Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së gjashtë të fushatës zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 9 nëntor. 18 komuna janë në balotazh.

Tahiri i PDK-së: Nesër Mitrovica nis kapitullin e ri

1 muaj më parë / 8 nën 2025 22:08
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, në përmbyllje të fushatës për balotazh ka thënë se nga 9 nëntori, Mitrovica “e nis një kapitull të ri”.

Në një tubim në palestrën “Minatori”, Tahiri ka përsëritur premtimet tek është zotuar se do t’i realizojë të gjitha fjalët e dhëna.

“Nesër është dita kur Mitrovica e nis kapitullin e ri. Nis nga të gjithë ne. Nga secili prej jush. Nga një votë. Nga një vendim. Nga një akt guximi që e kam parë çdo ditë në fytyrat tuaja. Unë, me gjithë forcën time, do ta nderoj besimin tuaj dhe do ta jetësoj çdo premtim që ua kam dhënë. E përsëris, çdo premtim që ua kam dhënë në çdo lagje e çdo fshat, për ju dhe për qytetin tonë. Shumë të respektuar mitrovicas, Le ta përfundojmë këtë fushatë siç e kemi nisur. Me shpresë. Me guxim. Me besim në Zot. Për çdo qytetar të Mitrovicës, e ardhmja fillon të dielën, këtu me ne!” ka shkruar Tahiri pas tubimit.

Arian Tahiri në balotazh përballet me Faton Pecin e Lëvizjes Vetëvendosje. Gara edhe në raundin e parë ishte e ngushtë.

Çeku: Të gjithë janë bërë bashkë, por s’do t’i lejojmë të ndalin ndryshimin

1 muaj më parë / 8 nën 2025 21:14
hajrulla ceku

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, ka thënë se të gjitha partitë tjera janë bërë bashkë për ta mbështetur Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në balotazhin e së dielës.

“Janë sërish bashkë jo për Prishtinën, por për veten e tyre. Ata nuk ndahen kurrë për interesa. Janë bashkë në prapaskenë, në tenderë, në poste e tash bashkë kundër ndryshimit, por s’do të lejojmë”, ka thënë Çeku në fjalimin e tij përmbyllës të fushatës.

Ndërkaq edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalimin e tij ka kritikuar Ramën duke thënë se tash Prishtina është “qytet që po ndien peshën e katër vjetëve të humbura.

“Punët e nisura nuk janë përfunduar, premtimet e dhëna nuk janë parë e qytetari është lodhur nga justifikimet e dobëta dhe ankesat e palogjikshme. Ka pasur mundësi të mëdha fonde të mjaftueshme e vëmendje kombëtare por gjithçka është humbur mes mungesës së planit, tepricës së arrogancës, diletantizmit kronik dhe orekseve financiare të drejtuesve të saj”, ka thënë ai.

Në raundin e parë zgjedhor, më 12 tetor, Rama i LDK-së që synon edhe një mandat doli i pari në garën për kryetar të Prishtinës me 35 mijë e 595 vota, rreth 500 vota më shumë se Çeku.

PDK-ja që doli e treta me rreth 27 për qind të votave nuk është deklaruar publikisht për mbështetje të ndonjë kandidati, ndonëse është raportuar se po e mbështet Ramën.

Rama ka siguruar publikisht mbështetjen e AAK-së që doli e katërta me 3 për qind.

 

Kurti: Me Fatonin kryetar të Mitrovicës, e keni të garantuar se do të ketë veçse bashkim, e kurrsesi ndarje

1 muaj më parë / 8 nën 2025 20:01 Nga: Vlerë Mehmeti
Faton Peci

Për një kryeqytet të bashkuar dhe pa inate ka bërë thirrje në ditën e fundit të fushatës elektorale kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrullah Çeku.

Ai të shtunën kërkoi mbështetjen e qytetarëve për një Prishtinë pa ndasi.

“Hajde ta bëjmë Prishtinën. Është në dorën tonë. Është në zemrat tona. T’I lëmë anash ndasitë. Edhe inatet. Edhe fjalët që na lodhin. Bashkohemi për qytetin tonë. Për lagjet ku fëmijët rriten me siguri dhe dashuri. Për rrugët ku shohim shpresë, jo zhgënjim. Prishtina është e jona. E krejtve. E bashkuar ajo mund të bëhet më shumë se kryeqytet. Mund të bëhet shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë Çeku.

