Zgjedhjet lokale

Totaj thotë se i ka shanset e mira për të arritur fitore spektakolare në Prizren

totaj

Kandidati për kryetar të Shtimes, Përparim Ramusa tha se do t’i jap fund mbylljes së komunës ndaj qytetarëve, ndërsa në Prizren, Shaqir Totaj deklaroi se pret një fitore spektakolare. Në Prishtinë, Uran Ismaili foli për ndërtimin e një kulture të llogaridhënies, derisa në Podujevë, Isak Shabani kritikoi menaxhimin e tanishëm komunal

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Shtimes, Përparim Ramusa, ka deklaruar se komuna është keqqeverisur gjatë mandatit të kaluar dhe ka theksuar se kandidatura e tij ofron transparencë dhe llogaridhënie. Ai tha se do t’i jap fund mbylljes së komunës ndaj qytetarit.  

“Shtimja ka nevojë për duar të pastra për njerëz që nuk fshihen pas premtimeve, por punojnë me zemër e me ndershmëri. Shumë gjëra kanë shkuar keq, pak gjëra janë bërë me transparencë. Qytetarët kanë të drejtë të dinë ku shkon çdo euro, kush merr vendime, e për këto vendime kush mbanë përgjegjësi”, ka thënë ai.

E në Prizren, gjatë një takimi me të rinjtë e PDK-së në këtë komunë, kryetari e kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj ka thënë se pika më e fortë e tij është puna e bërë gjatë katër viteve të shkuara, tek tha se janë afër një fitoreje spektakolare.

“Performanca nuk njeh as dijen, as angazhimin. Performanca e njeh rezultatin e punës dhe ne i kemi pasur rezultatet tona. I kemi gjasat shumë të mira ta realizojmë një fitore pak më spektakolare në ditën e 12 tetorit që nuk është shumë larg”, ka deklaruar ai.

Uran Ismaili, kandidati për kryetar të Prishtinës gjatë një takimi me student tha se, po qe se e merr mandatin, do të instaloj një kulturë llogaridhënie në qeverisjen komunale.

“Unë i kam dy obligime: t’i realizoj ato që i premtoj dhe të krijoj një kulturë të llogaridhënies. Nëse unë vij nesër dhe them se kjo është ajo që e kam premtuar, mendoj që e instaloj një kulturë të llogaridhënies edhe për ata që vijnë pas meje, që ju edukoheni krejt edhe si publik edukohemi që nuk kemi nevojë të pranojmë diçka që nuk është reale”, ka theksuar ai.

E Petrit Hajdari, në garën për Komunën e Drenasit, ka thënë se ai është kandidati i vetëm që përfaqëson Partinë Demokratike. Pasi edhe kundërkandidati i tij, Ramiz Lladrovci, që pak para zgjedhjeve ka themeluar një parti, pretendon të jetë “përfaqësuesi i vërtetë i PDK-së.

“Me fotografi të arkivit nuk kalohet, me kujtime të vjetra nuk mashtrohet Drenasi. Nuk mjafton me dalë në foto të vjetra e me u kujtu veç kur vjen fushata. Kush ka qenë turist në PDK, s’mundet sot me u paraqit si themelues. Ka qenë në parti për interes, jo për ideal. Sot e din krejt Drenasi që edhe drejtorët e tij janë kundër PDK-së, sepse s’kanë të përbashkët as vizionin, as vlerat. Drenasi i njeh mirë ata që kanë punuar për këtë parti e për këtë vend, edhe ata që e kanë përdor për vete e foto. Kur ‘miliunat’ janë zhdukur nëpër projekte e pazare, nuk të shpëton dot as fotografia, as fjalët e mëdha të shtihuara. Më 12 tetor, qytetarët kanë me e çu në shtëpi mashtruesin, me votë, me dinjitet dhe me bindjen që Drenasi nuk shitet për interesa personale, kurrë”, ka shkruar Hajdari në Facebook.

Kritika për qeverisjen në Podujevë pati kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune, Isak Shabani.

“Kemi parë shkolla pa nxënës, fshatra që zbrazen, bujqësi pa mbështetje, rini e sport pa vizion, administratë të politizuar e punësime pa meritokraci. Por unë besoj se ka zgjidhje. Programi im për Podujevën është çelësi i ndryshimit”, ka thënë ai.

E kryetari i partisë, Memli Krasniqi përmes një video që publikoi në Facebook, i uroj të gjithë përkrahësve të PDK-së përvjetorin e 26 të themelimit të partisë, tek kërkoi mbështetjen e tyre në këto zgjedhje lokale.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e 28-të e fushatës