Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër të vendit, Bedri Hazma, ka shpërndarë një video në rrjetet sociale që në kritikë e vë Vetëvendosjen për, siç ka thënë, gjuhën përçarëse.
Një javë para ditës së zgjedhjeve të parakohshme, Hamza ka theksuar se krizat e vazhdueshme janë pasojë e ndarjeve politike, ndërsa zgjidhja, sipas tij, qëndron te një qasje që synon bashkëpunim dhe jo përplasjen.
“A nuk jeni lodhur ende nga përçarjet dhe krizat? Unë po! Sepse kur jemi të ndarë, humbim të gjithë, humb qytetari, humb shteti, humb Kosova. Unë nuk besoj në politikë që përçan, unë besoj në bashkim. Sepse vetëm bashkë jemi më të fortë, vetëm bashkë fitojmë. Ju ftoj të më bashkoheni për ta çuar Kosovën përpara”, ka thënë Hamza.
Gjatë takimit me biznese të ndryshme të dielën, kandidati i PDK-së, Hamza, ka premtuar ndryshim të mënyrës së pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara, lirimin nga tatimi të bizneseve me qarkullim deri në 10 mijë euro dhe tatim sipas fitimit real për ato deri në 30 mijë euro, duke theksuar se lehtësimi i qasjes në kredi dhe nxitja e investimeve do të ndikojnë në rritje ekonomike dhe punësim.
Ai është zotuar edhe për lehtësira të tjera të të bërit biznes.
“Ne duhet t’ua krijojmë kushtet juve që ju të punoni edhe t’ju furnizojmë me rrymë, dhe çmimin e rrymës t’ua lirojmë pak sepse është bërë barrë e madhe. E qe besa pritet të shtrenjtohet edhe tatimi në pronë dhe e ke pronën këtu e është goxha shumë”, ka thënë Hamza.
Hamza gjatë të dielës bashkë me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e kandidatë për deputetë nga PDK-ja kanë takuar qytetarë në sheshet e rrugët e Prizrenit.
Kandidati për kryeministër ka thënë se me qeverisjen e tij viti i ri do të jetë një fillim i ri për Kosovën.
“Lidhja e Prizrenit, histori bashkimi që frymëzon për shtet dhe dinjitet. Bashkë. Përpara”, ka shkruar Hamza pas tubimit në Prizren.
E kryetari i Prizrenit, Totaj, ka thënë se Partia Demokratike është i vetmi opsion serioz dhe i besueshëm për ta çuar vendin përpara, për të ndërtuar stabilitet, zhvillim dhe për t’ua kthyer shpresën qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë.
“Qytetin e fitoreve të PDK-së e vizitoi sot miku im, kryeministri i ardhshëm Bedri Hamza, ku së bashku bëmë një shëtitje në qendrën e Prizrenit, në shoqëri të kandidatëve prizrenas për deputetë dhe biseduam për ndryshimin e domosdoshëm pozitiv që e pret Kosovën pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Partia Demokratike e Kosovës, me numrin 130 në këto zgjedhje, është i vetmi opsion serioz dhe i besueshëm për ta çuar vendin përpara, për të ndërtuar stabilitet, zhvillim dhe për t’ua kthyer shpresën qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë”, ka shkruar Totaj.
Për Hamzën kryeministër dhe për veten, votë ka kërkuar edhe numri dy në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.
Ai ka thënë se çdo votë Hamza do ta kthejë me punë kur të marrë drejtimin e ekzekutivit.
“Nuk ka familje në Kosovë që nuk ka me iu përmirësu gjendja me qeverinë e Bedri Hamzës”, ka thënë Ismaili.
Ai ka zhvilluar gjatë ditës së diel edhe një takim me fermerë, ku po ashtu ka premtuar në emër të Hamzës.
“Në takimin tim me fermerë, fola për hapat konkretë në programin e Bedri Hamzës që do ta trajtojnë problemin e çmimeve të papërballueshme. Do ta heqim TVSH-në nga energjia elektrike dhe nga produktet esenciale në mënyrë që kostoja e jetës të ulet për të gjithë”, ka shkruar ai.
Fushatë ndaras prej liderit të partisë kanë bërë edhe kandidatë të tjerë të PDK-së.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të dytat për Kuvend të Kosovës që mbahen gjatë këtij viti. Në ato të shkurtit PDK-ja doli e dyta me 21% të votave.