Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Arti i simbolit dhe performimit

Zake Prelvukajt është gjithmonë a

Zake Prelvukajt është gjithmonë aktive dhe kërkuese. Kahet e interesimeve të saj janë të gjithanshme. Ajo kalon nga një fushë e interesimeve, te tjetra, nga arti i kavaletës, në kërkime të artit konceptual. Foto nga ekspozita “Futurama” e Zake Prelvukajt, e hapur më 26 tetor në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

A mund të thuhet se arti i Zake Prelvukajt është art i revoltës, të paktën ndaj paragjy¬kimeve? Mbase po. Një pjesë. Kështu e përkufizon dhe vetë artistja në njërin nga adresimet e saj. Më parë, do të thoshim, është angazhim në vijën e ballafaqimit me paragjykimet, me të drejtat e munguara në një shoqëri jo të vëmendshme ndaj pabarazive. Megjithatë, arti i Prelvukajt është vështirë i inkuadrueshëm në vija të drejta izmash...

Vjen e pritur dhe me shumë interes ekspozita inauguruese e anëtares korrespondente të Seksionit të Arteve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, piktores, artistes Zake Prelvukaj, pedagoge shumëvjeçare në Universitetin e Prishtinës, e afirmuar në qarqet e një gjenerate të vlerësuar fund e maje si shkolla e Prishtinës, një gjeneratë piktorësh, skulptorësh, grafikësh e disenjatorësh, që kapërceu kufijtë lokalë dhe kombëtarë, për të bashkëvepruar me frymën e rrymimeve dhe tendencave të reja në artet europiane e botërore.

E konsideruar si pjesa më e madhe e kësaj gjenerate, artiste multidisiplinare, Zake Prelvukaj ndeshet me ndërthurje sprovash e orientimesh, e dëshmuar njësoj në vizatim, në pikturë, në artin mural, në kostumografi e skenografi, kuratore ekspozitash apo edhe në instalacione e performansa. Megjithatë, ajo mbi të gjitha është piktore dhe piktura mbetet shtegu qendror i veprimtarisë së saj artistike. Por Prelvukaj di ta shndërrojë artin e kavaletës në art të avangardës, artin informel në artin gjestual, jo rrallë me veprime të ekspresionistëve abstraktë. Ajo i vëren objektet rreth saj dhe krijon imazhe duke i inkuadruar copëzat e mozaikut, mikroelemente domethënëse në kompozicione shpesh në kufij të abstrakcionit, edhe pse tabloja e saj nuk e ka gjithmonë atë qëllim. Duhet vërejtur me kujdes vizatimin e saj, atë që mund të konsiderohet mbështetje e nismave të tilla. Artistja e ushtron vizatimin me rituale të përditshme, me shpërfaqje idesh që rrjedhin pashtershëm, me vija jo të sforcuara, të pandërprera, në ndërtime figurash fantazmogorike, sikur të shëmbëllente jashtëtokësorët e supozuar. Figurat e këtilla, edhe në pikturë, shpesh të paraqitura si kontura, në kompozicione e ngjyrime dinamike, duket sikur shndërrohen në marioneta, akte të shfiguruara, gjymtyrë të stërzgjatur shëtitës, që sikur kanë zbritur nga një tjetër planet. Në këto ushtrime ndeshim portrete të trasfiguruara, të ndërtuara mbi imazhe futuriste, për t’i inkuadruar më vonë në tablo, qoftë edhe si kompozime, brenda një kornize simbolesh. 

Foto nga ekspozita “Futurama” e Zake Prelvukajt, e hapur më 26 tetor në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës 

