Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti ka ndodhur më 17 nëntor 2026, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë me katër zyrtarë policorë kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit.
Nga hetimet fillestare dyshohet se njëri nga policët kishte tejkaluar autorizimet ligjore, duke përdorur forcën ndaj qytetarit edhe pasi e kishte prangosur. Si pasojë, qytetari kishte pësuar lëndime trupore.
Pas arrestimit, qytetari ishte dërguar në stacionin policor, por sipas IPK-së, zyrtarët nuk e kishin njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.
Më pas, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar vetëm një tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.
IPK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarit policor të arrestuar kishte pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të jenë relevante për hetimin e veprimeve të tij zyrtare.
Edhe
Arrestohen katër të dyshuar në veri për “sulm ndaj personit zyrtar”
Me vendim të prokurorit kompetent, policit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkohë, hetuesit e IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar, si dhe të tre policëve të tjerë të përfshirë në këtë rast.