Banim social pa pagesë për familjet në nevojë, zhvillim ekonomik, punësim e fuqizim të pozitës së gruas, janë disa nga premtimet e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale.
Nëpërmjet një video-incizimi 25-minutësh, Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, e ka shpalosur programin e tij. Ky program përmban 7 shtylla, e që sipas Hamzës kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim e mirëqenie sociale, mes të tjerash.
Ai ka premtuar se gjatë mandatit të tij, në rast se zgjidhet kryetar, do të ketë banim social të mbuluar nga komuna, për familjet në nevojë.
“Banimi social të mbulohet 100 % nga komuna për familjet në nevojë, të ketë ofrim të banimit për çiftet e reja me kosto të lirë, me projektet e partneritetit publiko-privat. Do të ketë edhe subvencionim të një pjese të qirasë për familjet e dëbuara nga banesat e tyre nga pjesa veriore e Mitrovicës. Sigurim i pakos mujore ushqimore, higjienike dhe veshmbathje”, ka deklaruar Hamza.
Po ashtu, Hamza është zotuar se do ta krijojë fondin e punësimit, i cili parasheh hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe eliminimin e taksave për bizneset e udhëhequra nga gratë.
“Për të krijuar vende të reja të punës do ta krijojmë Fondin e Punësimit. Në kuadër të këtij fondi do të jetë, fondi për punësimin dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me fokus të vecantë tek punësimi i grave rinisë, personave me nevoja të veçanta, atyre në asistencë sociale, krijimin e një ambienti të favorshëm fiskal për ndërmarrjet e vogla, të mesme për investitorët e rinj. Si pjesë e fondit është edhe subvencionimi në paga për bizneset që punësojnë punëtorë të rinj. Por do të jetë edhe fond i vecantë për mbështetjen e grave ndërmarrëse si dhe eliminimin e taksave për bizneset e udhëhequra nga gratë dhe vajzat”, ka thënë Hamza.
Përkrahje për gratë ka premtuar edhe Fadil Nura, kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt, në një tubim ku e pranishme ishte edhe nënkryetarja e partisë, Vlora Çitaku. Por, siç shihet në fotot e publikuara në “Facebook”, gjatë këtij tubimi nuk u përfillën masat anti-COVID.
Ndërkaq, kandidati tjetër i PDK-së, ai për të parin e kryeqytetit, Uran Ismaili, në mënyrë simbolike ka nënshkruar zotimet e tij para banorëve të lagjes “Dardania”.
Ka thënë se arsyeja e zotimit me shkrim është që qytetarët ta mbajnë atë për fjale gjatë mandatit të tij, në rast se zgjidhet kryetar.
“Deri në Tetor 2024 bashkë do t’i ndreqim problemet e mëposhtme të lagjeve: Renovim dhe mirëmbajtje për pjesën te Kurrizi, Platonë dhe tunelet, transformim i qendrës së vogël tregtare prapa Santesë. Parking për çdo familje, pastërti e ndriçim në çdo pjesë të lagjes, largim i azbestit nga ndërtesat, shtim i brezave gjelbërues përgjatë rrugëve kryesore dhe ndërtesave, trajtim i oborrit të Termokiss dhe shkollave të lagjes, shtim i shtigjeve të reja për çiklistë, heqje e rrethojave fizike përreth ndërtesave, lirim i hapësirave të uzurpuara publike, trajtim i fasadës së objekteve të banimit. Funksionalizim i nënkalimit mes Dardanisë dhe Lakrishtes, zgjidhja e problemit të hapësirave të patrajtuara rreth hekurudhës”, ka deklaruar Ismaili.
Edhe kandidatët e tjerë të kësaj partie e kanë vazhduar fushatën me vizita në biznese e fshatra.