Tabloja e saj nuk është e njëtrajtshme, jo rrallë ndeshim ndërthurje qasjesh, për t’i ndërlidhur herë-herë me qëllime performimi. Ajo vë X-a, shenja targeti, rrathë piketimi mes këmbëve të një akti, manipulon me lojë simbolesh. X-i i saj i brendashkruar, me mozaik mikroelementesh figurative, ndonjëherë shndërrohet në objekt para të cilit pozon dhe vetë. Sprovohet para një shtylle të katranosur elektrike, të shkrirë nga dielli, për të stampuar, t’u themi grafika të llojit të saj, krijime me ndërhyrje të lehta vizatimi, ku përvidhen akte, silueta lëvizëse, kompozicione brenda shtresës së përfituar, gjithnjë në forma dhe lëvizje të ndryshuara. Janë si grafika, por nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, estampa viguroze të realizuara në cikle nga viti 2000 e këndej. Zakja ngjit lerën në shtyllën elektrike, në katranin e shkrirë dhe përvjedh midis njollave figura fantazmogorike, krijime në dukje të thjeshta, por inventive, siç kishte vepruar më herët, duke përngjitur trupin e ngjyrosur në kanavacën e shtrirë, mbase për të nxitur, siç thotë vetë, reagimin e shoqërisë paragjykuese. Performansa, duke inkuadruar veten midis rreckave, para X-ave, si pjesë e kompozicioneve, veprime jo pak të njohura te krijueset avangarde, shoqëruar me video-xhirime alla “Trupi im brushë”, pozicionime para tablosë, nuk duhet kuptuar si ekzibicione, është formë provokimi, proteste ndaj komplekseve të një shoqërie që e ka të vështirë shkëputjen prej tyre. 

X-i si “shenjë, target” para të cilit pozon, është gjithashtu pjesë e performansës dhe jo signature spirituale, si ajo e katallanit Antoni Tàpies, i cili e përqendron dendur në tablotë të tij enformeliste. Ajo (shenja) paraqet misterin, vdekjen, të panjohurën, thotë Tàpies, derisa te Prelvukaj është rekuizit, figurë, objekt para të cilit performon, ose rreth të cilit ndërton një botë ndërthurjesh, një mikrokosmos që ka në qendër atë që artistja përcakton si target. Dhe në këtë target, vendos veten. X-at flasin, thotë Prelvukaj, janë botë misteresh që kërkon të hapet, të zbërthehet. Mbase këtë kuptim ka çelësi që paraqitet në mesin e tyre.

Nga gjithë këto konstatime, nuk kemi si e veçojmë artin e saj nga angazhimi gjinor. A mund të thuhet se arti i Prelvukajt është art i revoltës, të paktën ndaj paragjy¬kimeve? Mbase po. Një pjesë. Kështu e përkufizon dhe vetë artistja në njërin nga adresimet e saj. Më parë, do të thoshim, është angazhim në vijën e ballafaqimit me paragjykimet, me të drejtat e munguara në një shoqëri jo të vëmendshme ndaj pabarazive. Megjithatë, arti i Prelvukajt është vështirë i inkuadrueshëm në vija të drejta izmash, ajo gjurmon midis tyre, herë-herë përmes një abstrakcioni ekspresiv, në kufijtë e enformelit, duke kaluar nga figura konkrete me pikado mes këmbëve, tek “jasht-tokësorët” fantazmogorikë, brenda vijave të drejta (edhe të X-it), nga të cilat pastaj do të burojë figura, një portret, një akt, një trup i torzuar, një kokë në klithje, trajtuara me paletën e pasur, me gamën e gjerë, të gjithanshme, të kërkuar me shumë përpjekje, për të gjetur harmoninë e ngjyrës dhe për të mos e vënë spektrin e saj në kontraste që vrasin.     

Zake Prelvukajt është gjithmonë aktive dhe kërkuese. Kahet e interesimeve të saj janë të gjithanshme. Ajo kalon nga një fushë e interesimeve, te tjetra, nga arti i kavaletës, në kërkime të artit konceptual. Performon, duke i shndërruar tablotë që qëndrojnë edhe vetëm, të pavarura, në pjesë të instalacioneve e performancave. E ndeshim në disa kënde të Prishtinës duke aplikuar mur-artin, është aktive në debate dhe angazhime shoqërore, jo rrallë paraqitet në faqe të revistave, portaleve, ekraneve televizive me mendime për artin, është vlerësuar puna e saj pedagogjike si profesoreshë e pikturës në Fakultetin e Arteve të UP-së. Zake Prelvukaj është në kulmet e krijimtarisë dhe ne, gjithsesi, do të presim dhe paraqitje të tjera të punës së saj, ashtu siç i kemi mirëpritur dhe herë të tjera, në këto ambien¬te, paraardhësit e Seksionit të Arteve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.