Për së paku një vit, parku arkeologjik “Ulpiana” do të ketë dy ciceronë zyrtarë e Kalaja e Novobërdës një. Konkurset për pesë ciceronë kanë nxjerrë tre të tillë, përderisa për Kalanë e Prizrenit nuk ka pasur asnjë aplikim. Çështja e mungesës së ciceronëve në monumente të trashëgimisë kulturore është temë e kahershme, ani pse ata konsiderohen të domosdoshëm, por për dikë punësimi i ciceronëve nuk mjafton në funksionalizimin e monumenteve
Mezi kishte funksionalizuar disa monumente kulturore përmes organizatave joqeveritare e pas vazhdimësisë së konkurseve për kërkim të të tjerave, si dhe për monumente të radhës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte hapur konkurs edhe për pesë ciceronë, për t’i angazhuar në tri prej këtyre monumenteve, në mënyrë që të ofrojnë shërbime të vazhdueshme dhe profesionale të guidës turistike.
Rezultati: tre ciceronë, dy në parkun arkeologjik “Ulpiana”, një në Kalanë e Novobërdës, aq sa ishin paraparë edhe me konkurs. Në Kalanë e Prizrenit ishin planifikuar po ashtu dy, por nuk ka pasur asnjë aplikim.
Atdhe Prelvukaj dhe Ismail Gagica pritet të jenë ciceronët e “Ulpianës” e Fitim Bunjaku i Kalasë së Novobërdës. KOHA i ka kontaktuar dhe dy prej tyre kanë thënë se ende nuk kanë nisur punën.
Çështja e mungesës së ciceronëve në monumente të trashëgimisë kulturore është një temë e kahershme, ani pse ata konsiderohen të domosdoshëm. Tek tash, “Ulpiana” dhe Kalaja e Novobërdës bëhen për herë të parë zyrtarisht me ciceronë. Do të jenë aty së paku një vit, aq sa e përcakton konkursi. Punësimi i dy ciceronëve në “Ulpianë” ishte paraparë qysh para dy vjetësh, kur ky aset – që u inaugurua si parku i parë arkeologjik para gati një dekade – u bë me plan menaxhimi.
Për çështjen e punësimit të ciceronëve nga ana e Ministrisë, Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin Trashëgimia Kulturore pa Kufij – “CHwB Kosova”, ka thënë se ka më shumë rëndësi që në monumente të zbatohet një plan interpretimi.
“E rëndësishme është që secili monument ta ketë njëfarë plani të interpretimit, pra në njëfarë mënyre qoftë përmes ciceronëve, qoftë përmes formave të tjera, pra të ketë informata të mjaftueshme për vizitorë. Ka raste që s’ka nevojë për ciceronë hiç, në qoftë se ajo ka ekspozitën të shpërndarë dhe të interpretuar mirë ose ka një aplikacion që mund ta interpretojë. E rëndësishme është të ketë plan dhe nuk jam i sigurt që secila prej këtyre monumenteve ka plan të interpretimit”, ka thënë ai në një prononcim për KOHËN.
Sipas tij, nëse plani përfshin mediume më të avancuara, mund të funksionojë guida edhe pa ciceronë.
“Ciceroni është veç një medium që e interpreton planin, pra është mirë që monumenteve t’i qasen në mënyrë më të kompletuar, ku bëhet plani i interpretimit dhe mandej zgjidhen mediumet e interpretimit, qoftë ato me njerëz ose si audiovizuale, ose varësisht prej politikave që i ka terreni”, ka shtuar Shoshi.
Ka treguar se CHWB-ja do të nisë një kamp të interpretimit, dedikuar tërësisht “Ulpianës”. Përfshirja e planeve në këtë lokalitet, sipas tij, ka qenë gjithmonë e nevojshme, bashkë me aktivitete që e gjallërojnë monumentin.
“Sa për informatë, të hënën e fillojmë një kamp të interpretimit që i dedikohet ekskluzivisht Ulpianës dhe ku përmes pjesëmarrësve mundohemi që atë material që është mbledhur deri tash për Ulpianën ta interpretojmë dhe ta tematizojmë që të jetë i kuptueshëm për çdo vizitor. Nevoja për të pasur plan të interpretimit dhe qasje për vizitorë ka qenë e nevojshme jo veç tash, por shumë kohë më përpara, duke përfshirë edhe vikendet, edhe aktivitete ekstra, jo veç ekspozitat, por edhe aktivitetet që e gjallërojnë, që të kesh arsye të shkosh jo një herë, por disa herë në një lokalitet arkeologjik”, ka lajmëruar ai.
