Ka shumë metoda dhe shtesa me vitamina që promovohen për “forcimin” e sistemit imunitar, BBC ka shkruar për disa, duke shtuar pyetjen se a është e mundur të përmirësohet imuniteti përmes tyre?
Zhytja në ujë të ftohtë: Pavarësisht se noti në ujë të ftohtë mund t'i japë adrenalinë trupit dhe të çlirojë qeliza që mbrojnë imunitetin, studimet kanë treguar se ky efekt është i përkohshëm. Pas disa orësh, sistemi imunitar kthehet në normalitet.
“Nuk ka prova që tregojnë se ata që zhyten në ujë të ftohtë kanë më pak ftohje apo infeksione”, ka thënë profesoresha Eleanor Riley nga Universiteti i Edinburgut.
Ushtimet fizike: Ushtrimet e rregullta mund të jenë përfitimet më të qëndrueshme për sistemin imunitar.
“Ushtrimet e moderuara ndihmojnë në uljen e infeksioneve virale”, ka thënë doktoresha Margaret McCartney.
Studiuesit kanë sugjeruar se njerëzit që ushtrojnë rregullisht kanë sistem imunitar më të ri, madje disa studiues kanë gjetur se 80-vjeçarët që bëjnë ushtrime fizike kanë sisteme imunitare si ato të njerëzve shumë më të rinj.
Shtesat apo suplementet me vitamina: Vitaminat, si vitamina C, që shpesh lidhen me forcimin e imunitetit, nuk japin përfitime të mëdha për shumicën e njerëzve, përveçse nëse kanë mungesë të këtyre vitaminave.
“Një shumëllojshmëri vitaminash mund të krijojnë thjesht vetëm urinë”, ka thënë McCartney.
Megjithatë, vitamina D mund të ketë disa përfitime për ata që kanë nivele të ulëta të saj, sidomos për ata që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes.
Duhet t’i kushtohet vëmendje ditës: Sistemi imunitar ka cikël 24-orësh dhe është më efektiv në mëngjes.
“Në mëngjes, sistemi imunitar është në kulmin e tij dhe fillon të ulet rreth orës 4 ose 5 të pasdite”, ka thënë Riley.
Faktorët që dëmtojnë imunitetin: Disa zakone mund të dobësojnë sistemin imunitar. Konsumimi i duhant është faktor i madh rreziku, pasi dëmton mushkëritë dhe rrit inflamacionin.
“Nëse i mendoni mushkëritë si një sitë, duhani krijon vrima në të, duke lejuar kalimin më të lehtë të viruseve”, ka thënë doktori John Tregoning.
Po ashtu, mbipesha rrit inflamacionin dhe përkeqëson sistemin imunitar.
Stresi: Stresi i vazhdueshëm rrit nivelet e kortizolit, i cili ndikon negativisht në sistemin imunitar.
“Kur je më pak i stresuar, niveli i kortizolit bie, duke i mundësuar sistemit imunitar të funksionojë më mirë”, ka shpjeguar Tregoning.
Po ashtu, aktivitelet që ulin stresin si kalimi i kohës në natyrë ose socializimi ndihmojnë në forcimin e mbrojtjes natyrore.
Spërkatësit për hundë: Përdorimi i spërkatësve për hundë me ujë të kripur ka treguar rezultate pozitive në shkurtimin e kohëzgjatjes së sëmundjes.
Një studim i botuar në Lancet ka treguar se përdorimi i këtyre spërkatësve zvogëlon kohën e sëmundjes për dy ditë.
A mund të përmirësohet vërtetë sistemi imunitar?
Nëse njerëzit kujdesen për shëndetin duke mos pirë duhan, duke ngrënë shëndetshëm dhe bërë rregullisht ushtrime fizike, sistemi imunitar është në formën më të mirë për t’u përballur me infeksionet.
“Nuk ka prova se mund të forconi sistemin imunitar më shumë sesa të jetoni shëndetshëm, por mund të merrni masa për të parandaluar infeksionet, si vaksinat dhe shmangia e kontaktit me ata që janë të sëmurë”, ka thënë Riley.