Vetura të shumta hyjnë e dalin nga Prishtina çdo ditë.
Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një dite në kryeqytet hyjnë rreth 140 mijë vetura.
E për të ulur këtë ngarkesë ai ka deklaruar se janë duke e shqyrtuar mundësinë për vendosjen e një takse prej 1 ose 2 euro për veturat që hyjnë në Prishtinë gjatë ditës.
Kjo ka ngjallur reagime të shumta.
Disa qytetarë mendojnë se një gjë e tillë është e pamundur të bëhet.
“Me nis sa njeriu vjen këtu, nëse i krijon kushtet dhe ta lësh veturën jashtë, me një vendparking e autobusët gjenden aty, do të ishte mirë. Por në qoftë se vetëm se vjen njeriu në këmbë apo të paguajë një euro... ndoshta ka raste që vijnë çdo ditë e disa herë në ditë. Nuk e shoh të arsyeshme, nuk e di”, ka thënë një qytetar.
E një tjetër ka thënë se paraprakisht duhet që atyre që duhet të paguajnë për hyrje, t’u mundësohen kushtet që të sillen rreth e rrotull për të mos hyrë në qendër.
Disa të tjerë mendojnë që është një ide e qëlluar.
“Unë kisha thanë 20 euro me e bë. Se 90 për qind, nj njeri në veturë, çka lyp ai me shëtitë. Kerri është për nevoja, pse me dalë me u shëtitë me kerr e me e ngarku komunikacionin. 20 euro dhe pak është për mendimin tim. Veç me i largu këto vetura”, ka thënë një qytetar. “Le ta përdorin autobusin e taksinë”.
Reagime ka pasur edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të cilët thonë se kjo do të ishte një diskriminim për qytetarët.
“Më mirë do të ishte të hapej sheshi Xhorxh Bush sesa që të hyjë në veprime që vetëm mund t’ua vështirësojnë edhe lëvizjen qytetarëve të Kosovës, por edhe punën atij si kryetar i Prishtinës. Nuk mundeni ju të ndërmerrni veprime... Nuk duhet marrë shembuj nga vende të tjera, sepse situata është krejt tjetër. Është kufizim i lirisë, diskriminim në baza rajonale sepse vetëm Prishtina po e vendos këtë ‘rregull’. Atëherë do të mund çdo qendër të vendoste tarifa”, ka thënë Behxhet Shala nga KMDLNJ.
Shala ka thënë se duhet të shikohet nëse ka baza ligjore për ta bërë një gjë të tillë.
Sipas tij, Prishtina nuk mund të krahasohet me vendet evropiane sa i përket këtij aspekti.
Ndryshe, që në mandatin e parë, kryetari i Prishtinës, Përpraim Rama, ka deklaruar për synimin e tij për të pasur sa më pak vetura brenda qytetit.
Për këtë ai pati premtuar edhe krijimin e disa parkingjeve në hyrje të Prishtinës që do të mundësonte këtë gjë, mirëpo ende nuk janë ndërtuar ato.