Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

2 euro për të hyrë me veturë në qendër të Prishtinës

kolona rruga "Agim Ramadani"

Qytetarët që hyjnë me vetura në zonën qendrore të Prishtinës mund të përballen me një tarifë prej dy eurosh në ditë. Propozimi për vendosjen e saj është pjesë e plotësim-ndryshimit të Rregullores për Tarifa, e cila pritet të shqyrtohet në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Prishtinës, që do të mbahet të premten. Këtë e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e po ashtu edhe ekspertë të komunikacionit

Të premten pritet të mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku pikë e rendit të ditës do të jetë edhe Rregullorja për Tarifa të kryeqytetit. Në të do të diskutohet edhe vendosja e tarifës prej 2 eurosh për veturat që futen brenda zonës “Qendër”.

Zona e propozuar si “Zonë e kufizuar e lëvizjes” përfshin një numër të madh të rrugëve në qendër të Prishtinës.

Në listë janë rrugët “Fehmi Lladrovci”, “Xhevë Lladrovci”, “Afrim Zhitia”, “Agim Ramadani”, “Ilir Konushevci”, “Hekurudha”, “Sami Plakolli”, “Zagrebi”, “Tirana”, “Jusuf Gërvalla” dhe “5 Maji”.

Sipas propozimit, për të kaluar me veturë në këtë zonë, qytetarët do të duhet të paguajnë 2 euro në ditë për secilën veturë.

Por, ekspertë të komunikacionit shprehin shqetësime për pasojat që mund të ketë kjo masë.

Madje sipas Nol Dedajt, ky propozim rëndon xhepin e qytetarëve, sepse janë 2 euro në ditë e 40 në muaj.

“Nuk e di kush e ka dhënë këtë arsyeshmëri ekonomike për secilin qytetar? Çka do të ndodhë me një qytetar që është 5 herë në javë brenda qendrës? Do t’i kushtojë 2 euro në ditë. Në javë do t’i kushtojë 10 euro e në muaj 40 euro! Cila more është arsyeshmëria?”, ka pyetur ai.

Këtë propozim ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë Lëvizja Vetëvendosje në seancën e Kuvendit Komunal.

Sipas asamblistëve të kësaj partie, kryetari Rama ka dështuar të shtojë autobusët e të krijojë alternativa për lëvizje.

“Përveç që infrastruktura rrugore është në gjendje të mjerueshme, kryetari Përparim Rama vendos tarifa që ua vështirëson jetën banorëve të Prishtinës dhe nuk do të jetë e zbatueshme, sepse kemi të bëjmë me mungesë të trafikut funksional, kemi të bëjmë me mungesë të autobusëve dhe rrjedhimisht nuk mund të zëvendësojmë përdorimin e veturave”, ka thënë asamblisti Besart Krasniqi.

Ai ka theksuar se Vetëvendosja si e vetme nuk ka fuqi për ta ndaluar miratimin e kësaj projekt-rregulloreje, e për këtë ka kërkuar ndihmë nga asamblistët e LDK-së dhe PDK-së.

“Bëj thirrje që koalicioni LDK-PDK të mos e votojë këtë rregullore për tarifa, sidomos tarifën për vetura edhe për veprimtaritë e tjera biznesore, pasi mendojmë që do të ketë kosto të lartë, si për bizneset, po ashtu edhe për banorët e Prishtinës”, ka thënë Krasniqi.

Pas ankesave të shumta, qeverisja Rama ka uluar taksat për disa prej bizneseve si për avokatë e barnatore.

Nga draft-rregullorja është larguar edhe taksa prej 10 eurosh që ishte propozuar për veturat që vijnë në kryeqytete nga komunat e tjera.