Fushatës së kandidatit për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i është bashkëngjitur edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Aty u zotua për realizimin e Digës së Firajës, për ujësjellësin e qytetit dhe ndërtimin e hekurudhës që do ta lidhë Gjilanin me Prizrenin, Ferizajn dhe Bujanocin.

Kurti gjatë ditës ofroi përkrahje edhe kandidatit për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli.

Të dy premtuan funksionalizimin e Zonës Ekonomike në Lumbardh, si dhe ndërtimin e një rrethrrotullimi në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Takimin përmbyllës, Vetëvendosja e ka organizuar edhe në Mitrovicë të Jugut.

Aty Kurti tha se dyert e qeverisë për kandidatin për kryetar, Faton Peci, do të jenë të hapura për secilin projekt.

"Me Fatonin kryetar të Mitrovicës, me Glaukun, Donikën, mua dhe të gjithë që jemi bashkë këtu rreth Fatonit, e keni të garantuar se do të ketë veçse bashkim, e kurrsesi ndarje 100 për qind, 105 për qind, 105 për qind", deklaroi Kurti.

Edhe kandidati Peci e vuri fokusin te veriu.

"Është e vërtetë që ky shekull është i shqiptarëve sepse pas sakrificës së luftës së shenjtë çlirimtare dhe lirinë që e arritëm deri në urën e Ibrit, prej vitit 2021, sot frymon ndryshe veriu dhe Mitrovica për shkak se në krye të qeverisë së Republikës së Kosovës është figura dhe personaliteti me besimin më të madh në histori të Republikës së Kosovës, që e ka çliru 17 për qind të territorit të Republikës së Kosovës me një hero", ka thënë Peci.

Në ditën e fundit të fushatës, me një video-adresim është drejtuar edhe kandidati për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, i cili ka kërkuar votën e qytetarëve për ndryshimin e qytetit.

Për ndryshime dhe zhvillim të Fushë Kosovës, ka kërkuar mbështetje edhe kandidati për kryetar të kësaj komune, Valon Prebreza.

Gjini: Do ta vazhdojmë punën për ta bërë Gjakovën qytet ku ia vlen të punohet e jetohet

1 muaj më parë / 8 nën 2025 19:58
Ramush Haradinaj

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, që si kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e synon edhe një mandat, është zotuar për ta vazhduar punën në shndërrimin e kësaj komune në një vend ku ia vlen të punohet e të jetohet.

Në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e balotazhit të së dielës, Gjini ka numëruar projektet e realizuara në Gjakovë, ndërsa ka premtuar që ndryshimi do të vazhdojë edhe pas 9 nëntorit.

E atë ditë, ai ka thënë se fitorja e tij në garën me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, është e sigurt.

“Kjo është fitore që nuk matet me numra por me ndjesinë që ta jep një qytet që frymon më mirë se dje, për çdo ditë. Prandaj edhe sot, pas gjithë këtyre viteve, vizioni im për ne, për ju, për të gjithë është po ai, që të mos ndalem. Të vazhdojmë më shumë, më guximshëm, më fuqishëm, sepse për mua kjo nuk është politikë, është misioni për qytetin tim, për komunën time, për fshatin, për të gjithë. Nuk është detyrë, është përkushtim, kjo që po e them. Nuk është fushatë, është kujdes për vendin që e dua, që e dua shumë”, ka thënë Gjini.

Krahas Gjakovës, AAK-ja në balotazh ka shkuar edhe në Komunën e Junikut. Aty, kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që vota më 9 shkurt të shkojë për kandidatin Agron Kuçi, e për të cilin tha se e shndërroi Junikun në model të qeverisjes lokale.

“Agron Kuçi e nisi gjithçka nga zero dhe e shndërroi Junikun në model të qeverisjes lokale, të vlerësuar nga institucione kredibile. Banorët e Junikut gjithmonë kanë treguar pjekuri politike dhe kanë ditur ta vlerësojnë punën e mirë. Me mbështetjen e tyre, më 9 nëntor, Junikut i rikthehet qeverisja që meriton, me Agron Kuçin”, ka deklaruar Haradinaj.

