LAJMET E MBRËMJES

Osmani e Kurti thonë se FSK-ja është e gatshme dhe e dobishme për NATO-n

Në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe “Defender 25”, të martën në Babaj të Bokës është organizuar Dita për Vizitorë, ku janë shfaqur ushtrime të avancuara të gjuajtjes nga Forca e Sigurisë e Kosovës. Zyrtarë shtetërorë dhe ndërkombëtarë kanë marrë pjesë në këtë aktivitet dhe kanë vlerësuar lart profesionalizmin, përgatitjen dhe angazhimin e FSK-së

Në poligonin trajnues në Babaj të Bokës, Forca e Sigurisë e Kosovës ka demonstruar të martën përgatitjen e saj në ekzekutimin e disa prej aktiviteteve si pjesë e ushtrimit ndërkombëtar shumëkombësh “Defender 25”.

Nën ushtimën e armëve dhe urdhrat e komandantëve, ushtarët kanë testuar aftësitë e tyre në kushte reale stërvitore.

Këto ushtrime kanë për qëllim rritjen e ndërveprimit me forcat aleate dhe gatishmërinë për operacione të përbashkëta në fushën e sigurisë.

Në ditën kur arena e stërvitjeve është hapur për media, atë e kanë vizituar edhe udhëheqës institucionalë, përfaqësues diplomatikë dhe ushtarakë ndërkombëtarë.

Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar lart profesionalizmin e ushtarëve të Kosovës.

“Në radhë të parë me forcat e SHBA-së, aleatin tonë më të rëndësishëm dhe strategjik në fushën e mbrojtjes dhe çdo fushë tjetër. Ju sot e patë një ushtrim të shkurtër, mirëpo përgatitje për atë që e patë ju sot edhe ushtrimet që janë bërë nga 26 maji e tutje janë bërë për më shumë se dy vjet. Prandaj dua t’i falënderoj FSK-në, çdo pjesëtar që ka marrë pjesë për profesionalizmin e tyre, për sakrificën e tyre dhe mbi të gjitha se e kanë bërë krenar një shtet të tërë, Kosovën me atë qe kanë dëshmuar përgjatë këtyre viteve. Edhe në ‘Defender 25’, Kosova e ka dëshmuar në përputhje me forcat e NATO-s dhe aleat që është i gatshëm të ndërveprojnë me forcat më profesionale. Forcat tona kanë dëshmuar që jemi të gatshëm, jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por të jemi shtet i barabartë, shtet anëtar i NATO-s”, ka thënë Osmani.

Teksa ka folur për arritjet e FSK-së, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka treguar edhe për investimet që Qeveria i ka bërë në ushtri gjatë 3 vjetëve.

“Bashkëpunimi dhe ushtrimi e nxjerrin më të mirën edhe të ushtrisë, edhe të ushtarëve. I gjithë ky armatim që po e shihni këtu të demonstruar është blerë gjatë këtyre tre vjetëve të fundit, përveç një automatiku që ka qenë edhe më herët. Sepse ne kemi dyfishuar numrin e ushtrisë, i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, e kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje, gjithnjë me SHBA-në dhe vendet partnere”, ka thënë Kurti.

Ka folur edhe për synimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e NATO-s.

“Po vërtetojmë çdoherë e më shumë fuqinë dhe aftësitë tona, si dhe ndërveprueshmërinë që kemi me NATO-n, dhe po dëshmojmë se anëtarësimi ynë në aleancën ushtarake veriatlantike nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin që mund të japim”.

E shefi i shtabit të ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë, Levon E. Cumpton, ka thënë se mikpritja dëshmon fuqinë e partneritetit dhe bashkëpunimit për siguri të përbashkët.

“Kjo është një dëshmi e qartë se kur njerëzit dhe vendet janë të gatshëm të bashkëpunojnë për vlera të përbashkëta dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit, çdo gjë është e mundur. E vlerësojmë shumë këtë marrëdhënie dhe partneritet. Aftësia për të ndërtuar ndërveprueshmëri dhe gatishmëri së bashku siguron jo vetëm siguri dhe stabilitet rajonal, por ndikon dhe mbështet  stabilitetin rajonal”, ka deklaruar Cumpton. 

“Defender Europe 2025” është ushtrimi më i madh ushtarak shumëkombësh, i udhëhequr nga SHBA-ja, me mbi 25 mijë trupa nga 29 shtete që stërviten në 18 vende të Evropës, përfshirë Kosovën, me synim forcimin e gatishmërisë dhe ndërveprimit ushtarak.