Shoshi ka treguar se mban shpresë që shteti ta marrë seriozisht këtë aspekt, që turistët ta kenë dëshirën që këto lloj monumentesh të vizitohen edhe për herë të dytë.
“Sepse deri tash në shumicën e monumenteve nuk ke arsye të shkosh dy herë, me një herë e kryen, sepse në shumicën e tyre nuk ndodh diçka që të thërret të shkosh për të dytën herë”, ka thënë ai.
Ndër kriteret e konkursit për pesë ciceronët në tri monumente – i hapur në korrik – Ministria kishte listuar: njohuri të thelluara për historinë dhe arkeologjinë e Kosovës, aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe prezantimi, njohuri të mira të gjuhës angleze, gatishmëri për të punuar në ambient të hapur dhe për periudha të zgjatura në këmbë e aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur dhe në ekip. Si përparësi kishte renditur përvojën paraprake në udhërrëfime turistike apo edukim muzeal, si dhe njohjen e gjuhëve të tjera përveç anglishtes. Shoshi kriter për përzgjedhjen e ciceronëve e ka emëruar të qenit narrator i mirë, përveç shkollimit e përvojës së punës.
“Mendoj se për përzgjedhjen e ciceronëve kriter duhet të jetë përgatitja profesionale: shkollimi dhe përvoja, aftësitë që i kanë për të qenë aty, sepse çështja e ciceronit është që të jetë një tregimtar i mirë, dikush që di të tregojë mirë, aq do të ishte e mjaftueshme. Për mua nuk është aq e rëndësishme të ketë ciceron, por shumë më i rëndësishëm është plani i interpretimit”, ka thënë Shoshi.
Rëndësinë e përfshirjes së ciceronëve për këto monumente e ka theksuar udhërrëfyesi Muamer Hasani, drejtor i “GuideKS”. Ka thënë se prania e ciceronëve e bën të sigurt interpretimin e saktë dhe kujdesen që të shmangen keqkuptimet.
“Po, shumë të nevojshme, madje të vonuara. Shpesh turistët i kanë vizituar, në këtë rast “Ulpianën”, Kalanë e Prizrenit dhe të Novobërdës pa ciceronë, sepse shumë grupe nuk angazhojnë udhërrëfyes lokalë. Ciceroni i monumentit siguron interpretim të saktë, rrjedhë vizite dhe shmang keqkuptime e sidomos historike e që te ne jo rrallë ndodhin”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.
Sipas tij, edhe mediumet alternative janë të rëndësishme, por asnjë nga to nuk e zëvendësojnë punën e ciceronit.
“Mediume plotësuese, jo zëvendësuese. Mund të ketë audio-guida multigjuhëshe, QR-kode me përmbajtje, aplikacione AR/VR dhe panele interpretimi. Këto ndihmojnë, por ciceroni i monumentit mbetet i pazëvendësueshëm për kontekst, pyetje në kohë reale dhe menaxhim grupi”, ka shtuar Hasani.
Për t’i përzgjedhur ciceronët si fillim, ka konsideruar se duhet të verifikohen njohuritë e tyre në fushat e historisë e të arkeologjisë lokale, mirëpo ka thënë se ata duhet të trajnohen vazhdimisht, për ta përmirësuar cilësinë e rrëfimit dhe teknikat profesionale.
“Njohuri të verifikuara për sitin në histori e arkeologji lokale dhe protokollet e ruajtjes. Teknika profesionale udhërrëfimi: rrëfim i strukturuar, komunikim, idealisht multigjuhësh, menaxhim kohe dhe grupi, etikë e siguri. Edhe po ashtu është e rëndësishme të ketë trajnime të vazhdueshme”, ka thënë Hasani.
Ciceronët janë vetëm njëri aspekt i funksionalizimit të monumenteve, të cilin Ministria e Kulturës para dy vjetësh kishte vendosur ta bënte në një tjetër mënyrë. Ua kishte mësyrë organizatave joqeveritare.
Në vitin 2023, në tentimin e parë, prej pesë monumenteve sa kishte synuar t’i funksionalizonte me organizata joqeveritare, Ministria pati bërë zgjidhje vetëm për dy: Kompleksin memorial “Isa Boletini” në Boletin dhe Shtëpinë e Katarina Josipit në Zym të Prizrenit, për të cilën nuk i kishte funksionuar plani, ndërsa gjashtë organizata të tjera qenë diskualifikuar kryesisht për mospërmbushjen e kritereve përmbajtjesore dhe administrative.
