Në ceremoninë e diplomimit të 12 oficerëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shprehu pritjen se kjo gjeneratë do ta ketë privilegjin ta përfaqësojnë Kosovën si shtet anëtar të NATO-s. Ajo ka ritheksuar se anëtarësimi në Aleancë mbetet objektiv shtetëror. E, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është zotuar për investime prej një miliard eurosh në ushtri përgjatë katër vjetëve të ardhshëm, me qëllimin edhe për të përmbushur kriteret bazë për anëtarësim në NATO
Rezana Bozhlani
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova ka objektiv shtetëror anëtarësimin në NATO. Gjatë fjalës që mbajti të premten në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Forcës së Sigurisë (FSK), ajo theksoi se synimi strategjik mbetet i pandryshuar dhe shprehu pritjen se gjenerata e tashme e ushtarakëve do të jenë ata që do ta përfaqësojnë shtetin edhe në aleancën ushtarake më të madhe në botë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Republika e Kosovës i takon familjes euroatlantike dhe anëtarësimi ynë në NATO është objektiv shtetëror dhe interes strategjik i Republikës së Kosovës. Ky synim lidhet me sigurinë tonë, por edhe me orientimin tonë të qartë demokratik, për paqe, sundim të ligjit dhe siguri”, ka thënë Haxhiu. “Kam bindjen se pikërisht brezi juaj do të jetë ndër brezat që do ta afrojë Kosovën edhe më pranë këtij qëllimi historik, dhe besoj që shumë prej jush do ta kenë privilegjin ta përfaqësojnë Republikën si oficerë të forcave të shtetit më të ri, anëtar të NATO-s”.
E, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është zotuar për investime prej një miliard euro në ushtri përgjatë katër vjetëve të ardhshme, me qëllimin edhe për të përmbushur kriteret bazë për anëtarësim në NATO.
“Investimet në infrastrukturë, në sisteme të armatimit dhe edukimin e pjesëtarëve të ushtrisë sonë, të gjitha këto paraqesin dëshmi që po punojmë fort dhe së bashku, që të jemi ofrues të sigurisë, duke plotësuar në vazhdimësi kriteret e nevojshme për t’u bërë anëtar i NATO-s, si një nga qëllimet kryesore të qeverisë sonë”, ka thënë Kurti. “Kjo dëshmon që jemi partner serioz ndaj aleatëve tanë dhe partnerëve tanë strategjik të shteteve të NATO-s”.
Ceremonia e diplomimit të 12 oficerëve të rinj që kanë përfunduar rrugëtimin katërvjeçar të përgatitjes akademike, ushtarake dhe të lidershipit, u organizua në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.
Në tribunë, shumë familjarë u panë me lot në sy nga krenaria, teksa shihnin fëmijët e tyre të merrnin diplomat dhe të nisnin rrugëtimin si oficerë të rinj të FSK-së.
Pas ceremonisë, emocionet u ndanë mes kadetëve dhe prindërve të tyre e familjarëve të tjerë, të cilët e përshkruan këtë ditë si kurorëzim të viteve të përkushtimit dhe sakrificës, por edhe si fillimin e një përgjegjësie të re në shërbim të Kosovës.
Mes duartrokitjeve të gjata, emri i Dardan Syles u thirr edhe një herë si kadeti më i dalluar i gjeneratës 2026. Përveç diplomës, ai mori edhe vlerësimin më të lartë të gjeneratës, një moment që u shoqërua me emocione të forta si për të, ashtu edhe për familjen e tij.
“Mendoj që rruga jonë nuk është e krahasueshme me atë që kanë bërë të parët tanë. Edhe historia jonë, e kaluara jonë e lavdishme, na ka ndihmuar që me u mbush frymëzim edhe më tepër ku jemi sot. Andaj pas katër vitesh plot sfidë, në këtë ditë ceremonisë ndihemi plot krenarë edhe plot nder, edhe normalisht që me këtë veshje ndiejmë një përgjegjësi më të madhe për të ardhmen tonë”, ka thënë Syla.
E emocionet ishin edhe më të mëdha për babanë e tij, Safet Syla, ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili e ndoqi momentin kur djali i tij u shpall më i dalluari i gjeneratës.
Ai për KSP tha se kjo nuk ishte vetëm një ditë feste për familjen e tij, por edhe një kujtim i amanetit të dëshmorëve për ndërtimin e një ushtrie profesionale.
