Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Rama kushtëzon tërheqjen nga nisma për taksë për jorezidentët

Perparim Rama

Pas kritikave të shumta për propozimin për tarifimin e hyrjes në Prishtinë, kryetari, Përparim Rama, ka thënë se me të synohet sigurimi i mjeteve financiare për projekte të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e unazës së qytetit. Reagime ka pasur edhe nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat këtë nismë e kanë cilësuar diskriminuese

Procedurat që ka nisur Komuna e Prishtinës për ta jetësuar nismën e vendosjes së një tarife për automjetet që hyjnë në kryeqytet, sipas kryetarit Përparim Rama, lidhen me nevojën për sigurimin e mjeteve financiare për projekte të mëdha infrastrukturore, në veçanti për ndërtimin e unazës së qytetit.
Në një status në Facebook, Rama ka theksuar se ideja për tarifimin e automjeteve që nuk janë të regjistruara në kryeqytet është vetëm një propozim për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë.

“Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e unazës së kryeqytetit, një projekt që do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë. Po e ritheksoj se kjo nuk është një tarifë e planifikuar apo e vendosur. Po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga kjo qeveri”, ka thënë Rama, pas kundërshtimeve që ka nxitur paralajmërimi për taksën.

Për pretendimet e kryetarit Rama se fondet e BERZH-it për projektin e unazës së Prishtinës po mbahen të bllokuara, KOHA ka kërkuar sqarime nga Ministria e Financave, por deri në publikimin e kronikës nuk ka pranuar përgjigje.

E, sipas Ramës, paketa financiare për realizimin e këtij projekti arrinte vlerën e rreth 206 milionë eurove, ku deri në 40 për qind e shumës ishin grant, mjete që nuk do të duhej të ktheheshin nga qytetarët.

“Ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë: zhbllokimi i fondeve të BERZH-it dhe lejimi i realizimit të projektit të unazës së qytetit. Nëse këto fonde zhbllokohen nga Qeveria, nuk do të ketë tarifa për askënd”, ka thënë ai.

Edhe Rama: Nëse Qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për unazën e qytetit, s’do të ketë tarifa për askënd Arbëri 1 muaj më parë Rama: Nëse Qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për unazën e qytetit, s’do të ketë tarifa për askënd

Sipas Ramës , tarifa do të mund të ishte 1 deri në 2 euro për automjetet që hyjnë në qendër të Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që qarkullojnë në qendër.

Megjithatë, Rama deklaroi se vendimi i fundit do t’u takojë qytetarëve.

Por në draftrregulloren e publikuar nga Komuna e Prishtinës për konsultim publik thuhet se “çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 eurosh për hyrje”, pa u përmendur ndonjë kategori e veçantë e automjeteve, siç janë kamionët.

Ndaj deklaratës së Ramës, ka reaguar shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në kryeqytet, Gëzim Sveçla. 

Ai ka thënë se qëndrimi i Ramës është zmbrapsje. Sipas tij, Rama nuk po e thotë as të vërtetën për çështjen e vlerës që parashihet si taksë.

Edhe Ramës i kërkohet tërheqja nga taksa 10-euroshe për joprishtinasit Arbëri 1 muaj më parë Ramës i kërkohet tërheqja nga taksa 10-euroshe për joprishtinasit

E Sipas Besnik Muçajt nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, propozimi për vendosjen e taksës është diskriminues, pasi kryeqyteti tashmë përfiton mjete shtesë nga niveli qendror pikërisht për shkak të rolit që ka në ofrimin e shërbimeve edhe për qytetarët e komunave të tjera. 

Draftrregullorja parasheh gjithashtu vendosjen e tarifave të reja për 43 kategori të veprimtarive ekonomike, me vlerë nga 300 deri në 3 mijë euro.