Zgjedhjet lokale

PDK-ja mbyll fushatën, gjashtë kandidatët në garë zotohen për ndryshim

Shaqir Totaj

Kandidatët e PDK-së në komunat që garojnë në balotazh u zotuan për bashkëpunim me qytetarët dhe përkushtim ndaj zhvillimit lokal, duke e mbyllur fushatën me thirrje për mobilizim në ditën e votimit. Votë për ta kërkoi edhe kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, sipas të cilit udhëheqja për kandidatët e PDK-së nënkupton shërbim dhe jo privilegj.

Për gjashtë kandidatët e PDK-së që janë në garën e balotazhit për kryetarë komunash, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka kërkuar votë nga qytetarët duke theksuar se lidershipi për ta është shërbim dhe jo privilegj.

Krasniqi tha se fitorja e PDK-së është ndryshimi që qytetarët kanë nevojë për 4 vjetët e ardhshme.

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj derisa kërkoi nga qytetarët mobilizim për fitoren, tha se rezultati i së dielës do të jetë përgjigje ndaj të gjitha akuzave që theksoi se janë bërë pa vend ndaj tij.

Tha se mënyra se si është sjellë me qytetarët do të vlerësohet ditën e diele.

“Rezultati ditën e zgjedhjeve është zero – zero. Prandaj kërkoj që të mobilizoheni të gjithë së bashku, secili anëtar i familjes me të drejtë vote të dalë dhe të votojë, të japë mesazhin përfundimtar. Dhe, kismet, ne do të fitojmë, mirëpo, kismeti e don hyzmetin”, ka thënë Totaj.

Edhe në Mitrovicë, kandidati Arian Tahiri, u zotua se do të jetë në dispozicionin e qytetarëve 24 orë në ditë për çdo kërkesë e çdo sfidë që do ta kenë.

E në Vushtrri kryetari e kandidati edhe për një mandat, Ferit Idrizi, shpërndau video incizimi nga tubimi përmbyllës që mbajti të premten ku tha se prania e tyre është vulë e fitores për edhe një mandat.

“Për t’i dhënë vulën e fitores sonë, për të shënuar, jo vetëm mbylljen e kësaj fushate por edhe hapjen e një kapitulli dhe një rrugëtimi të ri katër vjeçar bashkë me juve”, është shprehur Idrizi.

Në Kaçanik, kandidati për kryetar, Sabedin Vishi, pas një takimi me gratë në disa fshatra të kësaj komune, u zotua për forcimin e rolit të gruas në shoqëri. Ai tha se roli i gruas në politikë, në familje dhe në zhvillimin e komunitetit është i pazëvendësueshëm dhe se me përkrahjen e tyre mund të dërgohet para vizioni për një komunë të zhvilluar, të barabartë dhe me mundësi për të gjithë.

Lexo përditësimet tjera
Vota

Dita e gjashtë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale