Forca e Sigurisë e Kosovës i testoi kapacitetet e saj në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”, i mbajtur në Poligonin Ushtarak të Gjakovës. Të pranishëm në këtë ceremoni, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti vlerësuan se FSK-ja është e gatshme që t’i bëjë ballë çfarëdo kërcënimi a rreziku që mund t’i kanoset Kosovës
“Ujku i Çeliktë” e demonstroi fortësinë, mprehtësinë e qëndrueshmërinë e ushtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës, të cilët të martën e zhvilluan këtë ushtrim fushor në Poligonin Ushtarak të Gjakovës.
Nëpërmjet manovrave ushtarake në Babaj të Bokës, mbi 1 mijë ushtarë të njësiteve të shumta të FSK-së, i dëshmuan kapacitetet për ofensivë, defensivë e stabilitet.
Lëvizjet taktike të këmbësorisë dhe veprimet e artilerisë ata i demonstruan para presidentes Vjosa Osmani, e përfaqësuesve të tjerë shtetërorë.
Presidentja e komandantja supreme e FSK-së, e kualifikoi ushtrimin si dëshmi për gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e “Forcës” përballë çfarëdo rreziku.
“‘Ujku i Çeliktë’ le të jetë një kujtesë se ne nuk stërvitemi vetëm për përballje të sotme, por përgatitemi edhe për sfidat e së nesërmes. Ju stërviteni dhe validoheni për të qenë gati kurdoherë që shtrohet nevoja për t’i dalë zot atdheut. Ju sot, me demonstrimin tuaj, dëshmuat fuqishëm se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror mbrohen më ushtrinë e saj me aftësitë dhe kapacitetet operacionale e në ndërveprueshmëri të plotë me forcat aleate”, ka thënë Osmani.
Ushtrimin e Komandës së Forcave Tokësore e përcolli edhe kryeministri Albin Kurti, e të cilin e kualifikoi si më të sofistikuarin të realizuar ndonjëherë nga ushtarakët. Ai e përmendi edhe kontributin e Qeverisë për ngritjen e kapaciteteve për mbrojtje.
“Një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-s janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes”, ka thënë Kurti.
Në kuadër të këtij ushtrimi, është organizuar edhe Dita e Vizitorëve, me ç’rast pjesëtarë të FSK-së ekspozuan pajisje të ndryshme ushtarake.