane janë të shumta. 

Në shtetin më të madh të gadishullit Apenin ka pasur më së shumti debutime sa i përket audiencës ndërkombëtare. Vetëm vjet, midis tjerash, interpretoi në “Concerti del Tempietto”. Në “Debussy International Music Competition” në fillim të nëntorit të kaluar mori Çmimin e Parë Absolut në garën e pianistëve, si dhe çmimin special “Art of Musical Interpretation for exceptional interpreting and performing”. Emrin e saj midis konkurrentëve nga mbarë bota e kanë veçuar veprat sfiduese të hungarezit Franz Listz. Suksesi i saj kishte reflektuar edhe në punën e mentores Alberta Troni, e cila kishte marrë çmimin “Teacher Award”.

Çmimet e sukseset prej disa vjetëve të fundit, midis tyre edhe interpretimi në një prej sallave më prestigjioze në botë, në “Royal Albert Hall”, janë akumuluar në një çmim që është emërtuar sipas saj – “Recognized Kosovar Pianist Melisa Ibrahimi”. 

Biografia e saj është e gjatë me emrat e festivaleve e garave në të cilat ka korrur suksese. Disa prej tyre janë “Grand Prize Virtuoso 2020” në Bon të Gjermanisë në kategorinë “Senior”. Në dhjetor të 2020-s ishte fituese e vendit të parë edhe në garën “International Music Competition Moscoë”. Kishte triumfuar duke lënë pas konkurrentë nga e gjithë bota. Edhe vitin 2021 e kishte nisur me suksese. I kishte paraprirë fitorja në “Grand Prize Virtuoso London 2021”, ku kishte interpretuar në “Royal Albert Hall” – një prej sallave më prestigjioze në botë. 

Me vendin e parë ishte vlerësuar edhe në “International Music Competition Moscow”, në Rusi. Me çmime është vlerësuar edhe në “The Nordic Piano Competition – Northen Lights” në Suedi, në “International Moscow Music Symphony Competition”, “Chopin Piano Fest Special Prize”, në Prishtinë, “International Music Fantasy Competition” e organizuar nga UNESCO dhe shumë të tjera.

Aktualisht është në studime pasdiplomike në Madrid. Ka shumë koncerte të tjera të ardhshme që e presin dhe gara në të cilat do të marrë pjesë. Në Prishtinë kaherë nuk ka luajtur për publikun vendas, por nga shtatori vjen me një projekt si investim për muzikantët e rinj me hapjen e një akademie ku do të mund të marrin pjesë pianistët nga Ballkani dhe të kenë mundësi të koncertojnë në Evropë. 

“Duke i ditur mangësitë që kemi ne në karrierë, që nuk mund të depërtojmë nga Kosova aspak lehtë, në bashkëpunim me shumë festivale i kemi sjellë në Kosovë dhe në Ballkan dhe fillojmë prej shtatorit me vitin akademik. Jam duke kontribuuar në arsim dhe në edukim të pianistëve që të kenë një karrierë siç e kam zhvilluar unë”, ka thënë Ibrahimi në një bisedë me KOHËN. 

Melisa Ibrahimi është një prej talenteve të Kosovës që emrin e shtetit jo veçse e bën të njohur, por edhe krenar. E sfidon edhe politikën. Në mars të vitit 2020, ajo fitoi çmimin e dytë në garën “International Piano Competition” në Beograd, në kategorinë “Senior”. 

Kur Ibrahimi dhe pianoja komunikojnë, magjia muzikore është e siguruar.