Showbiz

Ariana Grande pranon se do t'i bënte mirë një shkëputje nga karriera

Ariana Grande

Ariana Grande, fotografuar për Vogue Japan nga Michael Bailey-Gates

Artistja e njohur, Ariana Grande, ka pranuar se një pauzë nga karriera do të ishte “ndoshta e shëndetshme” për të, teksa thotë se po kërkon më shumë ekuilibër në vitet që vijnë.

32-vjeçja ka punuar pa ndërprerje në muzikë dhe aktrim që nga adoleshenca, kur u bë e famshme me serialin “Victorious” në televizionin Nickelodeon.

Ajo ka pranuar se ritmi i vazhdueshëm i punës mund të jetë i lodhshëm.

“Mendoj se ndoshta do të ishte e shëndetshme. Nuk jam mësuar të bëj pauza. Por e di që u rrita shumë si artiste dhe si njeri kur u shkëputa pak nga muzika gjatë xhirimeve të filmit ‘Wicked’. Vitet e fundit kanë qenë të pandalshme. Dhe kur them ‘disa vite’, në fakt e kam fjalën për 15”, ka thënë Grande për Vogue Japan.

Aktorja e filmit “Wicked: For Good” ka shpjeguar se synimi i saj për të ardhmen është gjetja e një ekuilibri më të mirë mes jetës personale dhe asaj profesionale.

“Ekuilibri është qëllimi për 15 vjetët e ardhshme. Nuk besoj se do të duken si 15 vjetët e mëparshme. Do të ketë më shumë balancë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, Grande ka folur edhe për përvojën e saj në rolin e Glindës në dy filmat “Wicked”, duke treguar se është zhytur plotësisht në ndërtimin e personazhit.

“Kalova shumë kohë duke lexuar mes rreshtave dhe duke shënuar ide të vogla për atë që mund të ketë ndodhur në jetën e saj dhe që e ka bërë të ndihet e pasigurt. Qoftë shoqëria me Elphaban apo marrëdhënia me Fiyeron, janë detaje të vogla që ajo i ka shtyrë mënjanë, por që e kanë formësuar në këtë personazh shumë funksional”, ka treguar ajo.

Ylli ka reflektuar edhe mbi kufirin mes rolit artistik dhe vetvetes.

“Ndonjëherë luajmë një personazh, ndonjëherë krijojmë një identitet ose marrim një rol të shkruar nga dikush tjetër, e ndonjëherë thjesht hapim zemrën dhe tregojmë të vërtetat tona. Është interesante sepse bota shpesh nuk arrin ta dallojë ndryshimin mes këtyre gjërave”, ka thënë ajo.

Gjatë xhirimeve, Grande ka krijuar një lidhje shumë të fortë me kolegen e saj, aktoren Cynthia Erivo, ani pse nuk kishin shkuar nëpër audicione bashkë kurrë më parë.

“Kjo ishte ajo që u zotuam të bënim dhe e dinim se duhej të ishte kështu. Dhe mendoj se bëmë një punë shumë të bukur. Jemi shumë të ndryshme dhe kemi procese të ndryshme pune, por morëm kohë për ta njohur njëra-tjetrën dhe për t’u kujdesur për njëra-tjetrën gjatë këtij procesi”, ka thënë ajo.

Ylli e ka cilësuar këtë projekt si përvojën më shpërblyese të karrierës së saj.

“Ishte puna më përmbushëse e jetës sime. Do ta bëja përsëri pa hezitim”, ka përfunduar ajo.