“Emocione të shumta janë sot. Megjithatë, është një ndjenjë për mua edhe përgjegjësie, sepse amanet kemi nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit t’i mbajmë edhe bashkëluftëtarët e mi, që Kosova të ketë një ushtri profesionale, moderne, e gatshme që t’i kryejë detyrat ashtu siç kërkohet”, ka thënë Sula. “Megjithatë për mua, sot edhe për të gjithë prindërit e tjerë, është ditë e veçantë sepse po diplomon një gjeneratë, gjenerata 2026, dhe në mesin e kësaj gjenerate Dardanin e kisha, i cili u shpall si kadeti i vitit, kadeti i gjeneratës realisht. Më ka bërë të ndihem hala më shumë krenar”.
Ceremonia është përmbyllur me disa këshilla që komandantja e Qendrës për Studime Universitare, Mimoza Gudeci, ndau me kadetët.
“Djem dhe vajza, sukseset do t’i ndajmë me të tjerët, por përgjegjësinë duhet ta mbajmë ne vetë. Dhe mos harroni, ashtu siç do të ndodhë me ne, edhe për juve pas një kohe të caktuar njerëzit nuk do të mbajnë në mend, as gradat që ju mbajtët, as përgjegjësitë që kishit, por do të mbajnë në mend ndikimin te njerëzit, që ju udhëhoqët, dhe te njësitë që komanduat”, ka thënë ajo.
Gudeci theksoi se momentet e vështira ndërtojnë lidershipin dhe u kërkoi oficerëve të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre.
E, gjatë ceremonisë, kryeministri në detyrë tha para oficerëve të rinj se Qeveria, mbrojtjen e ka vendosur si njërin ndër prioritetet kryesore.
“Kemi investuar mbi 460 milionë euro në blerje të armatimit, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi katërfishuar trajnimet, por mbi të gjitha kemi investuar në shkollimin dhe edukimin e ushtrisë. Këto janë komponentë të rëndësishëm e do të thoshim të domosdoshëm për të pasur një ushtri të përgatitur, të trajnuar, të pajisur, për të pasur një ushtri të shkolluar, një ushtri të fuqishme, një ushtri si kjo e jona që kemi tani, e që do ta forcojmë edhe më shumë në të ardhmen”, ka thënë ai. “Në mandatin e ardhshëm, do të investojmë 1 miliard euro në ushtri, do t’i kemi 1000 vajza e gra pjesë të ushtrisë sonë, pra një rritje prej dy herë e gjysmë numrit aktual, do të kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do të kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakët më të përgatitur e më të shkolluar që kemi pasur ndonjëherë, sepse pjesëtarët tanë janë pasuria jonë më e madhe që kemi”.
Ai iu tha oficerëve të rinj se para secilës sfidë që do t’u dalë përpara, duhet ta kujtojnë se janë pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare.
“Ju do të udhëhiqni ushtarë, do të merrni vendime të rëndësishme dhe do të jeni shembulli i integritetit, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj detyrës. Udhëhiqni gjithmonë me dijen që keni fituar, me guxim që keni, me drejtësi dhe me respekt, duke u përkujdesur për secilin ushtar që do të keni nën varësi tuajën”, ka thënë Kurti. “Në momentet më të vështira që do t’ju dalin përballë, në situata të rënda, kujtojeni gjithmonë se jeni pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ajo trashëgimi e shenjtë burojnë forca, guximi dhe vendosmëria juaj. Ajo është themeli i identitetit tuaj ushtarak dhe burimi i shpirtit luftarak, i cili ju jep aftësinë të qëndroni të palëkundur përballë çdo sfide dhe çdo rreziku që mund ta keni dhe në fund do të dilni triumfues, ashtu siç ka ngadhënjyer përherë ushtria jonë”.
Edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, ka folur para oficerëve të rinj, për punën e përgjegjësinë që kanë përpara.
“Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë vlerë kur vihen në duart e njerëzve që dinë të gjykojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë gjithnjë me integritet. Grada do të vendoset mbi supet tuaja, por pesha e saj do të matet në karakterin tuaj”, ka thënë Haxhiu. “Ju po diplomoni në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të reja. Konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe përpjekjet për ta dobësuar një shtet nga brenda, na kujtojnë se paqja ruhet me përgatitje, me vigjilencë dhe aleanca të forta. Për këtë arsye, përgjegjësia juaj është shumë më e madhe , duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të rendit demokratik, të lirisë dhe të sigurisë së çdo qytetari në Republikën e Kosovës”.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Thomas Schulte – Borghoff, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë ndërkombëtarë.
Pas ceremonisë së betimit, 12 oficerët e rinj morën gradën e nëntogerit, të cilët iu bashkuan Forcës së Sigurisë.