Krerët shtetërorë të Kosovës, kanë qëndruar në kazermën “Adem Jashari” të enjten, në “Ditën e Forcës”. Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se është ditë krenarie për të gjithë shqiptarët dhe se ushtria jonë është pasardhëse e denjë e krenare e UÇK-së.
Më tej ajo tha se ushtria e Kosovës çdo ditë po forcohet dhe është krah për krah shteteve aleate të saj në mbarë botën.
“Gëzuar ‘Dita e Forcës’, dita e ushtrisë sonë. Sot është ditë krenarie për të gjithë popullin e Kosovës, është ditë krenarie sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e djemve dhe vajzave që vunë themelet e ushtrisë sonë dhe këta djem e vajza që i shihni sot na bëjnë krenarë jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë, në akademi, nëpër vendet e ndryshme të botës ku studiojnë në shtete aleate, por po ashtu edhe në operacione për paqe e stabilitet në vende të ndryshme të botës ku ata shërbejnë krah për krah me aleatët. Ushtria jonë çdo ditë po forcohet e po bëhet më operacionale, më ndërvepruese, më profesionale dhe natyrisht në radhët e ushtrisë sonë po shtohen djemtë dhe vajzat që duan t’i shërbejnë atdheut”, deklaroi Osmani.
Osmani tutje tha se do të punohet për ta bërë ushtrinë më të fortë në mënyrë që të mbrohet shteti i cili u bë me shumë sakrificë.
Në kazermën “Adem Jashari” me rastin e “Ditës së Forcës”, ka qëndruar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai e quajti këtë ditë si më të gëzuarën e popullit të Kosovës, teka përmendi buxhetin e FSK-së dhe armatimin me të cilin po furnizohet ushtria e Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti tha se brezat e rinj janë gjithnjë e më të sigurtë falë ushtrisë së Kosovës, pa çka theksoi sakrificën e dëshmorëve, duke nisur nga kryekomandanti Adem Jashari.
“Është ditë e lumtur e gëzuar për të gjithë ne për shkak se me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq të mirë e gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Në njërën anë e kemi sakrificën e dëshmorëve të kombit, mbi të gjitha kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari, pastaj veteranët dhe invalidët e UÇK-së, e në anën tjetër i kemi gjithë këta fëmijë që kanë ardhur ta shohin ushtrinë e tyre që njëherësh ua ngroh zemrat dhe i bën të ndihen mirë për të ardhmen e tyre dhe për mbarë qytetarët dhe familjet në Kosovë” tha Kurti.
Ai tha se më herët FSK ishte shumë pak e pajisur me armatim, ndërsa tani janë bërë investime mbi 430 milionë euro.
“Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këto katër vitet e fundit. Më përpara ushtria jonë ka pasur vetëm automatiku të llojit …dhe revolve, që do të thotë ka qenë më pak e pajisur se Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne dhe sa vjen e shtohet, meqenëse tash kemi dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë dhe gjithashtu të syve në qiell për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me drona, e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit dhe prodhimit të dronëve “Made in Kosova””, tha Kurti.
Ai ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë partnerët të cilët janë në krah të Kosovës.
Pjesë e vizitës ishte edhe kryeparlamentari Dimal Basha dhe ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci.




