Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pianistja Ibrahimi konfirmohet si interpretuese e veçantë edhe në Spanjë

Melisa Ibrahimi

“Për mua, ky çmim është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shumë i veçantë. Kam pasur fatin të fitoj çmime të ndryshme gjatë rrugëtimit tim, por çdo vlerësim ka peshën dhe historinë e vet. Ky çmim ka një domethënie edhe më të madhe, është një vlerësim i përfaqësimit qe i kam bërë Kosovës dhe Spanjës në Evropë. Fakti që jam shpallur fituese ekskluzive e këtij titulli e bën edhe më të veçantë për mua”, ka thënë pianistja Melisa Ibrahimi

Kufij për të nuk ka. Rrugëtimi i Melisa Ibrahimit kapërcen ata dhe po hyn në territorin e diplomacisë kulturore. Çmimi “Award of Supreme Excellence” dhe titulli Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë nga prestigjiozi “World Piano Association Spain” është një prej atyre njohjeve kulturore për Kosovën nga vendi që politikisht nuk e njeh shtetin më të ri në Evropë

Muzika klasike është gjuha universale e pianistes Melisa Ibrahimi, e cila ka shkelur skena të mëdha e ka marrë dhjetëra çmime në gara prestigjioze që dëshmojnë talentin e saj. Kufij për të nuk ka. Rrugëtimi i saj kapërcen ata dhe po hyn në territorin e diplomacisë kulturore. Çmimi “Award of Supreme Excellence” dhe titulli Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë nga prestigjiozi “World Piano Association Spain” është një prej atyre njohjeve kulturore për Kosovën nga vendi që politikisht nuk e njeh shtetin më të ri në Evropë.

Me një seri çmimesh ndërkombëtare dhe paraqitjesh të suksesshme në skenat evropiane, Ibrahimi po ndërton identitet artistik që përfaqëson jo vetëm talentin e saj, por edhe traditën muzikore të vendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Së fundi, ajo është nderuar me titullin prestigjioz “Award of Supreme Excellence” nga Shoqata Botërore e Pianos në Spanjë, institucion që operon në nivel global dhe organizon konkurse ndërkombëtare me standarde të larta artistike.

Çmimi jepet në kuadër të edicioneve vjetore të kësaj Shoqate, ku përveç garës me disa raunde rigoroze, organizatorët përzgjedhin artistë të shquar për t’i nderuar me tituj të veçantë, si një vlerësim për kontributin dhe suksesin e tyre në skenën ndërkombëtare, siç shkruan institucioni.

Por përtej çmimit, dimensioni i këtij vlerësimi bëhet edhe më domethënës me faktin se Ibrahimi është shpallur edhe “Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë”. Është titull që krijon ura të komunikimit kulturor midis dy vendeve, pavarësisht raporteve politike. Çmimi i është ndarë nga Piero Pisani, president nderi i Shoqatës Botërore të Pedagogëve të Pianos.

Më 14 prill, në ambientin prestigjioz të kolegjit “Universidad Alfonso X el Sabio” u zhvillua gala koncerti i Konkursit Ndërkombëtar të Pianos “ËPTA Spain 2025” në të cilin Ibrahimi  u nderua me Çmimin e Ekselencës Supreme “Ambasadore Artistike e Kosovës – Spanjë”, një moment me vlerë të lartë artistike që kurorëzon përsosmërinë e saj ndërkombëtare pianistike.

Për Ibrahimin, midis çmimeve që vazhdimisht ka fituar, ky më i fundit është i veçantë për faktin se ka fituar në një shtet që nuk e njeh vendin e saj.

“Për mua, ky çmim është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shumë i veçantë. Kam pasur fatin të fitoj çmime të ndryshme gjatë rrugëtimit tim, por çdo vlerësim ka peshën dhe historinë e vet. Ky çmim ka një domethënie edhe më të madhe, është një vlerësim i përfaqësimit qe i kam bërë Kosovës dhe Spanjës në Evropë. Fakti që jam shpallur fituese ekskluzive e këtij titulli e bën edhe më të veçantë për mua”, është shprehur ajo në një përgjigje për KOHËN.

