Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë dhe takimin me peshkopin Teodosije në Graçanicë, ka thënë se as atij dhe as ndonjërit prej familjarëve të tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk i ka lejuar të hyjnë në Kosovë pa leje.
Vuçiqi për një media serbe “Nacionalni Magazin”, ka thënë se këtë e sheh si trajtim ndryshe.
Sa ka qenë president, Vuçiqi nuk e ka dorëzuar Milan Radoiçiqin ndonëse kërkohet nga Interpoli pasi e mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit.
Ai madje u pa edhe në tubimet elektorale të Vuçiqit.
“Unë prej vitesh nuk mund të hyj në Kosovë. As si qytetar, madje as ndonjë anëtar i familjes sime nuk mund të vijë privatisht, sepse Albin Kurti nuk e lejon këtë. Ndërsa atyre ua lejon”, ka deklaruar Vuçiqi.
Edhe
Kurti për dialogun: Pa u dorëzuar Radoiçiqi e tërhequr letra e Bërnabiqit s’ka takim të nivelit të lartë
Ai ka thënë se përfaqësuesit e Listës Studentore fillimisht kishin deklaruar se nuk kishin shkuar në Kosovë si përfaqësues politikë, ndërsa më pas, në një komunikatë, ishte theksuar se peshkopi Teodosije i kishte pritur si përfaqësues të Listës Studentore.
“Ata e dinin shumë mirë dhe pikërisht për këtë e morën lejen, sepse e dinin”, ka theksuar Vuçiqi.
Aleksandar Vuçiq i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit për të garuar si kryeministër, u mposht nga Lista Studentore pas 12 vjetësh në pushtet.
Përmbysja e Vuçiqit nisi nga 1 nëntori i vitit 2024 kur në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, shembja e një strehe betoni në stacionin e rinovuar hekurudhor la të vdekur 16 persona. Kjo tragjedi solli protesta që vazhduan për më shumë se një vit, duke u shndërruar në njërën prej lëvizjeve më të mëdha qytetare në vend gjatë dekadave të fundit.
Gradualisht, studentët u bënë forca kryesore e protestave, duke organizuar bllokada të fakulteteve, marshime dhe tubime masive në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera të Serbisë.
Lëvizja Studentore arriti të mobilizojë pjesë të gjera të shoqërisë, përfshirë profesorë, fermerë, punëtorë dhe qytetarë për të kundërshtuar mënyrën e qeverisjes së presidentit të atëhershëm Aleksandar Vuçiq dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Edhe
Kurti s’u përgjigjet pretendimeve të Osmanit për “takimin e fshehtë” me Vuçiqin e Lajçakun
Pas kësaj, Lëvizja Studentore u përfshi drejtpërdrejt në garën politike, duke mbështetur një listë zgjedhore të përbërë nga profesionistë, akademikë dhe përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të shoqërisë.
Lista Studentore, fitoi 51.7 për qind në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.