Kulturë

Prizreni humb edhe monumente nën mbrojtje të përhershme, kryeministri thotë se po e bëjnë gati për UNESCO

Albin Kurti Unesco

Kryeministri Albin Kurti: Qeveria jonë ndali degradimin e monumenteve, duke i vënë ato në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë lokale (Foto: Kryeministria)

Vizita në tri shtëpi tradicionale në Prizren, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i ka mjaftuar të konstatojë se Qendra Historike e këtij qyteti po bëhet gati për t’u nominuar për Listën Botërore të UNESCO-s. Ka renditur sukseset, investimet e përkushtimin.

“Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO” e ka titulluar postimit e së shtunës, një orë para mesnatës teksa ka bërë të ditur se tok me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë vizituar tri shtëpi tradicionale, të cilat janë restauruar rishtazi. “Familjet Kirajtani, Vetimi e Munik i falënderuam për përkushtimin ndaj mbrojtjes së vlerave edhe kur në të kaluarën ka munguar mbështetja shtetërore”, ka shkruar ai. Ka pasuar shpalosja e shifrave.

“Gjatë mandatit tonë, buxheti për trashëgiminë kulturore është për gati katër herë më i lartë. Vetëm në Prizren kemi investuar mbi 4.5 milionë euro, që është më shumë se i gjithë buxheti i vitit 2021 për trashëgimi kulturore”, ka shkruar në rrjete sociale. Ka thënë se pothuaj nuk ka komunë ku ka komunë ku nuk është restauruar gjashtë tre vjetëve e gjysmë. Sipas tij puna vazhdon.

Për kryeministrin Qeveria e tij “ndali degradimin e monumenteve, duke i vënë ato në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë lokale”.

Por veçmas rasti i Prizrenit, ia demanton “ndaljen e degradimit të monumenteve”. Në këtë qytet është shënuar rasti i parë në krejt Kosovën, kur rrafshohen monumente nën mbrojtje të përhershme. E kjo ka ndodhur hiç më larg se në majin e sivjetmë. U rrënuan tri objekte brenda “Kompleksit Saraji i Vjetër – Prizren”. Komuna e Prizrenit kishte lëshuar leje ndërtimore për këtë zonë, duke shfrytëzuar afatin administrativ, pasi Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve kishte vonuar përgjigjen për investitorin. Nuk kishte dhënë pëlqim për realizmin e projektit. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës për disa ditë kishte heshtur.

Në “kronikën e zezë” të shkatërrimit të objekteve, Prizreni ka qenë edhe dy javë më parë. Objekti brenda Qendrës Historike të Prizrenit – ku ligjërisht nuk guxon të bëhet asnjë ndërhyrje pa lejen e autoriteteve të trashëgimisë kulturore lokale e qendrore – është rrafshuar. I janë zhdukur edhe mbetjet, përderisa reagimi i institucioneve është konstatimi i gjendjes.

Lexo edhe: