Për fshatrat e Gollakut, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka dhënë një varg premtimesh për përmirësim të kushteve të jetesës. Për mirëqenie është zotuar edhe kandidati për Mitrovicën, Bedri Hamza, derisa në Prizren kandidati Shaqir Totaj ka premtuar se do t’i japë mbështetje rinisë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, të dielën zgjodhi fshatrat e Gollakut për ta zhvilluar fushatën zgjedhore. Derisa prisnin ardhjen e tij, banorët u stacionuan në disa pika që kishin vendosur më parë për t’u përkujdesur për mbajtje të distancës. Përveç tyre, në një baner të madh Ismailin e prisnin edhe një varg zotimesh për nënshkrim. Aty u premtoi banorëve asfaltim të rrugëve, rregullim të trotuareve e kanalizimeve, ndriçim, shtigje biçikletash, ndërtim e funksionalizim të ambulancave.
“Rregullimi i kanalizimit të fshatrave Grashticë, Makofc, Llukar, Siqevë deri në hyrje të Prishtinës. Shtimi i linjave plotësuese për transport urban, si dhe transport urban falas për të gjitha fshatrat ashtu si për të gjithë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Ismaili. Për premtimet që dha, banorët thanë se do ta mbajnë për fjale.
“Ne kemi parë shumë probleme, andaj me këto zotime të cilat i ka propozuar Urani, janë një tregues që vëmendja për Gollakun me Uranin si kryetar nuk do të mungojë. Si banor i Gollakut kemi me e mbajt për fjale për të gjitha këto zotime”, ka thënë një banor.
Në Mitrovicë, kandidati Bedri Hamza është zotuar për rritjen e mirëqenies sociale; si banim social falas, banesa me kosto më të lirë për çiftet e reja e përkrahje për 2300 familje me asistencë sociale me nga 200 euro për çdo fillimvit shkollor.
“Banimi social mbulohet 100 për qind nga komuna për familjet në nevojë. Subvencionim të një pjese të qirasë për familjet e dëbuara nga veriu i Mitrovicës. Pako mujore ushqimore, higjienike dhe të veshmbathjes. Banesa për çiftet e reja me kosto të lirë përmes projekteve të partneritetit publiko-privat”, ka thënë Hamza.
E Shaqir Totaj në Prizren ka thënë se prioritet do ta ketë mbështetjen ndaj rinisë dhe përveç qendrës rinore të cilën ka thënë se do ta rikthejë, ka premtuar se do të krijojë edhe qendra të tjera të teknologjisë informative.
“Planifikojmë me hap edhe një qendër ‘hacker space’ ku rinia e cila ka talent, predispozita për ide të reja në lëmin e teknologjisë informative, mund të zhvillojë idetë e veta aty dhe njëkohësisht mund të socializohen dhe mund të shoqërohen dhe të krijojnë një kualitet të ri të jetës”, ka thënë Totaj.
Në Gjilan, kandidates Leonora Morina-Bunjaku mbështetje i ka dhënë edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Bunjaku ka thënë se në mandatin e saj do të sigurojë arsimim, shëndetësi dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Gjilanit.
Në Deçan, kandidatja Ardiana Qorraj është zotuar se me qeverisjen e PDK-së në çdo fshat do të krijohen hapësira rekreative, tavolina shahu për të moshuarit e kënde të lojërave për fëmijët.
“Me PDK-në në Deçan, hapësirat gjelbëruese për çdo fshat në kombinim me blinin e fshatit, si aset në mbrojtje të natyrës, do të shërbejnë si vende takimi për socializim mes gjeneratash, e njëkohësisht do të sigurojmë me plane të menaxhimit për hapësirat publike edhe ruajtjen dhe mirëmbajtjen e blinit”, ka thënë ajo.
E Bejtullah Deliu, kandidati për Rahovecin, është takuar me disa përfaqësues të shoqatës Handikos dhe asaj të verbërve. Ai ka thënë se nga ta është njoftuar për së afërmi me nevojat dhe shqetësimet e tyre për të cilat ka thënë se ka lehtësime në programin e tij qeverisës.
“Qeverisja ime do të jetë një qeveri gjithëpërfshirëse. I sigurova që në administratën publike komunale do të respektohet kuota e punësimit për personat me nevoja të veçanta; do të ofrohen shërbime shëndetësore mobile nëpër shtëpi dhe do të ofrojmë shërbime sociale me qëllim integrimin e personave me nevoja të veçanta në tregun e punës”, ka thënë Deliu.