Është shprehur se këtë arritje e sheh si mundësi për të hapur rrugë të reja bashkëpunimi midis Kosovës dhe Spanjës në fushën e artit dhe kulturës.

“Të them të drejtën, gjithmonë kam punuar me një qëllim shumë të qartë: që përmes aktivitetit tim këtu në Spanjë, ta promovoj Kosovën në mënyrën më dinjitoze edhe nëse ndonjëherë kjo mund duket si një ëndërr e madhe, unë besoj fort që përmes artit dhe kulturës mund të ndikojë në afrimin e vendeve dhe rrugës drejt një hapi që Spanja ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e demokratik! Kjo është përpjekja ime!”, ka thënë nëpërmjet një përgjigje me shkrim pianistja nga Mitrovica.

Rrugëtimi i saj në këtë konkurs nuk është i rastësishëm. Vitin e kaluar qe fituese e konkursit. Vetë ajo e ka shpjeguar procesin dhe rëndësinë e këtij edicioni.

“Ngjarja ishte e organizuar nga ‘World International Piano Association Spain’, i cili operon në nivel botëror dhe organizon konkurse me standarde shumë të larta artistike. Unë kam qenë fituese e këtij konkursi vitin e kaluar, në një proces garues me disa raunde, ku çdo fazë kërkon një nivel maksimal përgatitjeje dhe interpretimi”, është shprehur Ibrahimi duke treguar edhe veçantitë e kësaj gare.

“Por ajo që e bën këtë moment edhe më të veçantë për mua është fakti kjo garë çdo vit nderon me tituj artistët e suksesshëm! Pas një periudhe shumë intensive koncertesh dhe suksesi në skena evropiane, duke përfaqësuar me shumë krenari Kosovën ne Spanjë, organizatorët vendosën që për vitin 2026 te jem unë fituese e këtij çmimi!”, ka thënë ajo.

Ka theksuar se konkursi ndërkombëtar ka pasur pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës dhe se konkurrenca aty është çdoherë më e fortë.

Në repertorin e saj përherë zgjedh vepra sfiduese. Kësaj here me ato të gjeniut të pianos, Frédéric Chopin, një zgjedhje që flet për ndjeshmërinë dhe thellësinë e saj artistike.

“Në mbrëmjen gala, para marrjes së çmimit, u prezantova ekskluzivisht me vepra të Frédéric Chopin, një kompozitor që për mua ka një domethënie shumë të thellë artistike dhe emocionale. Zgjedhja ka qenë plotësisht e imja. Sa i përket çmimit, ai nuk lidhet vetëm me këtë performancë të vetme në gala. Është një vlerësim që vjen si rezultat i gjithë aktivitetit tim artistik koncerteve, garave dhe angazhimeve të mia në skenat evropiane, si dhe përfaqësimit të Kosovës e Spanjës”, ka bërë me dije Ibrahimi.

Talenti i saj është vlerësuar nga kritika, ndonëse ajo shprehet se kritika më e madhe për të është ajo që i bën vetes duke e nxitur për të punuar edhe më fort.

“Si çdo herë, për mua kritika është një pjesë shumë e rëndësishme e rritjes artistike. Jam duke ndërtuar vazhdimisht një sens kritik shumë të fortë ndaj vetes, që më ndihmon të zhvillohem dhe të arrij nivele gjithnjë e më të larta. Sa u përket vlerësimeve që kam marrë, ato kanë qenë jashtëzakonisht pozitive dhe shumë inkurajuese. Profesorë të nivelit më të lartë pianistik dhe figura të rëndësishme në muzikë kanë vlerësuar talentin tim, interpretimin, ndjeshmërinë artistike dhe dominimin tim në skenë”,  ka thënë pianistja, e cila nisi të merret me muzikë qysh herët ku në moshën 9-vjeçare filloi mësimet e para në piano në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”, në Mitrovicë.

Në këtë drejtim perfeksionoi shkathtësitë në piano duke studiuar në Fakultetin e Arteve në klasën e profesoreshës Alberta Troni. Sukseset e saj filluan nga paraqitjet e para skenike, duke filluar nga garat kombëtare e deri tek ato ndërkombëtare. Ibrahimi në vitet 2018 dhe 2019 është fituese e çmimeve të para në garën “Ars Kosova Music Competition” dhe “Special Prize Masterclass Ana Capri” në Itali.

