Me ardhjen e sezonit të viruseve të frymëmarrjes, shumë njerëz pyesin veten se si të shmangin ftohjet dhe gripin dhe si t’i trajtojnë ato nëse sëmuren.
Megjithatë, ka shumë mite dhe keqkuptime rreth tyre. Yahoo ka shkruar disa nga mitet më të zakonshme që mjekët dëshirojnë t'i sqarojnë.
Miti numër 1: Ftohja shkaktohet nga një virus i vetëm
Një nga arsyeja pse njerëzit mund të ftohen më shumë se një herë në sezon është se këto ftohje mund të shkaktohen nga më shumë se 200 viruse të ndryshme. Viruset më të zakonshëm që shkaktojnë ftohjet janë viruset e hundës të njohur si rhinoviruset, por gjithashtu janë përfshirë edhe coronaviruset, adenoviruset dhe enteroviruset.
“Për këtë arsye, mund të sëmureni disa herë brenda sezonit, edhe pasi e keni kaluar një ftohje”, ka thënë specialisti i sëmundjeve infektive, Thomas Russo.
Miti numër 2: Dalja jashtë me flokë të lagur rrit rrezikun për ftohje
Një tjetër mit i zakonshëm është se flokët e lagur ose ndjenja e ftohtit rrit mundësinë e të ftohurit.
Doktori William Schaffner, i cili është ekspert në sëmundje infektive, e kundërshton këtë.
“Ftohjet shkaktohen nga viruset dhe fakti që keni flokë të lagur ose ndiheni të ftohtë nuk ndikon”, ka thënë ai.
Studimet kanë treguar se pavarësisht se disa persona ndiheshin të ftohtë dhe ishin të lagur, ata gjithsesi u infektuan me të njëjtin virus si ata që nuk kishin ftohtë e flokë të lagur.
Miti numër 3: Vitamina C mund ta parandalojë ftohjen
Shumë njerëz besojnë se vitamina C mund të parandalojë ftohjet, por kjo nuk është e vërtetë.
Një studim që shqyrtoi 29 testime klinike dhe më shumë se 11,000 persona, ka sugjeruar se marrja e vitaminës C rregullisht nuk zvogëlon rrezikun për t’u ftohur.
Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (NIH) gjithashtu kanë deklaruar se “suplementet e vitaminës C nuk reduktojnë rrezikun për ftohje”.
Megjithatë, disa studime sugjerojnë se vitamina C mund të ndihmojë në uljen e ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së simptomave të ftohjes pasi të fillojë ajo.
“Nuk ka të dhëna që mbështesin përdorimin e vitaminës C për të ulur rrezikun e marrjes së ftohjes”, ka thënë Russo.
Miti numër 4: Ftohjet ndodhin vetëm në dimër
Ani pse ftohjet janë më të zakonshme në dimër, ato mund të ndodhin në çdo periudhë të vitit.
“Viruset janë gjithmonë aty, dhe disa janë më të pranishëm gjatë disa periudhave të vitit se të tjerët. Ftohjet dimërore shpesh shkaktohen nga rhinoviruset, por edhe viruse të tjera si enteroviruset mund të shkaktojnë ftohje gjatë verës”, ka bërë të ditur Russo.
Miti numër 5: Antibiotikët do të ndihmojnë trajtimin e ftohjes
Antibiotikët janë të paefektshëm kundër ftohjeve sepse këto ilaçe janë për trajtimin e infeksioneve bakteriale, ndërsa ftohjet shkaktohen nga viruset.
“Antibiotikët janë të orientuar kundër baktereve, jo viruseve. Përdorimi i antibiotikëve pa nevojë mund të çojë në rezistencë ndaj antibiotikëve, duke i bërë bakteret më të forta dhe më të vështira për t'u trajtuar”, ka shpjeguar Russo.
Kurse Schaffner ka shtuar se përdorimi i antibiotikëve pa arsye jo vetëm që mund të shkaktojë efekte anësore, por gjithashtu rrezikon që bakteret të bëhen më rezistente ndaj antibiotikëve.
Nëse njerëzit kanë simptoma të rënda, si dhimbje të fytit të forta ose ethe, është e rëndësishme të konsultohen me mjekun përkatës për të siguruar që nuk bëhet fjalë për një infeksion bakterial si streptokoku ose pneumonia.
Përfundim
Duke njohur këto mite, mund të shmangen keqkuptimet dhe të trajtohen më mirë ftohjet. Ekspertë këshillojnë që duhet të mbahet higjiena e duarve, duhet pushuar mjaftueshëm dhe duhet bërë kujdes ndaj vetes, ndërkohë që nuk duhet rënë viktimë e miteve të zakonshme si përdorimi i vitaminës C për të parandaluar ftohjet ose antibiotikët për t’i trajtuar ato.