Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik

zz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të përbërë prej 11 anëtarësh nga 9 shtete të ndryshme.

Kurti theksoi se për Republikën e Kosovës anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës.

Nga Zyra e Kryeministrit u njoftua se krahas bashkëpunimit dhe rrugës përpara, në takim u diskutua për përparimin demokratik dhe zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik, për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, sikurse për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aftësimin profesional të ushtarakëve, në përputhje me politikat dhe standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Një ditë më parë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, takoi delegacionin e më pas deklaroi se për Kosovën, NATO-ja lidhet pazgjidhshmërisht me vitin 1999, kur ndërhyrja e Aleancës ishte vendimtare për t’i dhënë fund luftës, masakrave dhe spastrimit etnik nga Serbia.

Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit, Emilija Rexhepi, në takimin me delegacionin e parlamentarëve të vendeve anëtare të NATO-s më 28 tetor është ankuar se çdo bisedë që bëhet për komunitetet në Kosovë përqendrohet te serbët.  

“Në pyetjen e anëtarëve të delegacionit lidhur me gatishmërinë e qytetarëve të nacionalitetit serb për t'u integruar në institucionet e Republikës së Kosovës, shpreha hapur qëndrimin tim se jemi lodhur nga fakti që pothuajse çdo diskutim për komunitetet joshumicë në Kosovë përqendrohet ekskluzivisht te komuniteti serb”, ka thënë Rexhepi.