Në Beograd ka fituar çmimin e dytë në garën “International Piano Competition”. Në vitin 2020, në gusht kishte marrë pjesë edhe në festivalin “Clavis”, që ishte organizuar nga Rusia dhe Gjermania në Bavari të Gjermanisë. Kishte interpretuar në mënyrë virtuale, ku edhe kishte fituar dy çmime për pjesëmarrjen të cilën, mes pianistëve e kishin fituar vetëm njëzet pianistë ndërkombëtarë që po ashtu do të merrnin pjesë në “International Piano Competition Costa-Festa 2021”, që ishte mbajtur në Torrevieja të Spanjës. Gjithashtu nga aty ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në koncert dhe masterklasë në kuadër të “Bavaria Festival 2021” në Fussen të Gjermanisë.

Jo vonë, dy muaj më pas triumfoi në “Grand Prize Virtuoso 2020” në Bonn të Gjermanisë në kategorinë “Senior”. Në dhjetor të 2020-s ishte fituese e vendit të parë edhe në garën “International Music Competition Moscoë”. Kishte triumfuar duke lënë pas konkurrentë nga e gjithë bota. Edhe vitin 2021 e kishte nisur me suksese. I kishte paraprirë fitorja në “Grand Prize Virtuoso London 2021”, ku kishte interpretuar në “Royal Albert Hall” – një prej sallave më prestigjioze në botë. Me vendin e parë ishte vlerësuar edhe në “International Music Competition Moscoë”, në Rusi. Me çmime është vlerësuar edhe në “The Nordic Piano Competition – Northen Lights” në Suedi, në “International Moscoë Music Symphony Competition”, “Chopin Piano Fest Special Prize”, në Prishtinë, “International Music Fantasy Competition” e organizuar nga UNESCO dhe shumë të tjera.

E përvoja e saj në Spanjë, përtej suksesit artistik, merr edhe dimension njerëzor e kulturor.

“Të them të drejtën, në Spanjë ndihem si në shtëpi. Pavarësisht faktit që Spanja ende nuk e ka njohur Kosova, unë personalisht kam ndjerë gjithmonë një mirëpritje shumë të sinqertë. Publiku dhe komuniteti artistik më kanë vlerësuar jashtëzakonisht shumë! Në çdo koncert, përveç interpretimit tim, unë mbaj me vete edhe një pjesë të Kosovës është diçka që e ndjej thellë dhe që mundohem ta përcjell përmes muzikës dhe komunikimit me publikun”, është shprehur pianistja Melisa Ibrahimi.

Sipas saj, arti ka fuqi për të ofruar vendet dhe njerëzit.

“Në mënyrën time, përmes muzikës dhe aktiviteteve të mia, po përpiqem të ndërtoj ura mes Kosovës dhe Spanjës, dhe deri tani po shkon mirë! Madje, mendoj që kurrë nuk kemi qenë më afër krijimit të një lidhjeje më të fortë kulturore mes Spanjës e Kosovës. Ka vullnet, ka interes për të zhvilluar më tej këtë lidhje, sigurisht për ta çuar këtë më larg, nevojitet edhe mbështetje institucionale, dhe shpresoj që kjo të ndodhë”, është shprehur ajo.

Derisa karriera e saj vazhdon të ngjitet në trajektore të qëndrueshme ndërkombëtare, ajo mbetet në lëvizje.

“Po, aktualisht jam në një fazë shumë dinamike të karrierës sime artistike. Jam duke u përgatitur për disa koncerte ndërkombëtare dhe së shpejti do të performoj edhe në vende ku nuk kam qenë më parë, gjë që për mua është një hap shumë i rëndësishëm dhe emocionues. Këto ftesa janë një vazhdimësi shumë natyrale e punës dhe përkushtimit tim, dhe sigurisht që çdo paraqitje e suksesshme hap dyer të reja për projekte dhe bashkëpunime të ardhshme”, ka thënë ajo në fund.

Me dinjitet, elegancë e vizion në skenë, Melisa Ibrahimi po bën që narrativa e Kosovës të dëgjohet, ndjehet e respektohet, përmes tastierës së pianos.