Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti: FSK-ja është kthyer në një ushtri që mund ta ketë ëndërruar vetë Adem Jashari

Kuadrate të FSK

Foto: Driton Paçarada

28-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shënuar të enjten edhe në kazermën “Adem Jashari”. Për këtë rast, kuadrate të shumta të Forcës së Sigurisë të Kosovës kanë nderuar luftën dhe rënien e Adem Jasharit dhe të familjes së tij për liri

Kuadrate të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), që nga mëngjesi i së enjtes janë rreshtuar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë për të pritur mysafirë në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Mes mysafirëve, më të shumtit në numër kanë qenë nxënës që në mënyrë të organizuar nga shkollat kanë marrë pjesë në ceremoninë për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidentja dhe komandantja supreme, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, dhe udhëheqës të tjerë shtetërorë, pasi kanë parakaluar pranë kuadrateve, kanë bërë homazhe tek obelisku i lirisë në hapësirat e kazermës në Prishtinë.

Teksa e ka çmuar lart kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Osmani ka thënë se FSK-ja është trashëgimtare e denjë e UÇK-së. 

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zëri i një populli të shtypur. Ishte organizimi i guximit dhe shpresës që u ngrit kundër padrejtësisë. Ishte ndërgjegjja kombëtare që nuk pranoi të heshtë. Epopeja e marsit ’98 është dëshmi se liria fitohet me sakrificë, me unitet, me besim në të drejtën tonë për të jetuar të lirë në vatrat tona shekullore. Sot krenaria jonë nuk qëndron vetëm në të kaluarën. Ajo marshon para nesh me uniformë moderne, me profesionalizëm të lartë dhe me përkushtim të palëkundur ndaj Republikës sonë”, ka thënë ajo.

E kryeministri Albin Kurti ka theksuar se FSK-ja është duke u rreshtuar me ushtri të botës, ashtu siç mund të ketë ëndërruar komandanti legjendar, Adem Jashari.

“FSK-ja sot rreshtohet me ushtritë e NATO-s, zbarkon misione që ndërtojnë dhe mirëmbajnë paqen kudo nëpër botë. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur, të nderuar pjesëmarrës, dhe po ngjan, nën urdhra dhe komanda të dhëna nga një kazermë ushtarake me emrin ‘Adem Jashari’, këtu ku jemi mbledhur sot, më 5 mars 2026, në ditët e para të Epopesë së UÇK-së, për ta kujtuar dhe nderuar pikërisht rezistencën e kryekomandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij”, ka thënë ai.

Për këtë ngjarje historike, krahas në Kuvend, mbledhje solemne ka mbajtur të enjten edhe Qeveria.
“Epopeja e UÇK-së” shënohet në çdo 5, 6 dhe 7 mars, data këto kur në vitin 1998, Adem Jashari bashkë me familjen e tij u kanë rezistuar sulmeve të ndërmarra nga forcat serbe deri në flijim.