Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Finlanda tërhiqet pjesërisht nga Bienalja e Venecias pas rikthimit të pavijonit rus

Edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia hapet prej 9 majit deri më 22 nëntor. Në vitin 2024, Rusia ia dorëzoi pavijonin Bolivisë

Edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia hapet prej 9 majit deri më 22 nëntor. Në vitin 2024, Rusia ia dorëzoi pavijonin Bolivisë

Udhëheqja politike e Finlandës nuk do të marrë pjesë në Bienalen e Venecias këtë vit nëse pavijoni rus hapet për publikun sipas planit, duke shënuar përshkallëzimin më të ri të kundërshtimit evropian ndaj rikthimit të Rusisë në ekspozitat ndërkombëtare.

Në një deklaratë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës të Finlandës theksohet se qëndrimi i saj është që Rusisë nuk duhet t’i lejohet pjesëmarrja “për sa kohë vazhdon lufta e agresioni i Rusisë në Ukrainë”. Megjithatë, ministrja e Shkencës dhe Kulturës, Mari-Leena Talvitie, ka thënë se disa zyrtarë publikë nga Finlanda do të marrin pjesë për të mbështetur artin dhe kulturën finlandeze.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe pse ky veprim nuk përbën tërheqje të plotë, vendimi i Finlandës nënvizon presionin politik gjithnjë në rritje mbi Bienalen për t’ia revokuar pjesëmarrjen Rusisë, ndërsa kjo e fundit përgatitet të paraqesë pavijonin kombëtar për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.

Në muajin mars, 22 politikanë me pozitë të lartë nga vende evropiane, nga Franca deri në Poloni, nënshkruan një letër të hapur të udhëhequr nga Letonia, drejtuar Bienales, ku prania e Rusisë u cilësua si “thellësisht shqetësuese” dhe u vlerësua se pavijoni “ngre pikëpyetje serioze mbi rrezikun që diplomacia kulturore e drejtuar nga shteti të paraqitet nën maskën e shkëmbimit artistik”.

Zyrtarët finlandezë ishin ndër nënshkruesit e kësaj letre. Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian ka paralajmëruar Bienalen se mund të humbasë një grant prej dy milionë eurosh për edicionin e vitit 2028 nëse nuk adreson shqetësimet se mund të ketë shkelur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë duke lejuar pjesëmarrjen e saj.

Organizatorët e Bienales kanë këmbëngulur nëpërmjet një deklarate të muajit mars, se janë trupë neutrale që pranon aplikime për pavijone nga çdo shtet që Italia njeh, duke theksuar se “refuzon çdo formë përjashtimi apo censurimi të kulturës dhe artit”. Por, ka opinione se asnjë ekspozitë arti nuk është neutrale dhe se është koha që Bienalja të krijojë një panel etik, të ngjashëm me ato të OKB-së, Lojërave Olimpike dhe organizatave të tjera të mëdha ndërkombëtare, për të shqyrtuar dhe gjykuar mosmarrëveshjet.

Pavijoni rus, me titull “The Tree is Rooted in the Sky” (Pema është e rrënjosur në qiell), pritet të përfshijë një program multidisiplinor me muzikantë, poetë dhe artistë nga Rusia dhe vende të tjera. Organizatorët e kanë paraqitur projektin si dëshmi se kultura mund ta tejkalojë politikën.

“Përmes takimit të kulturave të ndryshme, projekti synon të krijojë një hapësirë dialogu dhe shkëmbimi, ku rrënjët vendore mund të ndërthuren me vizione globale, duke gjeneruar perspektiva të reja artistike dhe duke forcuar ndjenjën e një komuniteti ndërkombëtar”, kanë deklaruar organizatorët e pavijonit rus muajin e kaluar.

Megjithatë në vitin 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, ekspozita e tyre komentoi hapur mbi konfliktin dhe mbajti anën e Ukrainës, duke organizuar një projekt të posaçëm ukrainas në parkun “Giardini”, ku ndodhen shumë pavijone kombëtare. Atë vit, artistët dhe kuratorët rusë vendosën ta mbyllnin pavijonin e tyre. Në vitin 2024, Rusia ia dorëzoi pavijonin Bolivisë. Me Rusinë, Izraelin, Iranin dhe Shtetet e Bashkuara të përfshira në konflikte, edicioni i sivjetmë i Bienales i cili hapet në maj, ngjan të jetë gjithnjë e më shumë si një skenë për pozicionime gjeopolitike, po aq sa një ekspozitë arti.