Irani është tërhequr nga Bienalja e Venecias, ekspozita më e rëndësishme e artit në botë, ndërsa vazhdon lufta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit.
“Lidhur me pjesëmarrjet kombëtare në ekspozitën e 61-të ndërkombëtare të artit, ‘In Minor Keys’ nga Koyo Kouoh (9 maj – 22 nëntor 2026), Bienalja është informuar se Republika Islamike e Iranit nuk do të marrë pjesë”, thuhet në një deklaratë të Bienales, duke theksuar se tani ka gjithsej 100 vende me pavijone në ekspozitë në vend të 101 sa ishin.
Bienalja e ka shpjeguar arsyen pse Irani nuk do të ketë më një pavijon. Në faqen zyrtare të ekspozitës, Irani është i vetmi vend i listuar pa përfaqësues artistikë. Aydin Mahdizadeh Tehrani figuron si komisioner i pavijonit.
Ky është zhvillimi më i fundit që ka trazuar Bienalen, e cila hapet këtë javë për median midis një vale të madhe polemikash. Javën e kaluar, Bienalja humbi papritur jurinë e saj, e cila deklaroi se kishte dhënë dorëheqje. Më parë, juria prej pesë anëtarësh kishte bërë të ditur se nuk do të merrte në konsideratë asnjë vend të akuzuar për krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, një kusht që do të përjashtonte si Izraelin ashtu edhe Rusinë nga gara për çmimet “Luani i Artë”.
Me mungesën e jurisë për ndarjen e çmimeve, Bienalja bëri të ditur se këtë herë fituesit do të përzgjidhen përmes një votimi publik në fund të Bienales. Ndërkohë, pavijonet e Izraelit dhe Rusisë kanë shkaktuar polemika të gjera, me politikanë, artistë dhe madje edhe pjesëmarrës në ekspozitën kryesore të Koyo Kouoh që i bëjnë thirrje Bienales të përjashtojë të dyja vendet nga ekspozita. Bienalja ka deklaruar se nuk e ka fuqinë të largojë një shtet të njohur si i tillë nga Italia.
-
Bienalja e Venecias mbetet pa juri, intensifikohen përplasjet për Rusinë e Izraelin
-
Para hapjes, Bienalja e Venecias përballet me thirrje të tjera për moslejim pjesëmarrësish
-
Juria e Bienales së Venecias dorëhiqet 9 ditë para hapjes, shkak Rusia e Izraeli
-
Bienalja e sivjetme midis polemikave të forta e hijeve të politikës
-
Finlanda tërhiqet pjesërisht nga Bienalja e Venecias pas rikthimit të pavijonit rus