Në cilësinë e të dyshuarit, të mërkurën, është intervistuar nga një prokuror special zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Hysen Durmishi. Pas intervistimit ai ka thënë se OSHP-ja ka vendosur në favor të Ministrisë, por në të njëjtin vendim ky organ ka konstatuar se kontrata është nënshkruar në kundërshtim me ligjin
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Hysen Durmishi, është intervistuar të mërkurën nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit për tenderin rreth 40 milionë euro për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Ai konfirmoi se është intervistuar, por theksoi se është i pafajshëm.
“Unë sot iu përgjigja ftesës së Prokurorisë Speciale. Isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë. Kryesisht kjo është fazë fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova pothuajse të gjitha, të cilat i kishte prokurori, për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë-Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar dhe në njëfarë mënyre sqarova para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”, ka thënë zëvendësministri Durmishi, pasi ka dalë nga intervista. “Bëhet fjalë për një kallëzim penal që e ka bërë një operator ekonomik ankues në kohën kur janë nënshkruar këto kontrata, e cila është totalisht e pabazuar”.
Ai ka thënë se vendimet janë konfirmuar edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
“Ka vendime edhe të OSHP-së, dokumente të cilat janë publike dhe që dëshmojnë pastërtinë tonë në gjithë këtë proces. Prandaj thjesht ishin disa sqarime të prokurorit të cilat ai i mori dhe tash po presim”, ka thënë Durmishi.
Kontrata për të cilën janë ngritur dyshime edhe ndaj zëvendësministrit Durmishi është nënshkruar në kohën kur kishte ankesë në OSHP. Një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Megjithëse Durmishi është thirrur në vendimin e OSHP-së, por pikërisht ai vendim thotë se Ministria nuk është dashur ta nënshkruante atë kontratë para se të përfundonte shqyrtimi i ankesave.
Fillimisht një konstatim të tillë e kishte bërë eksperti shqyrtues.
“Eksperti ka ardhur në përfundim se për këtë aktivitet të prokurimit veçse janë nënshkruar kontratat si dhe kanë filluar punimet, marrë parasysh dëmet dhe interesin publik për të cilin mendon se është më i madh nëse shfuqizohet kontrata nga ky veprim, sesa rivlerësimi dhe dhënia e qasjes për Operatorin Ekonomik ankues”, thuhet në dokumentin e OSHP-së. “Andaj, si e tillë, duke u bazuar në këtë fakt, pretendimi i Operatorit Ekonomik ankues lidhur me shkeljet e përmendura si më lart konsideron se gjenden të bazuara, të cilën ankesë e kualifikon si pjesërisht të bazuar, ndërsa rekomandon panelin shqyrtues që vendimi i Autoritetit Kontraktues të mbetet në fuqi”.
Me të njëjtën bazë ligjore, OSHP-ja vendosi pro vendimit të Ministrisë, por konstatoi se në këtë rast zyrtarët e këtij institucioni e kanë shkelur ligjin.
“Neni 23 (i Ligjit të Prokurimit Publik v.j.) krijon efekt detyrues, andaj nënshkrimi i një kontrate përkundër afatit dhe/ose efektit pezullues me rastin e ushtrimit të një ankese përbën së paku mungesë të etikës profesionale”, ka theksuar Kolegji i OSHP-së.
Për këtë tender ka raportuar edhe KOHA. Sipas raportimit, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka identifikuar shkelje të mëdha në këtë tender, por edhe në dy tenderë të tjerë të kësaj ministrie.