Qëndrimi ulur për periudha të gjata është bërë pjesë e jetës moderne. Vlerësohet se të rinjtë kalojnë rreth gjashtë orë në ditë ulur, dhe kjo mënyrë jetese ndikon negativisht në funksionimin e enëve të gjakut, ka raportuar SciTechDaily.
Studimet e mëhershme tregojnë se qëndrimi ulur edhe për vetëm 1 për qind në funksionin vaskular (matet me Flow-Mediated Dilatation, FMD) shoqërohet me rritje prej 13 për qind të rrezikut për, sëmundjet e zemrës, sulmet në tru dhe infarktet.
Studiuesit e një hulumtimi të ri donin të zbulonin nëse zgjedhjet ushqimore, sidomos ushqimet natyrale të pasura me flavanole, mund të mbronin enët e gjakut nga efektet negative të qëndrimit ulur.
Çfarë janë flavanolet dhe pse janë të rëndësishme?
Flavanolët janë komponime bimore që gjenden në fruta, çaj, arra dhe në farat e kakaos. Hulumtimet e mëhershme tregojnë se ato përmirësojnë shëndetin e zemrës dhe mund të mbrojnë enët e gjakut gjatë periudhave të stresit.
Hulumtimi i ri është publikuar në Journal of Physiology.
“Edhe kur thjesht rrimë ulur, në zyrë, në makinë, në tren apo në shtëpi, ne sërish e vëmë trupin nën stres. Gjetja e mënyrave për ta zbutur ndikimin e uljes së pandërprerë në sistemin vaskular mund të na ndihmojë të ulim rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare”, ka thënë doktoresha, Catarina Rendeiro, profesoreshë në Shkencat Ushqimore në University of Birmingham dhe autore kryesore e studimit.
Si u krye studimi?
Për të kuptuar ndikimin e flavanoleve, studiuesit testuan efektin e tyre para një periudhe të kontrolluar prej dy orësh qëndrimi ulur.
Në studim morën pjesë 40 burra të rinj dhe të shëndetshëm, gjysma që bënin shumë ushtrime fitnesi, e gjysma më pak.
Secili prej tyre piu ose:
-një pije kakao me shumë flavanolë (695 mg), ose
-një pije kakao me shumë pak flavanolë (5.6 mg).
Pastaj qëndruan ulur për dy orë pa lëvizur.
Gratë nuk u përfshinë sepse ndryshimet hormonale gjatë ciklit menstrual mund të ndikojnë mënyrën se si trupi reagon ndaj flavanoleve.
Para dhe pas uljes, u matën:
-FMD në arteriet e krahëve dhe këmbëve
-qarkullimi i gjakut
-presioni i gjakut
-oksigjenimi i muskujve të këmbëve
Kakaoja me shumë flavanolë parandalon dobësimin e enëve të gjakut
Rezultatet treguan se pjesëmarrësit që pinë pijen me pak flavanolë patën:
-ulje të funksionit të enëve të gjakut (FMD),
-rritje të presionit diastolik,
-qarkullim më të dobët,
-oksigjenim më të ulët të muskujve.
Kjo ndodhi si te grupi grupi që bënte shumë ushtrime, ashtu edhe te grupi që nuk ushtronte edhe aq.
Por te grupi që konsumoi pijen me shumë flavanolë, nuk pati fare rënie të funksionit të enëve të gjakut në krahë apo këmbë. Ky është studimi i parë që tregon se flavanolët mund të parandalojnë dëmtimet vaskulare të shkaktuara nga qëndrimi ulur për kohë të gjatë.
“Eksperimenti ynë tregon se nivelet e larta të ushtrimeve nuk e mbrojnë trupin nga dëmtimet e përkohshme të enëve të gjakut që shkakton qëndrimi ulur. Por pas pijeve me shumë flavanolë, pjesëmarrësit, qofshin të aftë apo më pak të aftë fizikisht, e ruajtën funksionin vaskular të pandryshuar”, ka thënë Sam Lucas, bashkëautor i studimit.
Rezultatet kanë treguar gjithashtu se efektet pozitive të flavanoleve nuk varen nga niveli i ushtrimeve. Pra, ato mund të ndihmojnë pothuajse të gjithë.
Si t’i fusim flavanolet në dietën e përditshme?
“Është shumë e lehtë të shtosh ushqime me shumë flavanolë në dietë. Ekzistojnë produkte me kakao të përpunuara në mënyrë që ruajnë nivelet e flavanoleve. Nëse nuk ju pëlqen kakaoja, frutat si mollët, kumbullat, manaferrat, arrat dhe çaji i zi apo jeshil janë shumë të përhapur dhe të lehtë për t’u gjetur”, ka thënë Alessio Daniele, student i doktoraturës
Në fund, Rendeiro ka theksuar se konsumimi i ushqimeve dhe pijeve të pasura me flavanolë gjatë periudhave kur rrimë ulur është mënyrë e mirë për të ulur efektet e pasivitetit te enët e gjakut.
“Duke shtuar edhe pushime të shkurtra, ndonjë ecje të shkurtër apo thjesht qëndrim në këmbë, mund të përmirësojmë ndjeshëm shëndetin afatgjatë”, ka thënë ai.