Kandidatë të PDK-së, ditën e fundit të fushatës e shfrytëzuan për të bërë thirrje për mbështetje, nëpërmjet prezantimit të punëve të bëra dhe të planeve për mandatet që i synojnë. Në Prizren u premtuan projekte infrastrukturore, teleferikë e parkingje nëntokësore e në Mitrovicë, investime për kulturën e sportin.
Kryetari e kandidati i Partisë Demokratike për edhe një mandat në krye të Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka promovuar punën e deritanishme tek ka prezantuar projekte për katër vjetët e ardhshme në qeverisje.
Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, ai bëri zotim se Prizreni do të ketë edhe teleferik.
“Në mandatin e dytë do të vazhdojmë me projekte të mëdha, me parkingje moderne, me shumë ujë të pijshëm, teleferikun e Prizrenit, Lumbardhin e gjallëruar dhe kalldrëmet që ruajnë shpirtin e qytetit tonë”, ka thënë Totaj.
Në Prishtinë, kandidati Uran Ismaili ka publikuar video-mesazhe nga një numër lagjesh të kryeqytetit tek ka bërë thirrjen për përkrahje më 12 tetor.
“Edhe në Ulpianë, me ju tregu që planet e mija nuk janë plane afatgjate, jo plane 10 vjeçare. Planet e mija janë lagje, lagje, projekte konkrete për ta bërë Prishtinën funksionale, kështu që më 12 tetor voto 191, voto PDK”, ka thënë Ismaili.
Votë ka kërkuar edhe kandidati për Fushë-Kosovën, Rrahim Tërnava.
“Ne po e kthejmë besimin sepse ndryshimi nuk vjen nga premtimet por nga njerëzit. Nga ju që çdo ditë e ndërtoi këtë qytet me duart tuaja, me djersë dhe dashni për njerëzit. Fushë Kosova nuk pret më, është koha për punë, për zhvillim dhe bashkim. Kjo është thirrja jonë”, ka thënë Tërnava.
E kandidati për Mitrovicën, Arian Tahiri, ka shpalosur programin e tij për kulturën.
“Rikthimin e jetës kulturore urbane do ta bëjmë përmes organizimit të festivaleve gjatë krejt vitit, festivale të muzikës, të artit dhe të letërsisë. Do ta bëjmë edhe me mbështetje për ekspozita të artistëve lokalë dhe të krijuesve të rinj, si dhe me shndërrimin e disa hapësirave publike ne skena të hapura për aktivitete kulturore. Ne do t'i restaurojmë edhe promovojmë edhe monumentet e trashëgimisë historike dhe kulturore, do ta rinovojmë muzeun e historisë së qytetit”, ka thënë ai.
Fushatë në ditën e fundit kanë zhvilluar edhe kandidatë të tjerë të PDK-së të cilët kanë kërkuar votë për të sjellë ndryshime në komunat ku garojnë.