E në Klinë, kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat, Zenun Elezaj, e ka prezantuar projektin për rregullimin e rrugës që e lidhë fshatin Përqevë me rrugën rajonale Prishtinë-Pejë.

“Ky investim do të krijojë kushte shumë më të mira infrastrukturore, duke lehtësuar qarkullimin e banorëve dhe duke shkurtuar distancën rrugore mes Përqevës dhe Klinës. Në çdo cep të komunës sonë, po punojmë që zhvillimi të ndihet dhe të jetë i barabartë për të gjithë”, është shprehur Elezaj.

AAK-ja në balotazh ka shkuar edhe në komunat e Rahovecit dhe të Suharekës.

Kandidatët e LDK-së premtojnë investime në infrastrukturë, arsim dhe iniciativa për rininë në 9 komuna

1 muaj më parë / 8 nën 2025 19:48 Nga: Ardona Popova
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Dragashit për kryetarin aktual dhe kandidatin e partisë së tij për edhe një mandat në krye të kësaj komune, Bexhet Xheladini.

Në ditën e fundit të fushatës për balotazhin e së dielës, ai i numëroi investimet që i ka realizuar LDK-ja në komunë, me Xheladinin kryetar.

“Për LDK, si Prishtina, si Dragashi kanë rëndësi të veçantë, prandaj jam me plot ndër dhe kënaqësi këtu bashkë me tre deputet të Republikës së Kosovës, në këtë qytet të bekuar, me njerëz të bekuar, mikpritës, punëtorë e mbi të gjitha me një kryetar të jashtëzakonshëm, Bexhet Xheladini”, ka thënë Abdixhiku.

E në Viti, kryetari aktual që e synon edhe një mandat, Sokol Haliti, premtoi punësim për mjekë ndërsa ka bërë zotim se do të angazhohet që rinia të mos largohet nga vendi.

Në Prishtinë, kryetari aktual, Përparim Rama, që në balotazh garon kundër kandidatit të Vetëvendosjes, i ka prezantuar projektet e realizuara në kryeqytet dhe ka premtuar investime të reja në rrugët B dhe C.

“Kemi ndriçimin e modernizuar me LED, drita të cilat janë të mençme e tash po vazhdojmë me projekte tjera madhore si me vazhdimin e rrugës A deri në Zllatar, me ndërtimin e çerdhes të re, me krijimin e hapësirave tjera të gjelbra. Po ashtu, edhe me vazhdimin e ndërlidhjes të rrugës B me zonat përreth Muharrem Fejzës”, ka thënë Rama.

Kandidati për edhe një mandat në krye të Obiliqit, Xhafer Gashi, ka folur për investimet në arsim, e për të cilën fushë premtoi projekte të reja.

“Jemi në oborrin e shkollës fillore ‘Naim Frashëri’ këtu në Breznicë. Këtu po e shihni shkollën dhe fushën sportive. Prioritet i jonë do të jetë edhe salla e Edukatës Fizike në fshatin Breznicë. Janë të ndërtuara deri më tani 6 salla të edukatës fizike, 22 fusha sportive dhe palestrat sportive të cilat janë në shërbim të nxënësve dhe aktiviteteve tjera sportive”, ka deklaruar Gashi.

Lidhja Demokratike ka shkuar në balotazh në 9 komuna, përfshirë në Gjilan me Lëvizjen Vetëvendosje, në Pejë po ashtu me LVV-në dhe në Junik me AAK-në.

PDK-ja mbyll fushatën, gjashtë kandidatët në garë zotohen për ndryshim

1 muaj më parë / 8 nën 2025 19:42 Nga: Marigona Brahimi
Shaqir Totaj

Për gjashtë kandidatët e PDK-së që janë në garën e balotazhit për kryetarë komunash, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka kërkuar votë nga qytetarët duke theksuar se lidershipi për ta është shërbim dhe jo privilegj.

Krasniqi tha se fitorja e PDK-së është ndryshimi që qytetarët kanë nevojë për 4 vjetët e ardhshme.

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj derisa kërkoi nga qytetarët mobilizim për fitoren, tha se rezultati i së dielës do të jetë përgjigje ndaj të gjitha akuzave që theksoi se janë bërë pa vend ndaj tij.

