Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Betohen 515 ushtarë të rinj të Kosovës

Albin Kurti

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë janë betuar 515 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në ceremoni kanë marr pjesë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti e  ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, 

Gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Kryeministri Kurti, ka thënë se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati, duke theksuar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet prioritet, raporton Ekonomia Online.

“Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri. Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Përveç kësaj, kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin, dhe së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që ishin paraparë të arriheshin në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike”, është shprehur Kurti. 

Ai ka thënë se deri në fund të vitit do të nis edhe prodhimi i municionit në fabrikën që ka thënë se po e ngrisin në Gjakovë. 

“Gjithashtu kemi avancuar në industrinë e mbrojtjes; deri në fund të këtij viti do të fillojmë edhe prodhimin e municionit në fabrikën që po e ngrisim në Gjakovë, 100% vendore, dhe po e përkrahim sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake”, ka deklaruar Kurti.