E në tentativën e dytë, MKRS-ja vitin e kaluar qe vënë sërish në kërkim të organizatave joqeveritare për t’i funksionalizuar asetet e trashëgimisë kulturore të vendit që kishin dështuar në përpjekjen e parë. Kësaj radhe në listë kishin qenë parku arkeologjik “Ulpiana” dhe Kalaja e Prizrenit. Nëpërmjet thirrjes publike, qëllimi kishte qenë që periudha e zbatimit të programit të jetë tre vjet. Për Kalanë e Prizrenit dhe “Ulpianën” mbështetja financiare do të ishte prej 50 mijë në 100 mijë euro në vit.
Kur MKRS-ja për herë të parë kishte tentuar që ta realizonte këtë nismë, KOHA e kishte pyetur këtë institucion se përse nuk angazhohet staf profesional që këto monumente të jenë institucione më vete, që menaxhohen sikurse institucionet e tjera shtetërore. MKRS-ja e konsideronte ndryshe.
“Këto pesë monumente janë institucione më vete, në kuadër të MKRS-së, të cilat po i fuqizojmë përmes programeve të ndryshme, duke filluar nga ndërhyrjet fizike restauruese, planet e menaxhimit, angazhimi i stafit dhe tani edhe përmes ftesës për angazhim të organizatave joqeveritare, që kanë ekspertizë dhe njohuri në fushën e promovimit dhe zhvillimit të kulturës”, shkruhej në përgjigje. Por, për shumicën e këtyre monumenteve nuk ka akte të themelimit si institucione.
Kështu, pas funksionalizimit të atyre monumenteve, para dy muajsh Ministria kishte hapur konkurs për pesë ciceronë, për t’i angazhuar për një vit dy prej tyre që të ofrojnë shërbime të vazhdueshme dhe profesionale të guidës turistike në parkun arkeologjik “Ulpiana - Iustiniana Secunda”, dy në Kalanë e Prizrenit dhe një në Kalanë e Novobërdës. KOHA e kishte kontaktuar Ministrinë për të marrë informata pse deri tash nuk ka pasur ciceronë në këto zona.
“Instituti Arkeologjik i Kosovës, në kuadër të prioriteteve të tij, ka në fokus funksionalizimin e lokaliteteve arkeologjike dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për prezantimin dhe vizitueshmërinë e tyre. Në këtë drejtim gjatë këtij viti është shpallur thirrja për zbatimin e projektit për funksionalizimin e lokaliteteve arkeologjike, përmes angazhimit të pesë ciceronëve në lokalitetet me fluksin më të lartë të vizitorëve: Parku Arkeologjik “Ulpiana–Iustiniana Secunda”, Kalaja e Prizrenit dhe Kalaja e Novobërdës”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë.
E në lidhje me angazhimin e tyre vetëm për afatin kohor prej një viti, nga Ministria thuhej se realizimi i zbatimit të projektit është menduar të kryhet brenda një viti dhe thuhej se përmes këtyre angazhimeve hapet gjithashtu mundësia për angazhimet e mëtejshme të ciceronëve në monumentet e tjera që planifikohet të funksionalizohen.
“Zbatimi i projektit është paraparë të realizohet brenda një afati kohor prej një viti. Projekti përveçse adreson nevojat aktuale të vizitorëve dhe lokaliteteve, synon të shërbejë si model për zhvillimin e mëtejshëm të praktikave të ngjashme në lokalitete të tjera arkeologjike, të cilat do të jenë të gatshme për t’u hapur për publikun në të ardhmen. Gjithashtu ai hap mundësi për vazhdimin e angazhimit të ciceronëve si pjesë përbërëse e qasjes së qëndrueshme për promovimin dhe edukimin në fushën e trashëgimisë kulturore”, thuhej tutje në përgjigjen e MKRS-së.
Në atë kohë, po para dy muajsh, MKRS-ja kishte bërë edhe një ftesë për OJQ-të, për funksionalizimin e dy monumenteve të tjera: Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren, si dhe Kulla e Ministerit në Pejë. Këto dy monumente ishin në listën e aseteve të reja për funksionalizim edhe në thirrjen paraprake, e tani që u kishte ardhur rendi, pas restaurimeve që u ishin bërë nga shteti, kishte mbetur që organizatat t’i marrin në dorë dhe t’i mbajnë për tre vjet, duke u paguar prej shtetit 20 mijë deri në 60 mijë euro në vit, varësisht prej projektit të përzgjedhur.