Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: E pamundur që Rama të arrijë marrëveshje me PDK-në i vetëm, LDK-ja pjesë e saj

Pavarësisht deklarimit publik mohues të Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion me PDK-në në Prishtinë, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në kryeqytet, Gëzim Sveçla, thotë se LDK-PDK janë në koalicion prej kohësh, e tash edhe zyrtarisht.

Sipas Sveçlës, ka qenë e pamundur që Rama të arrijë marrëveshje me PDK-në i vetëm, pa qenë LDK-ja pjesë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është e pamundur që Përparim Rama i vetëm ta ketë arritur marrëveshjen me PDK-në, ashtu siç po pretendon Abdixhiku. Dhe ne jemi të bindur se LDK-ja është pjesë e kësaj marrëveshje dhe për qëllime elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme kjo tani po mohohet”, u shpreh ai.

Sveçla ka thënë në Interaktiv se LVV-ja e ka parë se qysh prej muajsh dy partitë kanë bashkëqeverisur por se nuk e kanë bërë publike.

“Sa i përket koalicionit me PDK-në, është një zyrtarizim i asaj cfarë është ditur sepse PDK-LDK kanë qenë bashkë në Prishtinë qysh nga balotazhi i 7 nëntorit. Kishte dakordancë të plotë mes tyre edhe në Asamblenë komunale në 5 muajt e parë të mandatit. Për ne bashkë kanë qenë gjithmonë”, ka thënë ai.

Sveçla ka shtuar se PDK-ja e ka ndihmuar LDK-në për marrjen e mandatit, derisa ka theksuar se “pa Uran Ismailin, Prishtina nuk do ta kishte kryetar Përparim Ramën”. Ismaili, kryetar i PDK-së në Prishtinë, të hënën tha se kishin arritur koalicion me Ramën. Këtë e mohoi një ditë më pas kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili pasi përmendi edhe atë të PDK-së, Bedri Hamzën, theksoi se nuk ka marrëveshje LDK-PDK.

“E kemi ditur prej 7 nëntorit prej momentit kur Përparim Rama u zgjodh për herë të dytë me votat e PDK-së. Pa Uran Ismailin Prishtina nuk do ta kishte kryetar Përparim Ramën as në vitin 2021, as tani. Prandaj ishte çështje kohe kur do zyrtarizohej ky koalicion”, theksoi Sveçla.

Pa mbështetjen e LDK-së, kryetari Përparim Rama ka vendosur të bashkëqeverisë në kryeqytet me Partinë Demokratike të Kosovës. Pasi ka shkarkuar drejtorë që janë të afërt me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikut, ai i ka zëvendësuar me njerëz të PDK-së. Nga veprimi i Ramës është distancuar LDK-ja, sipas së cilës, marrëveshja nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe vullnetin e kësaj partie