Tha se mënyra se si është sjellë me qytetarët do të vlerësohet ditën e diele.

“Rezultati ditën e zgjedhjeve është zero – zero. Prandaj kërkoj që të mobilizoheni të gjithë së bashku, secili anëtar i familjes me të drejtë vote të dalë dhe të votojë, të japë mesazhin përfundimtar. Dhe, kismet, ne do të fitojmë, mirëpo, kismeti e don hyzmetin”, ka thënë Totaj.

Edhe në Mitrovicë, kandidati Arian Tahiri, u zotua se do të jetë në dispozicionin e qytetarëve 24 orë në ditë për çdo kërkesë e çdo sfidë që do ta kenë.

E në Vushtrri kryetari e kandidati edhe për një mandat, Ferit Idrizi, shpërndau video incizimi nga tubimi përmbyllës që mbajti të premten ku tha se prania e tyre është vulë e fitores për edhe një mandat.

“Për t’i dhënë vulën e fitores sonë, për të shënuar, jo vetëm mbylljen e kësaj fushate por edhe hapjen e një kapitulli dhe një rrugëtimi të ri katër vjeçar bashkë me juve”, është shprehur Idrizi.

Në Kaçanik, kandidati për kryetar, Sabedin Vishi, pas një takimi me gratë në disa fshatra të kësaj komune, u zotua për forcimin e rolit të gruas në shoqëri. Ai tha se roli i gruas në politikë, në familje dhe në zhvillimin e komunitetit është i pazëvendësueshëm dhe se me përkrahjen e tyre mund të dërgohet para vizioni për një komunë të zhvilluar, të barabartë dhe me mundësi për të gjithë.

Peci në mbyllje të fushatës: Mitrovica është zemra e Kosovës

1 muaj më parë / 8 nën 2025 18:55
Faton Peci

Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Peci, ka përmbyllur të shtunën fushatën zgjedhore, ku para simpatizantëve dhe qytetarëve ka theksuar rëndësinë e veçantë që ka ky qytet për vendin.

“Mitrovica është zemra e Kosovës”, ka shkruar Peci, duke shtuar se zhvillimi i saj do të jetë një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së tij lokale.

Në fjalimin e tij, Peci ka premtuar zbatimin e disa projekteve zhvillimore për infrastrukturën, arsimin dhe ekonominë lokale.

Në balotazh, që do të mbahet nesër, Peci e ka përballë kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri.

Krasniqi: Kandidatët e PDK-së dëshmojnë se lidershipi është shërbim, jo privilegj

1 muaj më parë / 8 nën 2025 18:39
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se kandidatët e kësaj partie që janë në balotazh për kryetarë komunash më 9 nëntor, janë “njerëz që dëshmojnë çdo ditë se lidershipi është shërbim e jo privilegj”.

PDK-ja të dielën garon në Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë e Dragash.

“Nesër është dita jonë. Dita e PDK-së. Dita kur çdo qytetar, me votën e tij, do të përcaktojë fitoren tonë - si fitore për qytetin e tij”, ka shkruar ai në Facebook. “Këto 24 orë janë gjithçka që kemi. Dhe çdo votë është një hap më afër fitores. Sepse kur t’i mbledhim të gjitha bashkë, do ta bëjmë dallimin dhe ndryshimin që kemi nevojë për katër vitet e ardhshme”.

PDK-ja në raundin e parë të 12 tetorit ka siguruar fitore në Ferizaj, Skënderaj e Hanin e Elezit.

Rama: Vazhdojmë bashkë, për Prishtinë që bashkon, krijon dhe frymëzon

1 muaj më parë / 8 nën 2025 10:08
Perparim Rama

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës dhe kryetar aktual i komunës, Përparim Rama, ka publikuar një video në rrjete sociale.

Aty, Rama ka publikuar disa prej investimeve në kryeqytet. 

"Veç disa prej projekteve që i kemi realizuar, në Prishtinën që zgjohet çdo ditë me energji. Që ecën përpara me ide, me dashni, me guxim. Për qytetin që bashkon, që krijon, që frymëzon. Bashkë vazhdojmë", ka shkruar ai.